OpEd

Dështimet individuale të ekonomisë

Gjatë dekadave të fundit ekonomia ka kapërcyer nga stadi i definimit të vetes nëpërmjet pyetjeve që i shtron, në definimin e vetes sipas metodave që i përdor. Duke e kufizuar qasjen e saj në individualizmin metodologjik, ajo e ka minuar vetë përparimin e saj

Ekonomia do të mund të avanconte jashtëzakonisht nëse e zbut njërën prej supozimeve të saj më të çmuara: individualizmin metodologjik apo idenë se çdo shpjegim duhet të jetë i lidhur me individët që bëjnë vendime të ndjeshme. Kjo kërkesë e vë disiplinën në një disavantazh të pamatshëm vizavijë shkencave natyrore, për shkak se e parandalon përparimin në kuptimin e marrëdhënies midis mikros dhe makros.

Fizika i shpjegon të gjitha sjelljet me anë të vlerësimit të disa ligjeve fondamentale në nivel (shumë) mikro. Grimcat prodhojnë ngritjen e protoneve dhe neutroneve, të cilat, bashkë me elektronet i gjenerojnë atomet, duke u dhënë kësisoj hov molekulave dhe mikromolekulave, siç janë ADN-ja, gjenet dhe proteinat. Këto i prodhojnë qelizat, qeniet shumëqelizore dhe gjithë ekosistemet që jetojnë në një planet që rrotullohet përreth diellit. Në teori, diçka duhet të jetë në gjendje që ta shpjegojë gjithë këtë, duke u rikthyer në ligjet themelore të fizikës së grimcës. Në praktikë, ky vetëm që është një proces i pamundur por edhe i panevojshëm, lehtësues.

Të gjithë i dimë krejt këto nivele, ngase shkencëtarët i kanë hulumtuar dhe i kanë përshkruar në sa më shumë hollësi që është e mundur, duke ua bërë të mundur shkencëtarëve të tjerë që t’i shpjegojnë ato në aspektet e determinanteve të niveleve më të ulëta. Secila shtresë disi mund të jetë e ndërlidhur me shtresën më përfundi, krejt deri te grimcat dhe elektronet.

Ndonëse kthimi një hap prapa nuk është i lehtë, por shpesh i mundur, ecja përpara qoftë edhe për një hap është e vështirë.

Mund ta zbërthejmë një sekuencë të aminoacidit të një proteine të gjenit që kujdeset për kodimin e tij, por prapëseprapë e kemi të pamundur përcaktimin e asaj se çfarë forme tredimensionale do të marrë proteina, gjë kjo që është thelbësore për determinimin e funksionit të saj.

Që gjërat të bëhen edhe më të ndërlikuara kujdeset një fenomen i njohur si shfaqja, në të cilën karakteristika e nivelit pasues nuk ekziston në një hap të mëparshëm. Diamantet dhe grafenet, për shembull, kanë tipare shumë të ndryshme, por në aspektin kimik janë identikë. Neuronet e gjenerojnë vetëdijen, por vetëm në nivelin e miliona neuroneve të rrjetëzuara; këtë gjë kurrë nuk do të mund ta qëllonim vetëm duke shikuar përbrenda neuronit.

Krahasojeni gjithë këtë me ekonominë e së sotmes. Individualizmi metodologjik kërkon që të gjitha fenomenet në fund të shpjegohen në aspektin e individëve që i marrin vendimet për të cilat kanë arsye të forta që t’i marrin. Studimi i rregullsive në të dhënat agregate – gjë kjo tipike për makroekonominë e para viteve 1970 – është prandaj gjë jo fort interesante po qe se nuk mund të bazohet në sjelljen racionale individuale.

Siç ka argumentuar ekonomisti laureat i çmimit “Nobel”, Robert Lucas, qeveritë mund të mos i besojnë stabilitetit të këtyre rregullave po qe se i bazojnë politikat e tyre në to, ngase individët do t’u përgjigjeshin këtyre masave sipas mënyrave që do t’i minonin këto rregullime. Të dhënat mund të sugjerojnë për një shkëmbim midis inflacionit dhe papunësisë, por nëse qeveritë përpiqen që “të blejnë” më pak papunësi nëpërmjet inflacionit më të shumtë, njerëzit do të mund t’i orientonin pritshmëritë e tyre të inflacionit sipas mënyrave që do ta bënin gjithë këtë manovër të kotë.

Profesioni i ekonomisë andaj ka zhvilluar modele me themele të fuqishme mikro, të përqendruara tek individët që marrin vendime racionale dhe u përgjigjen shtysave të kuptuara mirë. Për të arritur progres nëpërmjet bindjes ndaj këtyre kërkesave, ekonomistëve iu desh që t’i thjeshtësonin apo t’i eliminonin shtresat e ndërveprimit midis rezultateve individuale apo agregate që po mundoheshin t’i shpjegonin. Një mënyrë e zakonshme për ta bërë këtë është që të supozohet se të gjithë individët janë identikë apo se janë heterogjenë në mënyra të parashikueshme. Por me të kërkuar që të gjitha shpjegimet ekonomike të jenë të bazuara në sjelljen individuale është sikur të kërkosh që ta shpjegosh ngrohjen globale me anë të fizikës kuantike.

Fatmirësisht, kjo qasje metodologjike është duke u shembur. Në nivelin mikro, ekonomia e sjelljes ka mbrojtur besimin në supozimin e racionalitetit individual. Në një sërë punimesh, Xavier Gabaix i Universitetit të Harvardit ka treguar se të gjitha parimet thelbësore si të mikro ashtu edhe të makro ekonomisë ndryshojnë shumë po qe se supozojmë se ekzistojnë kufij të racionalitetit të agjentëve. Po kështu, kolegu nga Harvardi i Gabaixit, Joseph Henrich, ka argumentuar se mënyra se si njerëzit i marrin vendimet nuk është universale, por se varet nga kultura e një shoqërie.

Ajo që e fuqizon esencën tonë është çështja e kalimit prej individëve vendimmarrës në nivel agregat. Ekonomisti jashtëzakonisht i talentuar i Harvardit, i ndjeri Emmanuel Fahri, në bashkëpunim me David Beqaee të UCLA-së, ka treguar se duhet që ta kemi në konsideratë strukturën (e pashpjeguar) input-output të prodhimit në mënyrë që t’i kuptojmë luhatjet makroekonomike: nuk mund thjeshtë ta derivojmë atë nga agjentët individualë përfaqësues.

Ngjashëm, Pol Antrasi i Harvardit (bashkë me bashkautorët) ka rikonstruktuar së fundi teorinë e tregtisë ndërkombëtare, duke supozuar se bota është e organizuar nëpërmjet zinxhirëve të vlerës globale në vend se të tregjeve standarde. Ky supozim në dukje minor e bën dallimin e madh si në teori ashtu edhe në aspektin e implikimeve të politikave tregtare. Mezi po nisim që të kuptojmë se çfarë kjo nënkupton në praktikë, ngase, krejt deri më tani, as që jemi lodhur që t’i mbledhim të dhënat e nevojshme kompani për kompani.

Shikuar nga ky këndvështrim, teoria neoklasike e rritjes ekonomike duket e çuditshme. Do të thotë se kontributi, sipas fjalëve të ekonomistit laureat të “Nobelit”, Paul Romer, do të tregojë se sa vështirë është që t’u jepet baza rritjeve afatgjate në teori. Mjerisht, teoria neoklasike ka qenë pothuajse e padobishme për çfarëdo qëllimi praktik, kryesisht për shkak se e shpërfill haptas mezo-strukturën që ekziston midis rezultatit të individëve dhe ekonomisë agregate.

Fatmirësisht, disa shkencëtarë janë munduar që t’i zbardhin këto mezo-struktura, duke i përdorur të dhënat e rrjetit shkencor dhe teknikave të tjera. Për shembull, ata i kanë identifikuar strukturat komplekse të plotësimit të aftësive dhe modelet e lidhshmërisë përbrenda dhe përreth industrive, teknologjisë dhe fushave shkencore.

Këto studime kanë treguar se mezo-strukturat kanë rëndësi për faktin se si rriten qytetet dhe shtetet, dhe se si zhvillohen teknologjitë. Duke e pasur parasysh zbatimin aktual, këto punime kanë qenë të pabotueshme në revistat ekonomike, për shkak se nuk kanë mundur të tregojnë se si këto struktura janë të lidhura me individët që marrin vendime nën shtrëngime. Ama janë publikuar në revistat prestigjioze shkencore, si “Nature” dhe “Science”, sikurse edhe në “Journal of Urban Economics” dhe në “Research Policy”. Si rezultat i kësaj, shkencëtarë të tjerë mund të shtrojnë pyetje se si ngrihen mezo-strukturat nga, le të themi, vendimmarrja individuale.

Gjatë dekadave të fundit ekonomia ka kapërcyer nga stadi i definimit të vetes nëpërmjet pyetjeve që i shtron në definimin e vetes sipas metodave që i përdor. Duke e kufizuar qasjen e saj në individualizmin metodologjik, ajo e ka minuar vetë përparimin e saj.

(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit në Venezuelë dhe ish-kryeekonomist i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim, është profesor në shkollën e qeverisjes “John F. Kennedy” pranë Universitetit të Harvardit dhe drejtor i “Growth Lab” në Harvard. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).