PDK-ja së fundmi është kapluar nga altruizmi partiak. Si duket është ajo aroma e blirit në qytet. Tashmë edhe kam dyshimet e mia të para se është aromë bliri. Dyshoj mos erërat e kanë bartur polenin e atyre bimëve të Lazaratit dhe nga nxehtësia përcëlluese ato po i lirojnë aromat e tyre psikodelike.
Edhe me gjithë vapën përcëlluese, Prishtina e këtyre ditëve, qoftë herët në mëngjes, qoftë dikur në mbrëmje, mban erë bliri. Edhe aromat janë një nga ato, të cilat e kanë aftësinë që njeriun ta bëjnë që të udhëtojë në kohë.
Këtë aromë bliri rrugës kryesore të Prishtinës së atëhershme apo sheshit “Nëna Terezë” sot e kam thellë të ngulitur në kokën time.
Por t’u kthehem kabllogrameve diplomatike. Këtu më duhet që t’i arsyetoj njerëzit, të cilët këtu merren aq pak me përditshmërinë e Kosovës. E keni parë që kurbetçinjtë janë ata, të cilët e vërshojnë Facebookun me statuse politike, kritika ndaj pushtetit, partive politike, njerëzve në politikë, ngjarjeve dhe dukurive shoqërore.
Si duket në kurbet kohën e paskan tepricë. Në Kosovë njerëzit janë tejet të zënë. Punët, biznesi e mbijetesa nuk i lejojnë njerëzit që as kokën e tyre ta ngrenë lart, nuk u premton koha. Besoj se edhe atë aromën e blirit në qytet nuk e regjistrojnë me shqisat e tyre të të nuhaturit, sepse edhe ato janë të zëna me të tjera prioritete.
Atë pakëz kohë të lirë apo, thënë më saktë, ato pak minuta kohë të lirë preokupimi kanë të bëjnë me përgatitjet për pushimin veror.
Kurbetçinjtë si kurbetçinjtë. Vazhdojnë të ankohen për ajrin e pluhurosur, për trotuaret non-ekzistente të uzurpuara nga veturat e parkuara në to, për aroma kundërmuese dhe shpuese nga kontejnerët e bërllokut rreth tyre, për trafikun kaotik dhe për mosrespektim të rregullave të komunikacionit.
Ankohen për ndërtimet e larta të pakuptimta kolektive me asnjë hapësirë gjelbëruese rreth tyre, pa hapësira për lojë të fëmijëve, pa hapësira parkingu të banorëve të ardhshëm të atyre ndërtesave, pa zbrazëtira midis dy ndërtesave njëra nga tjetra. Nëse ekziston ekocidi ndërtimor/arkitektural ndaj mjedisit, ai është kryer në Prishtinë e edhe në qendrat e tjera të Kosovës nuk janë kursyer.
Mirëpo për këto gjëra ankohet kurbetçiu, sepse ka vakt. Në mendjen e tij ai e ka të ndërtuar një Kosovë tjetër. Më pas e merr një taksi 2 euro dhe del te "Shabani" për të ngrënë qebapë.
Me makiato dhe qebapë të Kosovës s’ka, veç lodhesh.
Për mua, ardhja në Kosovë kësaj radhe e pati edhe një sentiment tjetër. Ishte më shumë diçka spontane sesa diçka e planifikuar shumë më herët. U bashkuam anëtarët e grupit dhe performuam bashkë pas 15 vjetësh. Ishte një mundësi e mirë që së bashku t’i rikujtonim kohërat e kaluara, peripecitë e tjera të asaj kohe, njerëz dhe kujtime të shumta. Muzika të cilën dikur e luanim së bashku kishte ngrirë në kohë. Ajo kishte pritur që ne një ditë prapë t’i nxirrnim ato nga "harresa" dhe që t'ua përkujtonim publikut se ato ende jetojnë dhe frymojnë diku.
Dhe publiku kishte qenë i etur për ato. Këndonin së bashku me ne dhe çdo muzikant dhe grup do t'iu thoshte se ajo është ndjenja më e mirë të cilën ata mund ta përjetojnë gjatë performancave të tyre.
Aty takova edhe shokë e shoqe nga fëmijëria ime, të cilët kishte kohë që nuk i kisha parë. Sa të çiltër dhe të pafajshëm ishim atëherë, ndoshta ka të bëjë me perceptimin tim, mirëpo këtë gjeneratën time ende e shoh ashtu. Viktimë e një kohe pa kohë, e hutuar dhe e humbur në thumbimin e ngjarjeve të rënda historike që na përcollën gjatë jetës.
Nga kabllogramet diplomatike gjatë qëndrimit tim në Kosovë do ta veçoja humbjen e Erdoganit në Stamboll (për herën e dytë) dhe kësaj radhe me një dallim solid votash. Mendoj se demokracia në Turqi arriti që të kapet në vagonin e fundit, mirëpo se a do ta arrijë destinacionin e vet ky tren mbetet të shihet. Ajo që deri më tani e dimë është se lokomotivisti Erdogan më nuk mund të kalkulojë se dikush dhe diçka nuk do ta ndërrojë drejtimin e shinave të trenit aty nga qendra e kontrollit të trenave. Arritjet ekonomike të shtetit nuk ia arsyetojnë qasjen e tij autokratike të një despoti prej politikani. Edhe pse krahasimi dhe analogjia janë shumë të vrazhda dhe ndoshta të paqëndrueshme, mirëpo sa për hir të argumentit edhe Gjermania e Hitlerit ka pësuar bum dhe zhvillim enorm ekonomik nën diktaturën e tij naziste. Zhvillimi ekonomik e diktatura mund edhe të bashkëjetojnë, por zakonisht diktaturat klasike përcillen në një masë të madhe me një depresion kolektiv të shoqërisë, servilitet të skajshëm dhe ekonomi të qëndrueshme vetëm në dukje mediatike, por të kolabuar në realitetin e atij shteti.
Në Kosovë dhe në qendrat e LDK-së vazhdojnë kualifikimet për kampionatin e radhës në UFC. Karriget fluturuese dhe grushtet janë konsistente dhe talente të reja të këtij sporti fisnik zbulohen çdo ditë dhe çdo javë që e lëmë pas.
PDK-ja së fundmi është kapluar nga altruizmi partiak. Si duket është ajo aroma e blirit në qytet. Tashmë edhe kam dyshimet e mia të para se është aromë bliri. Dyshoj mos erërat e kanë bartur polenin e atyre bimëve të Lazaratit dhe nga nxehtësia përcëlluese ato po i lirojnë aromat e tyre psikodelike. Fillimisht Kadri Veseli liroi nga detyra ministrin, si dhe disa anëtarë të tjerë të Qeverisë nga radhët e PDK-së, me arsyen se ndaj tyre po kryhen hetime të ndryshme gjyqësore. Ndërkohë doli edhe një deklaratë nga altruisti më i ri nga radhët e kësaj partie. Bëhet fjalë për Sami Lushtakun. Ky deklaroi se 4-5 anëtarë të PDK-së kontrollojnë gjithçka në shtet dhe se ata do të duhej larguar … e kjo po qe, është për t’u përshëndetur kur del nga goja e altruistit të dëshmuar, pishtarit të tolerancës dhe procesit demokratik, si dhe pacientit më të zellshëm të drejtësisë kosovare.
Aroma e blirit kishte depërtuar edhe në dhomën e Kuvendit të Kosovës, ku po bëhej dëgjimi i biznesmenit Blerim Devolli nga ana e komisionit parlamentar. Shkenca do të duhej të merrej me atë se pse Albulena Haxhiu nuk kishte rënë nën ndikimin psikodelik të aromës së blirit? Në anën tjetër, Bekim Haxhiun aroma e blirit e kishte zënë, e kishte bërë gips! U kuptua nga pyetja e tij drejtuar z.Devollit, "a keni pirë ‘Coca-cola’ së bashku me Shpend Ahmetin"?
Duke ecur sheshit e pashë edhe Burimin, atë djalosh që të gjithë ju të cilët jetoni në Prishtinë e njihni. Shet krembanane, dikur edhe CD-ja, sakëza dhe këso gjërash të vogla. Ashtu nën ndikimin e aromës së blirit ia dhashë 10 euro, pasi që m’u kujtua se para shumë vjetësh më kishte nëmur dhe më kishte thënë "kurrë femën s’ki me bo", dhe ja sot e asaj dite unë mbeta beqar, mirëpo Burimi përfiton nga 10 euro për secilën ardhje time këtu. Tha: Pse s’po m’i jep funte? I thashë: Le Burim, se njëjtë janë bo, s’janë mo si përpara, mirë je me euro. Edhe sa kurbetçiun e ka nëmur që kurrë s'do të bëjë femër, atë vetëm Burimi dhe aroma e blirit në qytet e dinë? …
Një natë këtu, nga dritarja e dhomës sime të fjetjes, e cila nuk është mbyllur që nga dita që erdha dhe qëndron ashtu hapur për ta freskuar dhomën, dëgjova zhurmën dhe e pashë një kamionçinë të bardhë që po stërpikte ambientin, si duket me "aromë bliri". Një mushkonjë të vetme nuk e pashë kësaj radhe, edhe pse unë dhe përmbajtja e gjakut tim jemi një tavolinë joshëse suedeze për këto virane. E një verë në Prishtinë pa mushkonja, kjo është për t’u përshëndetur.
Ndoshta vetëm jam bërë autosugjestiv. Ka një vit qysh se e kam lënë duhanin. Si duket shqisat e të nuhaturit tash më janë aktivizuar si kurrë më parë. Ndoshta këtë aromën e blirit në qytet jam "i vetmi" që po e përjetoj, mirëpo efektet janë të dukshme.
Aroma e blirit në qytet opozitën e gjen në kalkulimin e numrave për mocion ndaj Qeverisë dhe rrëzimin e saj. Në një kabllogram diplomatik të fundit nga një deklaratë e Vetëvendosjes thuhet se i kanë 63 vota. Taksirati edhe i disa çmimeve “Skënderbeu” që tash Ramushi është në hulumtim e sipër se kujt duhej dhënë.
Ramush, Labi atë çmim e ka nëse rastësisht i është mbushur mendja që ta votojë mocionin. Ambasador nuk mundeni që ta emëroni, se pasaportat private dhe diplomatike i ka kthyer, çmimin “Skënderbeu” veçse ia ke dhënë, s'di çka të mbetet tjetër burrë, vetëm ndoshta me i thënë që Labi ashtu në shenjë respekti të mbjellë fidanë të blirit rreth ndërtesës së Qeverisë dhe rreth Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa në punë të erës dhe polenit që ajo mund të bartë aty s’mund të përzihemi z. kryeministër.
PRISHTINA, ky qytet gri i pluhurosur me aromë bliri. Mund ta kritikosh sa të duash, por ai vazhdon që të pulsojë në secilin damar të trupit dhe në secilën të rrahur të zemrës.
P.S. Ramush, sa i përket asaj taksës që ia ke vendosur Serbisë, këshilla ime e kësaj jave për ty është, Rama IK!