OpEd

A ka “momentum të ri” për liberalizimin e vizave për Kosovën

Diplomatët në Bruksel thonë se “ka një momentum të ri” që mund të sjellë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por ata shtojnë se “kjo do të varet më së shumti nga Franca”. E çfarë “momentum të ri” paska atëherë? Sepse tash e tre vjet fati i këtij procesi varet nga Franca. Nëse Franca, pas bashkëpunimit me autoritetet e Kosovës që thuhet se po ndodh, e heq pengesën, atëherë ky vit mund të jetë vërtet i liberalizimit të vizave

Ka shumë emërtime me të cilat mund të quhet dështimi i BE-së për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës. Ndoshta, mes një vargu emërtimesh, më së miri kësaj i shkon fjala “turp”. Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se BE-ja po u bën kosovarëve padrejtësi. Kemi dëgjuar edhe për diskriminim, sepse pothuajse të gjithë të tjerët në Evropë, prej Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë e deri te Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia e kanë mundësinë e lirisë së lëvizjes.

Por nuk është që dikë në Evropë sot nuk e zë gjumi nga turpi pse nuk ua kanë hequr vizat kosovarëve. Sepse nuk ndiejnë se u kanë borxh diçka. “Turpi” apo “padrejtësia” nuk janë kategori, të cilat shtetet kryesore të BE-së i marrin parasysh kur vendosin për ndonjë gjë. Ja, tash pranojnë se kanë gabuar kur i kanë besuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Por disave nuk u vjen turp të bllokojnë sanksionet ndaj Rusisë. Sepse, pranojnë ata, kanë obligime pikë së pari ndaj qytetarëve të tyre (më mirë të thuhet votuesve) e vetëm pastaj ndaj viktimave në Ukrainë.

Mund të përmbledhim të gjitha shprehjet për të përshkruar frustrimin e kosovarëve pse akoma nuk ka liberalizim të vizave. Dhe që të gjitha do të ishin të arsyeshme. Por kjo nuk do ta zgjidhte problemin. Sepse të fuqishmit nuk kanë nevojë që argumentet të jenë gjithmonë në anën e tyre.

Prandaj çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës duhet të parashtrohet në mënyrë racionale. Çfarë mund të bëhet që të ndodhë?

Diplomatët në Bruksel thonë se “ka një momentum të ri” që mund të sjellë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por ata shtojnë se “kjo do të varet më së shumti nga Franca”. E çfarë “momentum të ri” paska atëherë? Sepse tash e tre vjet, fati i këtij procesi varet nga Franca. Nëse Franca, pas bashkëpunimit me autoritetet e Kosovës që thuhet se po ndodhë, heq pengesën, atëherë ky vit mund të jetë vërtet i liberalizimit të vizave.

Franca nuk e ka fshehur se është kundër liberalizimit të vizave. Disa shtete të tjera janë fshehur prapa Francës, nuk e kanë mbështetur këtë proces, por nuk kanë qenë kundër tij. Nuk ka dyshim se ekziston një shumicë e madhe e vendeve të BE-së që do të mbështesnin vendimin sa më të shpejtë për liberalizimin e vizave. Po i dëgjojmë tash edhe ministrat, edhe kryeministrat apo edhe presidentët e disa vendeve të shprehen në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por kur Franca është kundër, atëherë në BE as nuk votohet. Holanda, deri diku edhe Belgjika e Luksemburgu, apo ndonjë shtet tjetër, nuk do të bllokonin vendimin nëse hiqet kundërshtimi i Francës.

Por që kjo të ndodhë duhen dy gjëra. E para është që autoritetet e Kosovës, në bashkëpunim të plotë me kolegët nga Franca, t’i bindin ata se nga liberalizimi i vizave nuk do të ketë rrezik për emigrim masiv të qytetarëve të Kosovës.

Anketat që nxjerrin si rezultat se “shumica e madhe e kosovarëve do të largoheshin nga vendi sikur ta kenë mundësinë” nuk duhet të merren si argument kundër liberalizimit të vizave. Ky është një problem për Kosovën, por është edhe për vendet e tjera të rajonit që për më shumë se një dekadë kanë liberalizim vizash, e është edhe për vetë vendet lindore të BE-së. Ja, Kroacia ka humbur gati një gjysmë milioni banorë prej kur është bërë anëtare e BE-së. Ata kosovarë që duan të largohen dhe gjejnë punë, janë duke u larguar. Kroacia dhe Sllovenia, si vende të vogla të BE-së, në vitet e fundit kanë dhënë me dhjetëra mijëra leje pune për qytetarët e Kosovës. Edhe Gjermania po ashtu. Nëse kësaj i shtohen ata të rinj që përmes martesave i “marrin letrat” dhe largohen për Evropë, shihet qartë se mungesa e liberalizimit të vizave nuk e ka ndalur largimin gati se masiv nga Kosova.

Liberalizimi i vizave nuk do të nxitë më shumë këtë fenomen, i cili edhe ashtu ekziston. Në anën tjetër, liberalizimi do të ishte vetëm për udhëtime e jo për punë në vendet e BE-së. Ekzistojnë masat për të dënuar keqpërdoruesit e lirisë së lëvizjes, nga riatdhesimi në Kosovë e deri te ndalimi i hyrjes për 5 vjet.

As argumenti se “mund të vijnë pjesëtarët e grupeve kriminale” në Evropë nuk qëndron, sepse nëse dikush gjen mundësi të vijë në Evropë, janë kriminelët që janë shumë të shkathët për këtë. Është ofendim për kriminelët që të mendosh se mungesa e liberalizimit të vizave mund të jetë pengesë për ta që të shkojnë në një vend të BE-së.

E besa as politikanët nuk e kanë problem që të marrin vizat, të marrin pasaportat e Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër. Pra, pasojat i ndiejnë vetëm qytetarët e thjeshtë. E ata janë më pro-evropianët në rajon. E duan Evropën për shkak të vlerave e jo për shkak se dikush ua ka vënë këtë si kusht.

Gjëja e dytë që duhet të ndodhë është që Gjermania sinqerisht të angazhohet për liberalizim të vizave. Kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati thënë se “liberalizimi ka ndodhur”, duket se e kishte bërë këtë i impresionuar nga ajo që kishte dëgjuar në Gjermani, nga goja e udhëheqësve të lartë që vetë vendosin për gjëra të tilla. Gjermania edhe publikisht është shprehur në favor të liberalizimit të vizave. Por, deri më sot, në Bruksel nuk kemi gjetur ndonjë gjurmë të ndonjë angazhimi konkret të Gjermanisë në strukturat e BE-së për të ndodhur liberalizimi për Kosovën.

Gjermania, pos që ka fuqinë të ndihmojë të hiqen pengesat nga shtetet e tjera, e ka edhe një argument të fortë. Është vendi ku jetojnë rreth 400 mijë njerëz me prejardhje nga Kosova. Nëse ndonjë shtet do të kishte ardhje të një numri të madh të kosovarëve, do të ishte Gjermania. Sepse ata 400 mijë kosovarë që jetojnë në Gjermani kanë lidhje familjare me vendin e lindjes apo të origjinës. Gjermania ka, po ashtu, edhe lidhje të veçanta me Kosovën, sikur edhe me shumë vende të tjera të rajonit. Nëse për Gjermaninë nuk do të ishte problem liberalizimi i vizitave, pse të jetë atëherë për Francën apo Holandën.

Shembull i mirë është edhe Zvicra. Pa dyshim shteti që, krahasuar me numrin e banorëve, ka përqindjen më të madhe të kosovarëve në botë. Zvicra e ka privilegjin që të mos jetë anëtare e BE-së, por edhe detyrimin që të pajtohet me secilin vendim të Brukselit. Pra, Zvicra nuk merr pjesë në vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por kur BE-ja ta marrë këtë vendim, ai vlen edhe për udhëtime në këtë shtet. E Zvicra pyetet vetëm në mënyrë konsultative. Dhe, sipas burimeve diplomatike në BE, kur është pyetur Zvicra, ajo është shprehur në favor.

Nuk ka më shumë nevojë për analiza dhe sqarime. Nuk ka arsye, nëse kanë ekzistuar në të kaluarën që të mos ndodhë liberalizimi. Nëse për Francën kanë qenë zgjedhjet presidenciale një prej arsyetimeve, natyrisht jozyrtare, atëherë ato janë përmbyllur. Për dy a tri javë do të përmbyllen edhe ato parlamentare. E atëherë, në pjesën e dytë të vitit, pa e lidhur me ndonjë kushtëzim tjetër, formal e joformal, do të duhej miratuar vendimin që vizat për udhëtime në vendet e BE-së dhe vendet e Schengenit që nuk janë në BE, të hiqen edhe për qytetarët e Kosovës.