Më shumë se shteteve të tjera të rajonit, Kosovës i duhet një debat për mbrojtjen e ambientit dhe projekte për energji të pastër. Termocentralet e Kosovës janë, pjesërisht, bomba me sahat. Rreziku për t'u sëmurë nga kanceri në Prishtinë është tri herë më i lartë se në pjesët e tjera të Kosovës. Gjumi, dembelia dhe mospërfillja e problemit nga politika do t'u hakmerren keq gjeneratave të ardhshme
Në Glasgow është duke u mbajtur Konferenca e OKB-së për Klimën. Çuditërisht në Kosovë s’ka pothuaj asnjë debat për mbrojtjen e ambientit. Jo vetëm kjo konferencë në Skocinë e largët do të duhej të ishte rast i mirëseardhur për të hapur një debat të gjerë publik mbi mbrojtjen e ambientit. Nëse shikohen programet e partive politike kosovare, pjesa për mbrojtjen e ambientit është kryesisht një grumbull fjalësh banale, pa asnjë plan konkret.
Të enjten që shkoi mbi 40 shtete përkrahën një deklaratë për t’i thënë lamtumirë qymyrit. Këto shtete nuk duan të investojnë më në termocentrale me qymyr dhe - hap pas hapi - duan t'i heqin nga përdorimi termocentralet e tyre. Mes shteteve nënshkruese janë edhe Polonia, Ukraina, Indonezia, Vietnami dhe Koreja e Jugut - të gjitha këto janë shtete që prodhojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike nga centralet me qymyr.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit për Klimën (më 2015) janë stopuar 76 për qind e projekteve të planifikuara me qymyr (sipas të dhënave të Qeverisë britanike). Në vitet 2030 shtetet industriale duan të heqin dorë nga qymyri, në vitet 2040 këtë hap pritet ta bëjnë edhe shtetet në zhvillim e sipër. Kina, India dhe SHBA-ja nuk e kanë nënshkruar deklaratën për heqje dorë nga qymyri ne vendet e tyre, por kanë premtuar se nuk do të japin para për ndërtimin e termocentraleve në botën e jashtme. Edhe në samitin e sapopërfunduar të G-20-shes në Romë, 20 shtetet më të mëdha industriale dhe shtetet që janë në rrugë e sipër për t’u bërë industriale u morën vesh që nga fundi i këtij viti të mos financojnë më projekte energjetike me qymyr.
Po të enjten e kaluar në Glasgow u bë e ditur një deklaratë tjetër, e cila ka rëndësi të posaçme në kontekstin kosovar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me mbi 20 shtete të tjera, mes tyre edhe Zvicra, nënshkruan një deklaratë përmes së cilës obligohen që nga viti 2023 të mos financojnë në botën e jashtme projekte për prodhim të energjisë me qymyr dhe të mos japin asnjë cent për projekte për nxjerrjen e naftës dhe gazit.
Bota po përshëndetet me qymyrin. E Kosova? Më shumë se shteteve të tjera të rajonit, Kosovës i duhet një debat për mbrojtjen e ambientit dhe projekte për energji të pastër. Termocentralet e Kosovës janë, pjesërisht, bomba me sahat. Rreziku për t’u sëmurë nga kanceri në Prishtinë është tri herë më i lartë se në pjesët e tjera të Kosovës. Gjumi, dembelia dhe mospërfillja e problemit nga politika do t’u hakmerren keq gjeneratave të ardhshme. Ndërsa në Glasgow shumë shtete janë marrë vesh që të ndërpritet prerja e pyjeve dhe në pesë vjetët e ardhshëm të vihen në dispozicion dhjetë miliardë euro, në Kosovë shkatërrimi i pyjeve është përditshmëri prej vitesh.
Ndotësi më i madh i ambientit afër Prishtinës mbetet termocentrali “Kosova A”. Nga ekspertët ky termocentral madje klasifikohet si i rrezikshëm. Pas një shpërthimi në vitin 2014 patën vdekur dy punëtorë, 30 qenë lënduar.
Pasuria e madhe e Kosovës me thëngjill është sa bekim po aq edhe mallkim. Kosova është vendi i katërt në botë me rezerva qymyri (rreth 12 miliardë tonelata). Plani për ndërtimin e një termocentrali të ri nga konsorciumi amerikan “Contour Global” ka dështuar dhe ky dështim në shikim të parë mund të jetë lajm i mirë. Por problemi i furnizimit afatgjatë të Kosovës me energji nuk është zgjidhur. Sipas një studimi të mëhershëm të USAID-it, agjencisë ndërkombëtare amerikane për zhvillim, gjeneratorët e rrymës, ndërprerja e prodhimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe defektet në makineri u kushtojnë ndërmarrjeve kosovare mbi 400 milionë euro në vit.
Mbrojtja e ambientit, siguria energjetike, investimet strategjike në projekte për energji të ripërtritshme, krijimi i infrastrukturës hekurudhore janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Sa i përket infrastrukturës hekurudhore, qe një ide jo vetëm për Qeverinë e Kosovës.
A mund të zhvillohet një debat publik mbi modernizimin e linjës hekurudhore mes Pejës dhe Prishtinës? Natyrisht pa e anashkaluar rrugën në ndërtim e sipër. Vija hekurudhore mes Pejës dhe Prishtinës është 85 kilometra e gjatë. Aktualisht trenit të vjetër i duhen mbi dy orë nga Prishtina në Pejë. Për vetëm 85 kilometra!
Tash le ta paramendojmë këtë vizion:
Në një hekurudhë moderne, një treni modern nga Prishtina në Pejë do t’i duheshin mes 40 deri 50 minuta. Pra, nisesh nga Peja në orën 07:00 të mëngjesit dhe më së largu në orën 07:50 arrin në qendër të Prishtinës. Nisesh nga Prishtina në orën 18:00 dhe më së largu në orën 18:50 arrin në Pejë.
Përparësitë e udhëtimit me tren janë të jashtëzakonshme:
- mbrojtja e ambientit
- mundësia për të punuar në tren
- shpëtimi nga kolonat shpeshherë të tmerrshme në trafik
- shpejtësia nga destinacioni në cak.
Çka duhet të bëhet?
Për shembull: Qeveria e Kosovës vendos kontakte me firmën zvicerane “Stadler Rail”. E fton për vizitë në Kosovë shefin e kësaj firme Peter Spuhler. I kërkon një ofertë. Lufton Qeveria për fonde të BE-së dhe për kredi të volitshme. “Stadler Rail” ka përvojë në shumë vende të botës në modernizimin e transportit publik.
Ditë më parë “Stadler Rail” ua dorëzoi hekurudhave të Serbisë trenin që mund të ecë me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë. Nga marsi trenit zviceran do t’i duhen 30 minuta për të lidhur Beogradin me Novi-Sadin (distanca mes dy qyteteve 95 kilometra). Në ceremoninë e dorëzimit të trenit modern ishin të pranishëm Peter Spuhler dhe ambasadori zviceran në Serbi. Natyrisht edhe kryetari i Serbisë, A. Vuçiq, ka diskutuar me firmën zvicerane edhe për hapjen e një fabrike transformatorësh në Serbi. I ka pritur në Serbi shefin e “Stadler Rail” dhe të birin e tij dhe përfaqësues të tjerë.
E Kosova? Kosova nuk i ka trokitur kurrë në derë asnjë firme të madhe zvicerane. Qeveritë e deritanishme të Kosovës kanë qenë të zëna me “punë të tjera”. Do të ishte e tmerrshme nëse këtë qasje e vazhdon edhe Qeveria e tanishme.
Qe edhe një shembull tjetër:
Vija hekurudhore mes Zürichut dhe Bernit është 106 kilometra e gjatë. Treni e kalon për 59 minuta.