OpEd

Absurdit që duhet gjetur fundin

Për 20 vjet, këta që ende e mbajnë pushtetin kanë arritur që Kosovën ta varfërojnë; ta bëjnë vendin më të ndotur, më të çorganizuar, ta pasivizojnë popullin, ta bëjnë atë njësoj të papërgjegjshëm si veten, t’ia humbin vullnetin edhe për punë, edhe për avancim dhe t’ia ngjallin shpresën e vetme që ende qëndron e fortë: që punët do të rregullohen po qe se njerëzit ikin prej Kosovës. Aq e madhe shpresa sa edhe ironia e thënies së përpunuar të “Bacit”... më nuk është “Bac, u kry”, por “Bac, ia therra”...

Nga fillimi i javës të gjithë vëmendjen e patëm të kthyer nga Berlini. Atje po mbahej samiti i organizuar nga gjermanët dhe francezët për të biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ajo që ra në sy më së shumti qe arritja e përfaqësuesve politikë të Kosovës e Serbisë në ndërtesën ku mbahej samiti: përderisa Vuçiqi e Bërnabiqi erdhën bashkë dhe u takuan që të dy me nikoqirët, Thaçi dhe Haradinaj erdhën ndaras. Ashtu siç edhe i ndanë agjendat gjatë qëndrimit në Berlin. Përderisa Thaçi mori me vete Pacollin në takim me miken e tij, Mogherini, Haradinaj fillimisht shkoi në ambasadën tonë, e më pas u takua me ambasadorin amerikan në Gjermani. Psenë e kësaj vizite të fundit nuk diti kush të na e thotë.

Sidoqoftë, takimi mbase nuk kishte rrjedhur ashtu siç ishte paramenduar. Darka ku do të flitej për dialogun e ngecur Kosovë-Serbi nisi me dy orë vonesë, dhe pas përfundimit të saj, e dëgjuam Thaçin tek deklaronte se kishte qenë takim shumë i rëndë, pa treguar se pse kishte qenë i tillë. Haradinaj u bë i gjallë të nesërmen, dhe tha se kishte pasur shumë presion që taksa të hiqej ashtu që të vazhdohej me bisedimet, dhe që njëri nga ata që kishte bërë presion për taksën kishte qenë edhe vetë Thaçi, i cili para se të shkonte në takim kishte thënë se taksa duhej të mbeste.

Pra, për dikë që i ndërron fjalët sa herë që për këtë i bie ndërmend, ose i nevojitet për ndonjë lloj konsumi diku, nuk ishte fare befasuese që Thaçi të na e ofronte edhe një në vargun e deklaratave kot që i bën. Ashtu siç e foli për kush e di të satën herë çështjen e Luginës – se si ai do ta kërkojë bashkimin e saj me Kosovën. Natyrisht, pa e shpjeguar se si ia merr mendja atij se Serbia do të pajohet ta japë territorin që e kontrollon, falas.

Mungesa e unitetit

Pra, duket se i gjithë takimi shkoi si lëmsh, dhe u nis nga një premisë e gabueshme, të cilën e përsëriti Macroni. Ai tha se si shembull i mirë do të duhej të shërbente marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës, duke e huqur, në fakt, thelbin e problemit Kosovë-Serbi. Athina e Shkupi e kanë pasur kontestin rreth emrit, e të cilin e kanë zvarritur thuajse 30 vjet. Ne kemi pasur luftë, ku Serbia pothuajse na shkatërroi dhe na e dëboi gjysmën e popullatës, e për të cilën gjë nuk kërkon falje qe 20 vjet. Janë paralele që nuk mund të tërhiqen, e këtë e besoj të gjithë e kanë të qartë, pavarësisht sa diplomatë mëtojnë të dëshmohen.

Takimi përfundoi dhe për Kosovën me gjasë doli një qëndrim gjermano-francez: nuk ka këmbim territoresh, a ndryshime territoresh, a çfarëdo që ka të bëjë me territore për zgjidhjen e çështjes së kontestit kosovaro-serb. Kështu e tha Haradinaj, e besa edhe Vuçiqi.

Se me gjasë këtë ia kanë përsëritur jo njëherë Thaçit në Berlin saqë raportohet se ka qenë kryesisht nervoz, dhe se me një çast ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në këtë proces, të njëjtën gjë që para një kohe e kishte kërkuar Haradinaj, e që atëbotë u kritikua shumë, ngase kjo shihej si ftesë për përfshirjen edhe të Rusisë në të. Duke e pasur parasysh se njeriu me më së shumti ndikim në politikën e jashtme të Trumpit ka qenë edhe kundërshtari i bombardimit të NATO-s, nuk e di se çfarë vlere të shtuar do të mundë të kishte përfshirja e SHBA-së në këtë çast, pos që të shkohet tutje me idenë e vjetër serbe...

Sidoqoftë, me t’u kthyer në Kosovë, secili iu kthye punëve të veta... Haradinaj terrenit e Thaçi konferencave për shtyp. E mbajti edhe një nga e cila, natyrisht, nuk morëm vesh gjë, por e dëgjuam një deklaratë sui generis për Luginën: “Unë do të doja që zonat e banuara me popullata shqiptare në luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapur, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër”. Përvoja e përcjelljes së deklaratave të këtij njeriu na ka sjellë në situatën ku duhet kërkuar një përkthyes Thaçi-shqip, për të kuptuar se çfarë do të na thotë, se ka shumë kohë që me gjasë askush nuk e merr vesh kur flet.

Monologët që i mban para gazetarëve janë përherë një aktrim i përsëritur me gjeste duarsh e mimika fytyre, dhe përherë përsëritje e një diçkaje që mbase e ka thanë para pesë vjetësh. Kësaj radhe, as pa u skuqur, e as pa u zverdhur e tha se “ishte i pari që e kërkonte unitetin e faktorit shqiptar në Kosovë”, duke qenë i pari i cili iu hodh negociatave pa e pyetur askënd, dhe i pari i cili e injoroi kryeministrin e Qeverisë së Kosovës kur shkoi në Berlin. Me rëndësi është që të veçohet nga të gjithë të tjerët, për shkak se ai është kryetar që bën çfarë t’i teket dhe kur do që t’i teket.

Dhe e gjithë ajo që u fol në Berlin përfundoi me një konkluzë se takimi Kosovë-Serbi do të vazhdonte nën patronazhin e Macronit dhe Merkelit në Paris, në korrik, dhe me një deklaratë për t’u mbajtur mend e Daçiqit në një gazetë beogradase: “Po të mos ishte marrëveshja e Brukselit, moti do ta kishim njohur Kosovën”. E besoj kaq mjafton për ta shpjeguar aftësinë negociuese të Thaçit me gjithë këshilltarët që i ka.

Vasfija në Kongres

Menjëherë pas Berlinit erdhi lajmi se Vasfije Krasniqi Goodman do të paraqiste dëshminë e saj para Kongresit amerikan për dhunimet si krime lufte të pandëshkuara. Me shqetësim të dukshëm dhe dridhje të pandërprerë të duarve, Vasfija foli. E tha atë që tashmë na e kishte thënë edhe neve, me efektin njësoj tronditës, që shkakton hidhërim dhe zhgënjim të pakontrolluar. Hidhërim për poshtërimin që e ka përjetuar Vasfija dhe me mijëra gra të tjera në Kosovë, dhe zhgënjimin për shkak se Kosovës iu deshën më shumë se një dekadë e gjysmë që ta pranonin publikisht se një numër shumë i madh grash, madje edhe një numër burrash, kishin qenë objekt i shfryrjeve shtazarake të serbëve e që asnjëri nga kriminelët të mos e ketë marrë dënimin e merituar.

Pseja e dëshmisë së Vasfijes mu tash në Kongres për mua është e panjohur. Nuk është larg mendsh, siç tashmë e ka theksuar edhe gazeta, që kjo të jetë një lëvizje e miqve amerikanë që edhe krimet e serbëve të përfshihen në fushëveprimin e Gjykatës Speciale, e cila duket se ka hyrë sërish në gjumë. Se a do të jetë vërtet kështu apo në mos kjo do të jetë një formë e veprimit për të ushtruar trysni të shtuar ndaj Serbisë në procesin e negociatave, nuk është një gjë që mund të thuhet shpejt e lehtë.

Sido që të jetë, fajin kryesor se përse nuk është folur më shumë për rastet e viktimave të luftës e mbajmë ne kosovarët. Për 20 vjet nuk ishim në gjendje të krijonim një gjykatë për krime lufte; nuk ishim në gjendje t’i përmblidhnim me një vend as shënimet për të vdekurit, për shkatërrimet, për dëmet – në një dokument të mbështetur me fakte e dëshmi, që do t’i shërbente cilitdo ekip negociator për t’i nisur negociatat me insistimin që Serbia ta njohë faktin se ka kryer krime të planifikuara mirë në luftën e fundit.

Por jo, as nuk patëm shënime, as nuk patëm kërkesa për kërkimfalje, e as nuk patëm kushte kur na ulën në tavolinën e bisedimeve. Patëm injorancë dhe patëm rezultate zhgënjyese, me të cilat ende befasohem se si mund të quhen suksese negociatore. Krejt çka fituam qenë humbja e tetë vjetëve, me shmangie të vëmendjes nga realiteti që po e jetonim, e që përditë e më shumë po shndërrohet në ankth.

Thikat dhe abuzimi me pushtetin

E ankthi e përfshin edhe mungesën absolute të përgjegjësisë që do të duhej ta kishte secili zyrtar shtetëror për punën që e kryen. E përfshin edhe mungesën e sundimit të ligjit, si dhe obstruksionin që ia bën dhe ndikimin e “pastër” që e ka politika ndaj drejtësisë.

Sjellja e papërgjegjësisë që mbaron me kryerje të veprave të papranueshme për një shoqëri të shëndoshë e që për shkak të sistemit të instaluar dhe të kultivuar me vite sjell mosndëshkimin, është shembulli më i keq i mundshëm që mund të përvetësohet si sjellje shoqërore nga brezat e rinj, të cilët që nga lindja janë mësuar se mund të bësh diçka të keqe e të ikësh pa ndonjë pasojë, sepse kështu funksionon ky shtet.

Mbase edhe kjo edhe do të ketë qenë baza që u ka shërbyer dy sulmuesve me thika në dy objekte shkollore të Prishtinës. E para ishte një grua, që e theri mësuesen e vajzës së saj parashkollore. I dyti ishte një adoleshent, i lindur paslufte, që i theri dy shokë të gjeneratës në korridorin e shkollës. Vetë ideja se mund të hysh kudo, e sidomos në një objekt shkollor, me një thikë në dorë, me qëllimin për t’i bërë dëm dikujt, tregon shumë për ku jemi katandisur si shoqëri. Është ky institucionalizim i dhunës, pra kur munden të tjerët pse nuk mundem unë, dhe e dyta, është agresiviteti për “zgjidhjen” e problemeve, për shkak se në 20 vjetët e fundit nuk mundëm asnjëherë të uleshim bashkë e t’i zgjidhnim problemet, por e kaluam kohën duke u përlarë dhe duke i hedhur njëri-tjetrit akuza për të kaluarën dhe të tashmen tradhtare.

Se sa jemi të prirë për të vazhduar me avazin e papërgjegjësisë dhe ruajtjes së interesave të ngushta e dëshmon edhe sjellja e deputetëve të koalicionit qeverisës dje, që duke qenë në korridor refuzonin të hynin e të merrnin pjesë në punën e Komisionit që merret me dëbimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq vitin e shkuar. Dje është dashur të dëshmonte Maxhuni, atëbotë shef i Policisë, dhe njeri i afërt i Thaçit, porse pa kuorum, kishte arsye të mjaftueshme të thoshte: ja, unë po dua, por deputetët nuk janë të interesuar të më dëgjojnë.

Nga ana tjetër, pasi jemi te Maxhuni, këtu duhet përfshirë edhe Prokurorinë, e cila vazhdon t’i bëjë argat klasës politike të zhytur në parregullsi deri në tavan. Rasti i të birit të tij, të zënë me armë e drogë në veturën e gjyshit të tij para disa muajsh mbetet në ajër: as nuk procedohet e as nuk mbyllet. Natyrisht se do të mundë të na thonë se janë çështje procedurale që marrin kohë, por fakti është se rasti i tij është përpjekur të mbyllet, madje nga policia qëkur ka ndodhur. Pra, meqë është i biri i shefit të AKI-së, do të duhej të shpëtonte pa therë në këmbë. Gjë që me siguri nuk do t’i ndodhte dikujt, që nuk e ka babanë shef të ndonjë institucioni me ndikim në Kosovë.

* * *

Për 20 vjet, këta që ende e mbajnë pushtetin kanë arritur që Kosovën ta varfërojnë; ta bëjnë vendin më të ndotur, më të çorganizuar, ta pasivizojnë popullin, ta bëjnë atë njësoj të papërgjegjshëm si veten, t’ia humbin vullnetin edhe për punë, edhe për avancim dhe t’ia ngjallin shpresën e vetme që ende qëndron e fortë: që punët do të rregullohen po qe se njerëzit ikin prej Kosovës. Aq e madhe shpresa sa edhe ironia e thënies së përpunuar të “Bacit”... më nuk është “Bac, u kry”, por “Bac, ia therra”...

Këtë që e kanë prodhuar me punën e tyre amatore politike dhe zhvatëse personale është pikërisht atë që e kanë prodhuar krejt diktaturat majtiste, djathtiste, anarkiste etj., në Amerikën Latine. Është logjika e njëjtë e veprimit – në të dyja rastet flitet dhe veprohet në emër të popullit, dhe në të dyja rastet është populli ai që i vuan pasojat.

Atyre që ende besojnë se në këtë vend mund të jetohet dhe se gjërat mund të bëhen më mirë u ka mbetur të luftojnë për rikthimin e kuptimit origjinal të thënies së Bacit. Puna do të kryhet, kur ky vend njëmend arrin të çlirohet prej “çlirimtarëve”.

[email protected]