OpEd

Është në rregull vendosja e reciprocitetit, por jetike të jetë i qëndrueshëm

Kosova në ditët e fundit ua ka imponuar veturave që vijnë nga Serbia një detyrim për të përdorur tabela të Kosovës. Kjo pasqyron një kërkesë serbe që veturat që hyjnë nga Kosova në Serbi të përdorin targat serbe. Banorët serbë në veri të Kosovës janë duke protestuar me bllokim të rrugëve. Policia e Kosovës deri më tash nuk i ka pastruar ato.

Nga perspektiva e Prishtinës reciprociteti është korrekt. Është parim bazë i një marrëdhënie mes dy shteteve sovrane. Kjo është pikërisht arsyeja pse Serbia po e refuzon. Beogradi e sheh Kosovën si territor sovran serb. Reciprociteti nuk është një parim që rregullon marrëdhëniet mes një shteti sovran dhe një pjese të territorit të saj, edhe nëse ajo pjesë ka qeverinë e vet, policinë dhe në këtë rast edhe forcat e sigurisë.

Nga perspektiva ime, Kosova është shtet sovran: shpallja e pavarësisë së saj nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, Serbia e ka njohur vlefshmërinë e Kushtetutës së Kosovës në gjithë territorin e saj dhe ka parlamentin e saj demokratik, kryeministrin dhe presidentin. Serbia nuk e konteston këtë dhe pretendon territorin e jo 90 për qind të njerëzve. Por, shqiptarët e Kosovës nuk janë shtetas të Serbisë, atëherë ata duhet të jenë shtetas të diçkaje tjetër, që është Republika e Kosovës për të gjitha qëllimet praktike dhe ligjore.

Pra, kërkimi i reciprocitetit është në përputhje me sovranitetin e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se zbatimi i atij parimi në targat është gjë e zgjuar. Kur e bën këtë, duhet të parashikoni se çfarë do të bëjë Beogradi si përgjigje, siç është bllokimi i rrugëve. Nëse mund t’i lini të bllokuara pa ndonjë dëm serioz ekonomik, ose nëse mund t’i pastroni ato pa krijuar ndonjë rrëmujë, atëherë mund t’ia dilni, por vetëm nëse Beogradi dorëzohet. Gjithashtu duhet të mendoni se cili do të mund të ishte hapi i radhës i Beogradit: të krijojë telashe në komunitetet serbe në jug të Ibrit, të ankohen te Bashkimi Evropian dhe te amerikanët, apo të bëjë një shfaqje të forcës ushtarake në anën e saj të kufirit, gjë që ka bërë përveç ankesave. Nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë për reciprocitetin; duhet të sigurohesh që të jetë i qëndrueshëm.

Ka fusha të tjera ku parimi i reciprocitetit ka mundur të aplikohej e ndoshta të kishte efekt edhe më të madh. Sigurisht se Kosova mund t’i kërkojë Serbisë që dëshiron një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, një Asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, me funksione e kompetenca ekuivalente. Ajo gjithashtu ka mundur të kërkojë vende të garantuara për shqiptarët në Parlamentin e Serbisë, pasi 10 vende në Parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për serbët. Po ashtu ishte gabim të mos insistohej që Dhomat e Specializuara, që tash po ndjekin penalisht në Hagë drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , po ashtu të jenë në gjendje të ndjekin krimet e kryera në territorin e Serbisë, e jo vetëm në Kosovë.

Por, për t’i bërë këto gjëra me sukses Prishtina duhet të ketë një mbështetje të qartë ndërkombëtare në Washington e Bruksel. Të dyja kanë mbajtur një qëndrim të paanshëm. Ky është gabim. Serbia “nuk po ulet më në dy ulëse”. I është përkushtuar Rusisë dhe Kinës, të cilat janë përgjigjur me armë dhe investime. BE-ja dhe SHBA-ja duhet të hapin sytë dhe ta kuptojnë se gara aktuale gjeopolitike kërkon një angazhim më të fortë ndaj forcave properëndimore nëpër Ballkan, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Presidenti Biden, që ka shprehur mbështetje të qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve në Ballkan, duhet të vendosë tash gishtin e tij të madh në favor të demokracisë në të gjithë rajonin. Kjo do të nënkuptojë të favorizojë disa më tepër se tjerat e jo të tërhiqesh në një mantra “Evropë e tërë dhe e lirë”, që ishte e përshtatshme për një moment unipolar, por tash përballet me ngatërresat e koordinuara ruse dhe shpërndarjen e ndikimit kinez në gjithë kontinentin. Serbia është bërë shërbëtore kryesore e këtyre përpjekjeve.

Kosova është mikja më besnike e Amerikës në rajon. Është koha që Washingtoni ta njohë atë si partnere strategjike në luftim të ndikimit rus dhe kinez dhe t’i japë mbështetje pa mëdyshje barazisë së sovranitetit të saj me Serbinë. Me këtë përkrahje reciprociteti do të qëndrojë.

(Daniel Serwer është profesor në Universitetin John Hopkins dhe ekspert për Ballkanin. Opinioni është botuar në faqen peacefare.net)