OpEd

Befasitë e Joe Bidenit

Pas “Götterdämmerung”-ut të Presidencës Trump, duket si një konstatim i paramenduar se mandati i Bidenit do të jetë lodhshëm. Deri më tani – dhe të jeni të sigurt se është ende tepër herët – presidenca Biden po del të jetë shumë më interesante dhe më befasuese sesa që pritej

Washington, 29 janar – Joe Bideni di mjaftueshëm për presidencën amerikane sa të kuptojë se javët e para të punës janë më të kollajshmet dhe më të këndshmet. S’do mend se do të ketë telashe dhe kriza, veçanërisht për një president që detyrën e mori midis të një pandemie në përkeqësim, kolapsit ekonomik dhe krizës klimatike afër pikës së vlimit.

Në javët e fillimit, një president mund të arrijë shumë nëpërmjet urdhrave ekzekutivë, duke i përmbysur politikat e administratës së mëparshme dhe duke e sinjalizuar zotimin për vlera të caktuara, pa ndërhyrjen nga Kongresi. Bideni mund t’i shfrytëzojë kompetencat e zyrës së tij për ta çuar përpara unilateralisht prioritetin numër një: kontrollimin e pandemisë.

Presidenti i ka gjithashtu goxha duart e lira për t’i caktuar emrat në kabinetin e tij. Kur i shpalosi në fillim të përzgjedhurit e tij për t’i mbushur postet kryesore këshilluese dhe në kabinet, shumë vëzhgues shprehën shqetësimin se Bideni po u kthehet emrave të djeshëm për menaxhimin e posteve më kërkuese të së sotmes. Bideni po vë bast në përvojën, si çelësin e tij drejt suksesit.

Sidoqoftë, theksi i ekipit të Bidenit vënë tek diversiteti i kabinetit nganjëherë ka bërë që të duket sikur është më me rëndësi të mund të thuhet se një i nominuar është “i pari” në diçka se sa që ai apo ajo është më i miri për këtë punë. Megjithëkëtë, Bideni ka zgjedhur në përgjithësi një kabinet kompetent; vetëm pas periudhës shkundëse do të jemi në gjendje të dimë se cili nga të përzgjedhurit ka pasur sukses.

Nominimi i gjyqtarit të Gjykatës Federale amerikane të Apelit, Merrick Garland, për prokuror të përgjithshëm në shikim të parë duket të jetë bërë kryekëput për “inat” të liderit republikan të Senatit, Mitch McConnell, i cili kishte refuzuar madje t’i lejonte seancat dëgjimore për Garlandin, kur Barack Obama e kishte përzgjedhur për ta mbajtur postin vakant në Gjykatën Supreme.

Megjithatë, për ata që e njohin mirë Garlandin, ai është një përzgjedhje e mrekullueshme: burrë i shkëlqyer, i qetë dhe i drejtë – pra pikërisht ai që mund ta rikthejë integritetin dhe moralin në Departamentin e Drejtësisë që është lëkundur gjatë Donald Trumpit.

Po kështu, kryeshefi i stafit të Bidenit, Ron Klain, ka pothuajse aq përvojë sa vetë shefi i tij, meqë ka shërbyer si shef i stafit të Bidenit gjatë mandatit të tij nënpresidencial, por para kësaj edhe në atë të nënpresidentit Al Gore. Kjo marrëdhënie komode e punës ka ndihmuar Bidenin që të mos e hedhë ndonjë hap të gabuar deri më tani.

Një e vërtetë historike është se fytyrat e reja në Zyrën Ovale mund të jenë ngazëllim, ama ato ngërthejnë në vete edhe rreziqe. Pas përafërsisht tre muajsh në detyrë, John F. Kenney relativisht i papërvojë, por i admiruar gjithmbarshëm për pamjen, sharmin dhe elokuencën e tij, u fut në okupimin katastrofal në Kubë.

George W. Bushi, i biri i një presidenti dhe guvernator për dy mandate i Texasit, ishte mbase kreu më me përvojë prej të gjithë kryesuesve të deriatëhershëm të Shtëpisë së Bardhë. Megjithëkëtë, ai u priu qysh në fillim dy fatkeqësive të shmangshme: sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-s (paralajmërime të shumta dhe të dhëna veçse ishin bërë), dhe okupimin e Irakut (i cili, sikurse lufta e Lyndon Johnsonit në Vietnam, ishte bazuar mbi një gënjeshtër).

Presidentët Jimmy Carter dhe Bill Clinton, që të dy ish-guvernatorë jugorë, ishin burra të mençur, me përvojë të kufizuar në Washington. Edhe ata patën telashe në fazë të hershme. Dhe Obama kishte shërbyer vetëm për tre vjet në Senatin amerikan para se të zgjidhej president; ai as që kishte pasur punë me Kongresin dhe as nuk kishte ndonjë farë ndjenje të madhe për të.

Marrëdhënia e Bidenit me Obaman dhe trashëgiminë e tij janë më të ndërlikuara sesa që sugjerohet në shikim të parë. Ndonëse Obama zemëronte shumë demokratë në Capitoll Hill me vëmendshmërinë e tij të lindur dhe gatishmërinë për të bërë kompromise me republikanët (demokratët liberalë madje i referoheshin privatisht si “Z. Distanca 50-metërshe”), Bideni qëllimisht i përshkruan propozimet e tija si “të guximshme”.

Propozimet e tija për imigracionin i kundërshtojnë politikat e Obamas për ndjekjen e linjës thelbësore të deportimit të imigrantëve ilegalë. Mesazhi duket të jetë se Bideni nuk dëshiron më që të qëndrojë nën hijen e Obamas.

Pasi të ketë shërbyer për katër dekada në Senat para se të zgjidhej nënpresident, Bideni ka për Kongresin ndjenja të pashembullta që prej Johnsonit. Por prapë, nuk do të shkojë shumë kohë para se të gjithë ne të mësojmë nëse krejt muhabetet e tija për bashkëpunim me republikanët bazohen në naivitetin e tij nostalgjik apo janë një mënyrë e mençur për t’i diskredituar republikanët po qe se ata përpiqen që t’i pengojnë propozimet e tija. Dhe pengesat duken se janë të mundshme.

McConnelli mund ta ketë parë në fund të fundit se mohimi i Trumpit për humbjen e zgjedhjeve nuk po i sillte ndonjë të mirë Partisë Republikane, por kjo nuk do të thotë se ai do të bëhet një kundërshtar më pak i ashpër.

Bideni është duke e luajtur një lojë të sofistikuar edhe me të majtën e partisë së tij. Ai ia ka dalë ta formojë një Qeveri pa u ofruar vende pune senatorëve Elizabeth Warren apo Bernie Sanders, megjithëse që të dy kanë shprehur zotime për t’iu bashkuar kabinetit të tij. Ndjekësit e Sandersit madje e kanë kërcënuar Bidenin nëse nuk ia ofron senatorit nga Vermonti vendin që e kërkonte. Bideni i ka shpjeguar veprimet e tija duke cekur – në mënyrë të përshtatshme, por të paarsyeshme – se margjinat e shumicës së demokratëve në Kongres janë tepër të ngushta për ta rrezikuar qoftë edhe një ulëse të vetme, ani pse për poste kryesore i ka zgjedhur tre anëtarët e Dhomës me sfond relativisht të sigurt demokratik.

Sandersit nuk iu deshtë shumë kohë për t’i kritikuar propozimet politike të Bidenit. Por kjo është pjesë e shfaqjes.

Alexandria Ocasio-Cortez dhe “skuadra” e saj po ashtu po e vazhdojnë presionin nga e majta, derisa Joe Manchin i Virginias Perëndimore, një shtet ky që kishte votuar me shumicë për Trumpin më 2020, paraqesin një problem për të djathtën e Bidenit. Në Senatin e ndarë 50-50 sipas vijave partiake, me nënpresidenten Kamala Harris që e prish baraspeshën, çdo votë numërohet. Megjithëkëtë, Bideni ka adoptuar pjesën më të madhe të agjendës së të majtës dhe do të mundohet që t’i shesë këto politika prej qendrës, bazës së tij politike.

Një shenjë e këtij ndryshimi është se, për dallim prej administratave të fundit demokratike, Bideni nuk i është përulur Wall Streetit, duke ua ofruar bankierëve postet kyç.

Sekretarja e re e Thesarit, Janet Yellen, është ish-shefe e Rezervave Federale dhe akademike që ka bërë të qartë se i kupton nevojat shtypëse sociale të vendit. Për më tepër, Bideni është këshilluar me Warrenin lidhur me qëndrimet e saja ekonomike dhe ka emëruar një ish-këshilltar të Warrenit për zëvendës të Yellenit. Emërimi i Yellenit demonstron se Bideni e ndan mendjehollësinë që e mundësoi ngritjen e Trumpit: se përherë e më shumë amerikanë mendojnë se nuk po munden ta marrin hisenë e drejtë që u takon.

Pas “Götterdämmerung”-ut të Presidencës Trump, duket si një konstatim i paramenduar se mandati i Bidenit do të jetë i lodhshëm. Deri më tani – dhe të jeni të sigurt se është ende tepër herët – Presidenca Biden po del të jetë shumë më interesante dhe më befasuese sesa që pritej.

(Elizabeth Drew është gazetare nga Washingtoni dhe autore e librit më të fundit “Washington Journal: Reporting Watergate and Richard Nixon’s Downfall”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).