Qytetarët nuk çuditen as me simbolikën e emotikonit e as me shifrat e larta të nivelit të ndotjes që i shohin në ekranet e vendosura në kryeqytet. “Shumë i ndotur”, është konstatimi që ka më shumë se dhjetë vjet që prishtinasit e ndiejnë sa herë që marrin frymë. Vrasësi i tyre i padukshëm tani vetëm është vizuelizuar
Emotikoni i skuqur nga mërdhezja shfaqet pothuajse çdo ditë në hapësirën e kaltër të monitorit, që ka një javë që është vendosur në njërin nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Kalimtarët ndalen dhe ia ngulin sytë për dy-tre minuta. Disa nga kureshtja për të parë se çfarë është ky “bilbord” i ri në rrugë e disa edhe nga interesimi për të dhënat digjitale që figurojnë aty.
Ata që e dinë qëllimin e vendosjes së këtij monitori rreth dy metra të lartë nuk çuditen as me simbolikën e emotikonit e as me shifrat e larta të nivelit të ndotjes që shohin aty.
“Shumë i ndotur” , është konstatimi që ka më shumë se dhjetë vjet që kryeqytetasit e ndiejnë sa herë që gjoksi u ngrihet e u ulet në procesin e mbushjes së mushkërive me ajër. Në vjeshtë dhe në dimër sidomos. Në këtë kohë nuk guxojnë t’i hapin as dritaret nga smogu që mbulon godinat e qendrës së Prishtinës që shtrihen në një lug.
Kur moti ftohet dhe tymtarët e termocentraleve të Obiliqit punojnë me tërë kapacitetin, tymi që nxjerrin ia shton edhe më shumë zymtësinë kryeqytetit më të ri evropian, që edhe në mot me diell ka pamje të hirtë. Rrobat e lara që thahen në oborre dhe ballkone ndodh shpesh të futen sërish nëpër lavatriçe, sepse bëhen të papërdorshme nga grimcat e blozës që bien mbi to.
Kundërmimi nga kontejnerët e mbeturinave ushqimore, që nuk zbrazen me kohë dhe mbetjet e ngurta që hidhen pa kontroll edhe në hapësira të periferisë i japin Prishtinës jo vetëm pamje të pahijshme, por bëhen edhe burim i rrezikut shëndetësor për banorët e saj.
Kështu, përditshmëria e ndotur prishtinase fshehtas dhe pavërejtshëm shton çdo ditë numrin e qytetarëve që kërkojnë ndihmën e mjekut shkaku i dëmtimit në organet e frymëmarrjes, bronkitit kronik, problemeve kardiovaskulare, kancerit e sëmundjeve të tjera që ua shkurtojnë jetën.
Mbështetur në analizën e të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në Prishtinë ajri është “i pashëndetshëm” në 50 për qind të kohës, “shumë i pashëndetshëm” në 20 për qind të kohës dhe “i rrezikshëm” në 5 për qind të kohës.
Ndotja e ajrit gjithmonë ka qenë problematike për Prishtinën, por është përkeqësuar edhe më shumë në vitet e pasluftës, shkaku i shtimit të popullatës, qarkullimit të madh të makinave dhe përdorimit të thëngjillit dhe druve për ngrohje nga amvisëritë. Gjendje e rëndë ekologjike mbretëron edhe në zonat e tjera urbane të Kosovës. Prandaj ka disa vjet që vendi ynë në dimër shpesh kryeson listën e shteteve me indeksin e ajrit më të ndotur në botë.
Si pasojë e problemeve mjedisore jetëgjatësia në Kosovë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është 11 vjet më e ulët sesa në vendet e tjera të Evropës. Ndërsa sipas hulumtimeve të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit, 3800 vdekje të parakohshme kanë ndodhur në Kosovë deri në vitin 2016 si rezultat i ndotjes së ajrit. Shkaktarët kryesorë të këtyre vdekjeve vlerësohen të jenë gurëthyesit e shumtë, fabrikat prodhuese dhe termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Por qeveritë që udhëhoqën me Kosovën njëzet vjetët e fundit nuk alarmoheshin nga këto shifra. Për to, mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të popullatës ishin çështje me të cilat merreshin vetëm kur u imponoheshin nëpërmjet aktiviteteve ditore nga organizatat joqeveritare. Zyrtarët e kryenin detyrën me ca fjalime ose aksione simbolike. Kurrë nuk u morën seriozisht me zbatimin e ligjit dhe strategjive për mbrojtje afatgjata.
Por kur ishte fjala për para, ata nuk ngurronin të përfitonin edhe nga fondet që ndaheshin për mbrojtjen e ambientit, siç bëri Qeveria në largim në një rast të keqpërdorimit të rreth 800 mijë eurove të ndara për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat.
Zyrtarët qeveritarë silleshin sikur nuk jetonin nën të njëjtin qiell me qytetarët. Nuk u bënin përshtypje as protestat e as thirrjet e qytetarëve që vitin e kaluar ishin shumë të shpeshta, në kërkim të së drejtës së tyre për ajër të pastër.
Masat që ndërmorën ishin sa për sy e faqe, sepse ata as që e kishin hallin e shëndetit të qytetarit. Ata madje merrnin vendime të paligjshme që shkatërronin edhe më shumë natyrën dhe mjedisin. Me lejen e tyre janë futur në gypa lumenj të pasur me ujë për ndërtimin e hidrocentraleve, nga të cilat përfitonin vetëm ata dhe kompanitë “partnere” të tyre në krimin ekologjik.
Në emër të shtrimit të rrugëve, po me vendim të tyre, janë betonuar ara e lëndina, nga të cilat kanë përfituar vetë ata dhe farefisi i tyre.
mësuar me qasjen joserioze të Qeverisë në raport me mjedisin, edhe vendosjen në kryeqytet të ekraneve ku shfaqen shifrat e matjes së nivelit të ndotjes së ajrit, qytetarët e shohin si investim jo fort të mençur dhe pa ndonjë efekt pozitiv. Edhe për ambientalistët monitorimi nuk mjafton pa reagim dhe masa konkrete.
Dy partitë që pritet ta formojnë Qeverinë e re nuk kanë paraqitur ide apo program të veçantë se si planifikojnë ta zbusin apo ta parandalojnë degradimin e mëtejmë ekologjik në Kosovë.
Organizatat joqeveritare që merren me çështje të mjedisit i kanë sugjeruar Qeverisë në ardhje që të ketë një plan konkret mbi zbatueshmërinë e Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm. Kjo agjendë është plan i përbashkët i veprimit për njerëzit, planetin dhe prosperitetin, që ka për qëllim orientimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor në mënyrë të balancuar dhe të integruar. Si masë konkrete dhe me prioritet kanë propozuar vënien e akcizës në naftë, si karburanti që i kontribuon më së shumti ndotjes nga veturat.
Po qe se as Qeveria e re nuk angazhohet seriozisht në marrjen e masave për uljen e nivelit të ndotjes, do të vazhdojmë edhe për shumë kohë të “ushqehemi” me helmet vdekjeprurëse të industrive, termocentraleve dhe makinave të vjetra që nuk i plotësojnë standardet ekologjike. Dhe do ta shikojmë vrasësin tonë të padukshëm në ekran.