OpEd

Çfarë duhet t’i mësojë Kinës lufta e Ukrainës

I vetmi hap i zbatueshëm që Kina mund ta ndërmarrë për ta forcuar PLA-në është që ta rrisë transparencën në mënyrë të konsiderueshme. Sikur mbikëqyrja më e madhe mediale të lejohej në Rusi, kalbja përbrenda ushtrisë së saj do të ekspozohej – dhe mbase të adresohej – shumë kohë para se ajo ta niste një luftë të cilën nuk mund ta fitojë, të paktën jo në mënyrë të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse siç e priste Kremlini. Mësimi për presidentin kinez Xi është se zyrtarët kinezë duhet t’i hedhin më shumë dritë njërit prej institucioneve më të mbyllura të vendit, pikërisht për shkak se ata nuk ka gjasa që të jenë të kënaqur me atë që e gjejnë

Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po hyn në muajin e katërt, fundi i lojës mbetet i mjegullt. Por një gjë është e qartë: ushtria e Rusisë ka pësuar keqas nga forcat ukrainase që, në fillim të konfliktit, mendohej se nuk ishin ndonjë krahasim për të. Për Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA), e cila i ndan shumë nga mangësitë që po e cungojnë efektivitetin e Rusisë në fushëbetejë, kjo duhet të jetë një thirrje për zgjim.

Një mangësi e këtillë është korrupsioni. Prej 20 ekonomive më të mëdha të botës, Rusia renditet më së keqi në këtë fushë. Mbase nuk do të duhej të ishte befasi që ushtria ruse – e cila konsiderohej kaherë si njëra prej më të fortave në botë – është dobësuar theksueshëm nga një sërë abuzimesh. Gjykuar nga numri i gjeneralëve të lartë të arrestuar për korrupsion në Kinë gjatë dekadës së fundit, kalbja përbrenda PLA-së mund të jetë po aq e thellë.

Pak pasi që Xi Jinpingu erdhi në pushtet në nëntorin e 2012-s, ai e nisi një fushatë kundër korrupsionit që, deri në fund të 2017-s, zuri në grackë më shumë se 100 gjeneralë. Dy ish-nënkryetarë të Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), i cili e komandon PLA-në, janë arrestuar për marrje të ryshfetit në këmbim të gradimeve. Një tjetër anëtar i CMC-së vdiq si pasojë e vetëvrasjes në vitin 2017 përderisa po zhvilloheshin hetime për lidhjet e tij me nënkryetarët e turpëruar.

Dikush mund të tundohet që të mendojë se fushata e presidentit Xi e spastroi PLA-në nga korrupsioni. Por kjo nuk është e mundur, duke pasur parasysh se kushtet mundësuese – përfshirë miqësitë, mungesën e mbikëqyrjes dhe fshehtësinë – vështirë se janë çrrënjosur.

Përtej korrupsionit, PLA-ja i shfaq dobësitë e ngjashme strukturore me ato të ushtrisë ruse, përfshirë përqendrimin obsesiv në harduerë, mungesën e trajnimit që simulon kushte reale luftarake, logjistikën e dobët dhe dështimin e vazhdueshëm për të zhvilluar aftësi të përbashkëta operacionale. Njësoj sikurse ushtria ruse, PLA-ja mbështetet në një strukturë të ngurtë komanduese nga lart-poshtë që e bën të vështirë, nëse jo edhe të pamundur, që oficerët dhe ushtarët e nivelit të ulët të marrin iniciativë në mjedise luftarake.

Një tjetër dobësi kryesore e ushtrive ruse dhe kineze është politizimi. Duke qenë, në fakt, fuqimisht e ndikuar nga kultura e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, PLA-ja është edhe më e politizuar se sa ushtria ruse e ditëve të sotme.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ushtria ruse i shpëtoi kontrollit të Partisë Komuniste dhe e shfuqizoi sistemin e komisarëve politikë. Si rezultat i kësaj, politizimi tani ka karakter të personifikuar dhe u ngjason sistemeve tipike të patronazhit, në kuadër të së cilave individë të pakualifikuar emërohen në pozita të larta. Në kohë të paqes, pasojat mund të duken si të kufizuara me moralin e dobësuar. Por, siç ka mësuar Rusia në Ukrainë, lufta e ekspozon shtrirjen e paaftësisë që patronazhi e lejon.

Kjo nuk është gjë e mirë për Kinën. PLA-ja është nën kontrollin e plotë të Partisë Komuniste të Kinës dhe misioni i saj parësor është që ta mbrojë monopolin politik të partisë. Sistemi i komisarit politik, i krijuar nga Leon Trotsky, kur ai e themeloi Ushtrinë e Kuqe, është shëndosh e gjallë në Kinë, me anë të emërimit dhe promovimit të oficerëve të PLA-së që përcaktohen jo shkaku i kualifikimeve të tyre profesionale por gjithashtu nga besnikëria e tyre e supozuar për Partinë. Madje, edhe oficerët më të ulët në gradë i nënshtrohen vettingut politik para se të marrin pëlqimin. Rezultati i kësaj është një strukturë e ndërlikuar me komandë të dyfishtë, e cila mund ta cungojë aftësinë e ushtarëve profesionistë të PLA-së për të luftuar në mënyrë efektive nëpër beteja, siç bëri me Ushtrinë e Kuqe në ditët e hershme të pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dobësi kryesore dhe e fundit që e ndajnë ushtria ruse dhe PLA-ja është mungesa e përvojës luftarake. Gjatë tri dekadave të fundit, ushtria e Rusisë ka zhvilluar vetëm luftëra relativisht të vogla në Çeçeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe në Siri. Ky fakt është e qartë se nuk e ka përgatitur atë për ta pushtuar të gjithë Ukrainën, siç demonstrohet nga vendimi i saj i fundit për t’i ngushtuar përqendrimin dhe objektivat e saj në rajonin lindor të Donbasit.

Edhe në këtë pikë, Kina qëndron më keq. Ushtria kineze nuk ka zhvilluar ndonjë betejë të vërtetë që nga lufta e saj katastrofike kufitare me Vietnamin në vitin 1979. Andaj, përderisa ajo ka investuar majmë në modernizimin ushtarak që nga fillimi i viteve 90’, kompetenca dhe aftësitë e PLA-së në betejë mbeten të paprovuara.

Nëse Rusia ka kaluar kaq dobët në Ukrainë, atëherë si mundet që PLA-ja – dobësitë e së cilës, përfshirë politizimin dhe mungesën e përvojës luftarake, janë edhe më të theksuara – të presë që ta fitojë një luftë sot, veçmas një konflikt në shkallë të gjerë që i tërheq fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara? Reformat strukturore, adekuate për t’i adresuar dobësitë më të theksueshme të PLA-së, do të jenë të vështira, nëse jo edhe të pamundura, për t'u zbatuar. Depolitizimi i ushtrisë do të detyronte eliminimin e pranisë organizative të Partisë Komuniste, si dhe shfuqizimin e sistemit të komisarit politik, e asnjëri prej tyre as që është në kartë. Dhe përfitimi i përvojës së vërtetë luftarake në kohë paqeje është jopraktike.

I vetmi hap i zbatueshëm që Kina mund ta ndërmarrë për ta forcuar PLA-në është që ta rrisë transparencën në mënyrë të konsiderueshme. Sikur mbikëqyrja më e madhe mediale të lejohej në Rusi, kalbja përbrenda ushtrisë së saj do të ekspozohej – dhe mbase të adresohej – shumë kohë para se ajo ta niste një luftë të cilën nuk mund ta fitojë, të paktën jo në mënyrë të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse siç e priste Kremlini. Mësimi për presidentin kinez Xi është se zyrtarët kinezë duhet t’i hedhin më shumë dritë njërit prej institucioneve më të mbyllura të vendit, pikërisht për shkak se ata nuk ka gjasa që të jenë të kënaqur me atë që e gjejnë.

(Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).