OpEd

Dy viruset në fazë të dytë

Kushtetuesja i ka edhe dy javë për të vendosur, porse edhe do të mund ta shtynte vendimin për ndonjë kohë tjetër, ashtu siç ka bërë me çështjen e Ligjit të pagave. Ndërkohë, trysnia ndaj saj do të rritet, qoftë me konferencat për shtyp të Thaçit, qoftë me ushtrimet për protesta në kohë distancimi social që po mbahen kohë pas kohe në shesh.

Puna me koronën po hyn në fazën e dytë, pas dy muajve të plota masash karantinimi e kujdesi. Edhe në fund të kësaj jave jemi nën njëmijë raste të konfirmuara zyrtarisht, numri i të shëruarve është mbi 73%, kurse ai i vdekurve ka arritur në 29.

Një nga infektologët që ka qenë i përfshirë që nga fillimi i pandemisë në klinikë, e komentoi se si pandemia mund të zgjasë rreth 80 ditë dhe më pas moti do të ndikojë në uljen e intensitetit. Porse kjo në asnjë formë nuk do të thotë se rreziku kaloi. Përkundrazi, duhet përgatitur për valën e dytë - kurdo që ajo do të mund të shfaqej dikur gjatë vitit.

Mbase është herët për t'u gëzuar se gjërat do të mund të lëviznin para, posaçërisht në ekonominë tonë edhe ashtu të dërrmuar. Mbase, ngase Kosova qe dy muaj ballafaqohet me dy viruse dhe do të duhen bile edhe dy javë të dihet se sa i fuqishëm është ndikimi i virusit Hashim te Gjykata Kushtetuese.

Shfaqja për qejf

Pas dy javësh pauze, dje na doli në konferencë shtypi kryetari i shtetit. Doli për të kërkuar përgjegjësi nga "grupi i Kurtit", siç e quajti ai, për vetëvrasjen e të riut gjilanas në konviktet e studentëve para dy javësh.

Ende nuk ka raport zyrtar për atë se si u kthye ky i ri nga Gjermania e as se përse pas një dite qëndrimi në konvikte vendosi të hidhej nga katet e larta. Konjufca e tha se për kthimin e të riut kishte intervenuar Lutfi Haziri te ambasadori Cufaj dhe se dokumentet përcjellëse për këtë djalosh kishin ardhur të nesërmen pas ngjarjes. Konjufca e tha se në aeroport djaloshi kishte deklaruar se nuk kishte probleme shëndetësore dhe për pasojë, ishte dërguar në karantinë.

E keqja më e madhe në këtë rast është se u humb një jetë. E keqja e dytë është se pushteti nuk del me raport për rastin për t'i sqaruar rrethanat e kthimit dhe vendosjes së tij në konvikt. Dhe për të vërtetuar përgjegjësinë, edhe penale po qe se ajo ekziston, për humbjen e një jete në këtë mënyrë.

Pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së një raporti të këtillë është edhe cirku të cilin e organizon Thaçi që qartazi merr rolin e gjykatësit dhe kërkon shkarkime pas fajësimit të anëtarëve të Qeverisë. Thjesht ka mundur ta kufizonte kërkesën për dorëheqje për shkaqe morale.

Për më zi, si "simboli i unitetit" tregon mospërfillje ndaj Kushtetutës, duke mos iu referuar qeverisë në detyrë si të tillë, sepse ashtu duhet të quhet deri në vendimin e ri të Kushtetueses, por e quan "grupi i Kurtit". Për qejf, natyrisht.

Po në atë konferencë për shtyp, ia shtrojnë një pyetje se përse e shkel karantinën dhe pse e viziton një objekt hotelier, duke ditur se ai do të duhej të qëndronte i mbyllur, përgjigjet me: Kushtetuesja i ka shpallur këto masa antikushtetuese dhe unë nuk i respektoj. Por, puna është që këto masa nuk janë shpallur antikushtetuese kur janë ndërmarrë për së dyti me vendime të veçanta komunë për komunë - prandaj në fakt atë që e ka bërë Thaçi ka qenë shkelje e ligjit. Për më tepër, në atë konferencë ka thënë se i përcjell rekomandimet e IKSHP-së dhe për qejf, ka rrejt - për shkak se ministria e Shëndetësisë i ka marrë këto vendime në bashkëpunim me IKSHP-në.

Por, nuk është për t'u çuditur: një njeri që rren sistematikisht, mendon se e gjithë dynjaja rren dhe për pasojë, të gjithë u besojnë rrenave të tij.

Porse ja, ky na është kryetari i shtetit, shkelës i rregullave të karantinës dhe të mbajtjes së distancës - sepse në video shihet i ngjitur për një njeri që ia mban çadrën, pa maska asnjëri dhe pa dorëza mbajtësi i çadrës, se Thaçi i mban duart në xhepa. Nuk e di bile nëse në ditën kur është bërë xhirimi ka pasur edhe shi... po nejse.

Presioni

Pra, kjo konferencë e djeshme në fakt është presion publik dhe propagandë përçmuese ndaj përfaqësuesve të Qeverisë në detyrë. Është edhe shmangie e vëmendjes nga lëmshi në të cilin na ka futur me injorancën dhe arrogancën tij kur vendosi të negocionte gjithçka me Vuçiqin. E se punët janë të komplikuara, të koklavitura, të fshehta dhe me bishta,e dëshmon titulli i një shkrimi të botuar javën që shkoi:

Rusia e lë hapur mundësinë e ndarjes së Kosovës

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harçenko, ka thënë se zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përmes miratimit të një rezolute të re, e cila do ta zëvendësonte Rezolutën 1244. I pyetur për mundësinë që Rusia të kyçet zyrtarisht në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, ai tha se për “bashkëngjitjen (e Rusisë) para së gjithash, duhet një ftesë nga Beogradi”.

Natyrisht se Rusia nuk rri duarkryq, e as Serbia e cila e luan maestralisht lojën - ngreh e mos këput me Evropën, e këndej merr përkrahje nga Rusia, nga Kina dhe shtetet arabe sipas nevojës. E në Kosovë, luajmë rrëzime qeverish në kohë pandemie dhe për këtë punë i angazhojmë piunat e LDK-së, apo më saktësisht, përfaqësuesit e asaj vije të LDK-së që e zgjodhi Hashim Thaçin kryetar shteti.

Dhe kur po e mendoj më mirë, pikërisht ata që e zgjodhën Thaçin kryetar nuk është se e kanë ndonjë telashe të madhe për ta krijuar një qeveri me përfaqësues të partive që e kanë mbajtur pushtetin në Qeverinë e shkuar. Me ata që e kanë paguar një "ekspert" madje 6 mijë euro në muaj, kanë keqpërdorur tenderë për vepra memoriale dhe kanë bërë keqpërdorime të parasë publike duke u dhënë para OJQ-ve të caktuara dhe disa organizimeve kot të Rexhep Hotit. Të mos flasim për katastrofën në arsim dhe në infrastrukturë, që lëre që e shterën buxhetin, por na lanë edhe pa para në fondin rezervë.

Bisedimet mes LDK-së dhe partnerëve të koalicionit të ardhshëm të mundshëm po vazhdojnë dhe copëzat që po dalin në opinion, po e tregojnë një ndryshim qëndrimi të LDK-së ndaj shumë pikave që i kishte pasur pjesë të programit qeverisës deri para thuajse dy muajve. Natyrisht se ndryshimi i qëndrimit nuk tregon për konsistencë. Nuk tregon as për sinqeritet. Tregon për interes.

E interesi i LDK-së është që ta marrë kryeministrinë mu tash dhe t'u shmanget zgjedhjeve - duke shpresuar se Kushtetuesja nuk do ta shpallë antikushtetues dekretin e Thaçit për emërimin e Hotit për mandatar. Për shkak se vetë LDK-ja e di se me prishjen e koalicionit me VV-në, me taborrizimin e vet përbrenda, ka humbur përkrahje të atyre që u besuan kur thoshin BESO.

                                                              * * *

Kushtetuesja i ka edhe dy javë për të vendosur, porse edhe do të mund ta shtynte vendimin për ndonjë kohë tjetër, ashtu siç ka bërë me çështjen e Ligjit të pagave. Ndërkohë, trysnia ndaj saj do të rritet, qoftë me konferencat për shtyp të Thaçit, qoftë me ushtrimet për protesta në kohë distancimi social që po mbahen kohë pas kohe në shesh.

Siç do të thoshte Sinani i 'Gjithologëve': "Tybe n’e paçin pasë krejt numrin e njëjtë të letërnjoftimit që me dalë tubë qashtu', po meqë mblidhen 1500 veta, vyen numër i madh policësh për t'ua kontrolluar letërnjoftimet të gjithëve dhe kalojnë ashtu, mbase edhe të pandëshkuar.

Qeveria thotë se protestat janë e drejtë e qytetarit dhe se nuk do të bëjnë pengesa, porse gjithashtu thonë se nuk janë ata që bëjnë ftesë për protesta. Ani që protesta do të organizohej, po qe se nuk shkohet në zgjedhje të reja.

Porse të mos harrojë Qeveria se qytetarët kanë edhe partitë e tjera, që gjithashtu mund të dalin në protesta për t'i kundërshtuar këto protesta.

E mandej janë edhe qytetarët e tjerë, që nuk kanë parti, e janë ngopur me politikën në përgjithësi dhe me politikën në kohë virusesh në veçanti. E po qe se edhe ata dalin të protestojnë, krejt çfarë do të arrihet është të riaktivizohet Covidi më shpejt se askund tjetër në botë.

Presim e shohim.

[email protected]