OpEd

1000

Për Kosovën nuk do të ishte asgjë e jashtëzakonshme që të mbante sërish zgjedhje të parakohshme. Insistimi që këto të mbahen verës nuk është fare e rastit: arsyeja quhet diasporë dhe numri i madh i njerëzve që do të jenë në Kosovë në kohën e pushimeve verore. Kjo, duke e bërë kështu diasporën mbase edhe vendimmarrësen kryesore në përcaktimin e numrave përfundimtarë që do të mblidhen nëpër kuti votimesh

Do t’ju duket i befasishëm titulli i kësaj kolumne. 

Nuk ka asgjë spektakolare të fshehur pas, pos evidencës së përpiktë të shkrimeve që janë botuar nën këtë mbititull në 19 vjetët e fundit.

E kisha nisur me shkrime më të shkurtra nga nevoja për ta shprehur një mendim a një qëndrim shumë personal për fenomenin e të jetuarit në Kosovën e pasluftës dhe para Pavarësisë. Shkrimet u bënë një lloj rituali, i përqendrimit dhe i përmbledhjes së ngjarjeve që mua më dukeshin më të spikaturat e që kishin shënuar javën paraprake. Ndonjëherë do të kishte kthim në të shkuarën dhe evokim kujtimesh nga faza më e rëndë, të cilën shumë prej nesh patëm fatin ta mbijetonim, luftën, e ndonjëherë do të ishte ndonjë shkrim që lidhej për ndonjë personazh a ngjarje. Esenca e gjithë këtij ushtrimi mendor ishte se kolumnet i shkrova dhe i shkruaj me vetëdije të plotë duke e marrë edhe përgjegjësinë e plotë për to.

E di se në mesin e lexuesve të shumtë të KOHËS ka të tillë që i përcjellin me vëmendje (faleminderit shumë!), por edhe të tillë që zgjedhin të mos i hapin tekstet fare. Shumë legjitime dhe plotësisht në vijë me lirinë e shprehjes, mbi të cilën u ndërtuan këto kolumne.

KiE

Lajmi i javës pa dyshim qe miratimi i raportit për Kosovën nga Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

Ky shënoi hapin e parë drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë trup. I radhës është votimi në Asamblenë Parlamentare (më 16 prill), ku kërkohen dy të tretat e votave, pra 204 nga 306 votat e përfaqësuesve të 46 shteteve. Nëse kalon këtu, atëherë duhet të miratohet nga Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, në maj 2024. 

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, “...ky raport rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta. Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën... Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”.

Po qe se ky synim realizohet, do të jetë mbase suksesi i vetëm i diplomacisë kosovare në aspektin e njohjeve apo edhe të anëtarësimit në trupa ndërkombëtarë në tre vjet mandati të kësaj qeverie.

Hamza

Dhe përderisa i prisnim lajmet nga Strasbourgu, PDK-ja bëri një lëvizje interesante politike dhe emëroi Bedri Hamzën kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Reagimet ishin kryesisht pozitive, duke e konsideruar Hamzën si ministër të suksesshëm të Financave, si dhe kryetar të suksesshëm të Mitrovicës. Qe një hap i paprecedent në PDK, kur kryetari i partisë nuk nominohet. Por kjo nuk do të thotë se Hamza nuk do të mund të zgjidhej kryetar i PDK-së kur t’u vijë radha zgjedhjeve të brendshme partiake.

Opozita vazhdon të insistojë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt dhe e kërkon dorëheqjen e Kurtit. Ky, nga ana tjetër, deklaroi se do t’i ofronte votat e partisë së tij për ta shpërbërë Kuvendin, po qe se opozita e merrte nismën, porse që refuzonte ta jepte dorëheqjen. 

Tash duket se çështja e zgjedhjeve të parakohshme apo jo do të jetë çështje negociatash për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat opozita me ngulm vazhdon të mos i votojë, si dhe ligjeve të cilat pushteti nuk po mund t’i kalojë për shkak se njerëzit brenda vetë GP të VV-së i kundërshtojnë, në emër të mbrojtjes së familjes.

Sido që të jetë, për Kosovën nuk do të ishte asgjë e jashtëzakonshme që të mbante sërish zgjedhje të parakohshme. Insistimi që këto të mbahen verës nuk është fare e rastit: arsyeja quhet diasporë dhe numri i madh i njerëzve që do të jenë në Kosovë në kohën e pushimeve verore. Kjo, duke e bërë kështu diasporën mbase edhe vendimmarrësen kryesore në përcaktimin e numrave përfundimtarë që do të mblidhen nëpër kuti votimesh.

E mira e zgjedhjeve të parakohshme është shkurtimi i fushatës zgjedhore. E keqja është që fushata e shkurtër nuk do të na japë mundësi të dëgjojmë e të shohim programe zgjedhore, të cilat supozohet se duhet t’u shërbejnë qytetarëve që të vendosin se kujt t’ia japin votën. Nëse ia japin.

Krusha

Lajmi i tretë i veçuar i javës qe ai për hapjen e Muzeut të masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit. 
Fshati më i madh i kësaj komune dhe pa dyshim fshati që pësoi më së shumti në njerëz në këtë trevë fort të goditur në luftë u bë me Muzeun e kujtesës së ngjarjes më tragjike që kishte përjetuar. Jo rastësisht u ngrit bri varreve të atyre, mbetjet e të cilëve u gjetën.

Ky më poshtë është përshkrimi që ia bëri gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, në ditën e përurimit të Muzeut:

“Eksponatet e civilëve të vrarë bashkë me rrëfimet prapa tyre në Muze janë të shumta. Ka edhe aso të familjeve që janë shuar krejtësisht. Muzeu i përuruar është një ndërtesë e stilit brutalist, që i shkon për shtat krejt konceptit. Është kuruar nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me banorët. Investimi i Komunës së Rahovecit pa dyshim është prej më të vlefshmeve që ka bërë ky institucion në raport me kujtesën për ata që u vranë nga forcat serbe veç pse ishin shqiptarë. Rrëfimi brenda blloqeve të betonit nis me Krushën e Madhe, si një fshat i njerëzve punëtorë. Shpaloset një historik i shkurtër i ditëve kur vendbanimi i madh vlonte nga të rinjtë që punonin e studionin, edhe pse nën masa aparteidi nga Serbia. Më pas vizitorët futen në ditët e tmerrshme të 25, 26 dhe 27 marsit. Fshati numëron 220 civilë të vrarë. Prej tyre, mbi 100 të djegur në dy krematoriume. Midis tyre janë 7 fëmijë dhe pesë gra. Një shtatzënë. Kur këtij numri i shtohen edhe 21 dëshmorë, Krusha e Madhe llogarit 241 veta të vrarë në luftën e fundit. Dëmet materiale prekin milionat.

U desh të pritej një çerekshekulli për t’u bërë me një institucion të këtillë, bile në një vend të Kosovës (pa e llogaritur shtëpinë e Nonës Ferdonije, që vetë e shndërroi në muze). Më mirë vonë se kurrë. Por, pikërisht një fakt si ky tregon për shkujdesjen kolektive të kosovarëve - sa moti është dashur të mblidheshin artefaktet e kujtimet në një muze të madh, në Gjakovë mbase, e të quhej Muze i luftës. Çereku i shekullit i ka marrë edhe shumë të mbijetuar rrugës e i ka shkatërruar edhe kujtimet e mbetura, për shkak se nuk janë ruajtur siç kanë mundur të ruheshin. Ende nuk është vonë. Veç a ka vullnet.

Këshilli i “etikës”

Këshilli i turpit do të duhej të ishte. 

Në faqen e UP-së nuk gjenden emrat e anëtarëve dhe anëtareve të këtij Këshilli, pra nuk e di as sa janë, as kush janë këta njerëz, të cilët sa herë që ka paraqitje për ngacmim i fusin veshët në lesh dhe nuk merren fare me ankesat. Ose merren pasi presioni bëhet i madh, ose merren sa për sy e faqe.
Herën e parë për këtë këshill dëgjuam te rasti i profesorit Bekim Bejta, i cili kishte pasur paraqitje për sjellje të papranueshme qysh më 2016-n. I denoncuar sërish më 2023, Këshilli i Etikës ia shqiptoi masën e ndalimit nga mentorimi, por nuk e largoi nga procesi mësimor. Vetëm pas publikimit të audio-incizimeve në KTV, ku dëgjohej gjuha denigruese, Senati e suspendoi. Ky vendosi të jepte dorëheqje dhe i shpëtoi çfarëdo dënimi eventual.

I fundit është rasti i 27-të (pra, NJËZET E SHTATË) paraqitjeve për gjuhë të papranueshme dhe ngacmim ndaj profesorit në Fakultetin e Edukimit, Xhevat Krasniqi. KOHA raportoi për rastin para tri javësh e Këshilli i Etikës vetëm para disa ditësh ka nisur të merrej me rastin, por pa e ftuar në intervistë asnjë denoncuese, ani që rregullorja e brendshme parasheh që intervistat të kryhen brenda pesë ditësh. 

Pse ekziston ky Këshill, nëse qëllimin e ka t’i mbrojë shkelësit e ligjit e jo t’u ofrojë drejtësi palëve të dëmtuara? 

E besoj se për shkak të mendësisë që e udhëheq këtë vend, mentalitetit patriarkal, i cili në vend se të dobësohet përditë merr fuqi më të madhe, sepse ashtu e kërkon politika që çon për në pushtet.

* * *

Java mbaroi me lajmin se kryetari i Prishtinës i kishte hëngër fjalët e veta të dhëna në fushatë, se nuk do të lejonte më ndërtime të larta në Prishtinë me arsyetimin se nuk kishte as vend e as nevojë për to. Përafërsisht kështu e kishte thënë. Por, e kuptuam se së shpejti do ta hidhte në votim planin rregullues për pjesën ku gjendet stacioni i autobusëve. Ndërtimet aty do të shkojnë deri në 20 kate, sepse thuhet se toka është pronë komunale. 

Do të jetë interesante të shihet po qe se plani do të kalojë, dhe, nëse do të kalojë, pse do të kalojë. Për ndonjë këmbim eventual tokash? Seriali posa ka nisur. Do të jetë interesant.

flaka@koha.net