OpEd

Botës i duhet një vit kthese

E vërteta e madhe që ka dalë nga pandemia e koronavirusit është se askush, askund, nuk është i sigurt nga COVID-19 derisa të gjithë, kudo, të jenë të sigurt. Hapi i parë, i cili do ta shpaguajë shumë herë veten është sigurimi i vaksinimit masiv në çdo vend të prekur. Mbështetja nga G7-a dhe G20-a, që vaksinat të jenë lehtësisht të qasshme në të gjitha vendet e varfra dhe me të ardhura të mesme, nuk është një akt bamirësie; është në interesin strategjik të të gjithëve. Në të vërtetë Fondi Monetar Ndërkombëtar beson se një mbështetje e tillë do të ishte investimi më i mirë publik i bërë ndonjëherë

Viti i sivjetmë duhet të shënojë pikën e kthesës globale. Edhe nëse bashkëpunimi ndërkombëtar ka dështuar shpesh gjatë vitit 2020, ne tani e kemi një mundësi dhe përgjegjësi – që të fillojmë një epokë të re në të cilën është e mundshme një botë më e shëndetshme, më e gjelbër, më e sigurt dhe më e drejtë.

E vërteta e madhe që ka dalë nga pandemia e koronavirusit është se askush, askund, nuk është i sigurt nga COVID-19 derisa të gjithë, kudo, të jenë të sigurt. Hapi i parë, i cili do ta shpaguajë shumë herë veten, është sigurimi i vaksinimit masiv në çdo vend të prekur. Mbështetja nga G7-a dhe G20-a që vaksinat të jenë lehtësisht të qasshme në të gjitha vendet e varfra dhe me të ardhura të mesme nuk është një akt bamirësie; është në interesin strategjik të të gjithëve. Në të vërtetë, Fondi Monetar Ndërkombëtar beson se një mbështetje e tillë do të ishte investimi më i mirë publik i bërë ndonjëherë.

Në samitin e G7-s këtë javë në Cornwall vendet anëtare dhe të ftuarit e tyre duhet të vënë shembull, duke garantuar që të paguajnë 67 për qind të fondeve të kërkuara për Përshpejtuesin e Qasjes në Mjetet e COVID-19, sivjet dhe vitin tjetër.

Kjo bazohet në një qasje të drejtë të financimit dhe në një formulë të ndarjes së barrës financiare, të propozuar nga qeveritë e Norvegjisë dhe Afrikës së Jugut, dhe pasqyron një vlerësim real të aftësisë së vendeve për të paguar.

G7-ja duhet që gjithashtu të vërë shembull rreth ndarjes së dozave dhe marrëveshjeve vullnetare të licencimit, duke përfshirë potencialisht heqjen e përkohshme të patentave, gjë që do ta mundësonte transferimin e njohurive dhe teknologjisë së nevojshme për prodhimin e vaksinave në çdo kontinent.

Për më tepër, institucioneve financiare shumëpalëshe dhe rajonale të botës duhet t’u kërkohet të vënë në dispozicion burime të reja financimi për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për ta forcuar kapacitetin e sistemeve të tyre shëndetësore. Dhe ata gjithashtu duhet ta mbështesin zbatimin e rekomandimeve të hollësishme të raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Paneli i Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin Pandemik.

Rreshtimi i politikës ekonomike globale do të jetë thelbësor në rindërtimin e ekonomisë botërore pas pandemisë. Ne ishim me fat që gjatë vitit të kaluar, në fazën fillestare të rimëkëmbjes nga COVID-19, shumica e vendeve ndoqën politika të ngjashme, duke rezultuar me një nivel të pranueshëm të shtrirjes. Ajo që na duhet tani është një plan global i rritjes, me ndërhyrje të koordinuara monetare dhe fiskale, për ta parandaluar një rimëkëmbje të pabarabartë dhe të çekuilibruar - dhe për të siguruar një të ardhme më gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe më të gjelbër. Për shembull, propozimet e FMN-së për një shtytje të sinkronizuar të infrastrukturës, përfshirë infrastrukturën e gjelbër në të gjitha kontinentet, nëse miratohen nga G7-a dhe G20-a, do ta rrisnin prodhimin ekonomik global në dy biliardë dollarë, të parashikuar deri në vitin 2025.

G20-a dhe G7-a duhet gjithashtu ta adresojnë divergjencën në rritje, të shkaktuar nga ndryshimet në rezultatet shëndetësore dhe qasjet e pakoordinuara të politikave makroekonomike. Teksa ekonomitë më të përparuara mund të shohin përpara për një rritje të fortë dhe vaksina gjerësisht në dispozicion, shumica e botës në zhvillim duhet të përballet me valët e reja dhe variantet e reja të virusit. Pas një rikuperimi të ngadaltë në tregtinë globale dhe investimeve të huaja direkte, shumë vende përballen me rritjen e borxhit dhe rënien e të ardhurave nga taksat, si dhe me rënien e flukseve të ndihmës.

Me 150 milionë më shumë njerëz në varfëri shkaku i COVID-19, dhe me shkurtime të përhapura në buxhetet e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, pandemia mund ta ketë vonuar progresin drejt Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të vitit 2030 deri në pesë vjet, me vajzat dhe gratë më të goditura. Ne i bëjmë thirrje G7-s ta shtrijë iniciativën mbi arsimin e vajzave dhe ta mbështesë planin e UNICEF-it për lidhje digjitale, që e siguron përfshirjen e të gjithë të rinjve.

G7-a dhe G20-a mund të ndihmojnë për t’i kapërcyer boshllëqet e financimit, me të cilat përballen vendet e pambrojtura dhe të veprojnë për të hapur një rrugë të qëndrueshme drejt SDG-ve. Një gjë e tillë do të lypte që bankat multilaterale të zhvillimit të vendosnin më shumë financa, në mënyrë më efikase, duke optimizuar bilancet e tyre dhe duke rishikuar kornizën e tyre të mjaftueshmërisë së kapitalit, siç është kërkuar tashmë nga G20 dhe të marrin në konsideratë rimbursimin. Në këtë drejtim ne duhet të shqyrtojmë instrumente të reja, të bazuara në garanci për të grumbulluar financat e sektorit privat për shëndetin, arsimin dhe rrjetet e sigurimeve shoqërore, dhe ne duhet të bëjmë përparim në marrëveshjet ndërkombëtare për ta kufizuar shmangien e taksave të tilla si norma minimale globale, që në kohët e fundit janë mbështetur nga ministrat e financave të G7-s.

Për më tepër, duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar qëndrueshmëri të borxhit për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kjo do të thotë shtrirje e Nismës së Pezullimit të Shlyerjes të Borxhit të G20 dhe inkurajim i pjesëmarrjes më të gjerë nga kreditorët privatë dhe ndoshta nga kreditorët zyrtarë jo-G20, në Kuadrin e ri të Përbashkët për Trajtimet e Borxhit. Suksesi do të varet nga transparenca më e madhe nga ana e debitorëve dhe kreditorëve.

Ky vit është gjithashtu thelbësor për përparimin drejt arritjes së pikës zero deri më 2050, kur është në pyetje lirimi i dyoksidit të karbonit. Në prag të samitit të Kombeve të Bashkuara për klimën (COP26) në Glasgow këtë nëntor, vendet e G-së dhe G20-s duhet të shpallin zotime të guximshme kombëtare. Këto shtete duhet t’u kërkojnë kompanive të zbulojnë gjurmët e tyre të karbonit, ta dorëzojnë fondin e propozuar për zbutjen dhe përshtatjen në vendet me të ardhura të ulëta, si dhe të sigurojnë që planet e tyre të rimëkëmbjes ekonomike do të rrisin burimet e ripërtërishme dhe infrastrukturën e gjelbër.

Kjo nuk është një detyrë vetëm për qeveritë. Firmat, qytetet dhe institucionet shumëpalëshe, që të gjitha duhet të jenë në qendër të përpjekjeve për të arritur emisione zero-zero deri në mes të shekullit. Dhe, ashtu si me rimëkëmbjen globale paspandemike, përpjekjet e koordinuara dhe të domosdoshme duhet të bëhen preras këtë vit.

(Graça Machel është themelues i Trustit “Graça Machel”. Helen Clark, ish-kryeministre e Zelandës së Re, është kryesuese e Bordit të Grave në Politikë. Mary Robinson është ish-presidente e Irlandës. Ban Ki-moon është sekretar i përgjithshëm i OKB-së, derisa Gordon Brown, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)