OpEd

Puçi gjyqësor në pritje i Izraelit

Netanyahu premtoi se do ta miratonte rishikimin deri në fund të sesionit veror të Knessetit, më 30 korrik. Duke e pasur parasysh dritaren e ngushtë për negociata dhe qasjen e ngurtë të arkitektëve të rishikimit, kjo verë mund të jetë më e nxehta që Izraeli e ka përjetuar ndonjëherë.

Përbrenda tre muajsh, kryeministri izraelit, Binyamin Netanyahu, ia doli që ta shndërrojë paraqitjen e tij elektorale më të mirë ndonjëherë në makthin më të keq për Izraelin. Dymbëdhjetë javët e njëpasnjëshme me protesta e shtrënguan Netanyahun ta ndalojë revolucionin e tij gjyqësor dhe t'i ftojë liderët e opozitës për negocimin e një kompromisi në rezidencën e presidentit Isaac Herzog. Por përderisa protestat e mënjanuan një krizë kushtetuese, vendimi i Netanyahut përbën veç një pushim deri në fillimin e sesionit veror të Knessetit, e jo zmbrapsje.

Koalicioni i Netanyahut këmbënguli në avancimin e planit për ta dobësuar gjyqësorin, me gjithë përshkallëzimin e protestave nëpër rrugë dhe dallgën në rritje të paralajmërimeve nga liderë të biznesit, ekonomistët dhe sipërmarrësit e fushës së teknologjisë. Madje edhe udhëheqësit e huaj shtetërorë, përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarin gjerman, Olaf Scholz e presidentin francez, Emmanuel Macron, shprehën shqetësim. Në një qortim të rrallë publik, presidenti amerikan, Joe Biden, e paralajmëroi Netanyahun se “nuk mund të vazhdojë me këtë rrugë”.

Megjithëkëtë, Netanyahu u zotua të vazhdojë tutje. Deri në fund të sesionit dimëror të Knessetit në fundmars, koalicioni ishte gati të miratonte dy amendamentet e mëdha në Ligjet Themelore të vendit që do t'i jepnin degës ekzekutive kompetenca të tepruara. Njëri amendament synonte që koalicioni t'i siguronte kontroll të plotë mbi emërimin e gjyqtarëve, përfshirë edhe të atyre të Gjykatës Supreme, për ta mënjanuar të vetmin mjet të kontrollit mbi degën ekzekutive që ekziston përbrenda sistemit izraelit. Masa tjetër do ta shfuqizonte rishikimin gjyqësor të Ligjeve Themelore, duke ia mundësuar koalicionit kufizimin e të drejtave civile dhe të njeriut nëpërmjet një shumice të thjeshtë.

Në të njëjtën kohë, koalicioni i nxitoi më se 150 projektligje radikale që u shërbejnë interesave të partive ultra-fetare dhe të ekstremit të djathtë, si dhe atyre të Netanyahut e familjes së tij. Ç’është më e rëndësishmja, Knesseti e miratoi një amendament të Ligjit Themelor që ligjvënësve do t’ua bënte pothuajse të pamundur shpalljen e një kryeministri në detyrë si të padenjë për pozitën.

Zyrtarisht, Netanyahut i ndalohet të merret me rishikimin e gjyqësorit, ngase kjo mund të ndikonte në procesin gjyqësor ndaj tij për ryshfet e korrupsion. Në një vendim historik të dy vjetëve më parë, Gjykata Supreme e Izraelit e lejoi Netanyahun ta marrë detyrën e kryeministrit, pasi deklaroi se do të përmbahej nga çdo lloj ndërhyrjeje që mund ta vendoste atë në konflikt interesi. Deri në fund të marsit, Netanyahu iu përmbajt ndërhyrjeve, ani se i mbështeti haptas reformat e gjera të kërkuara nga ministrat dhe nga partnerët e tij të koalicionit.

Menjëherë pasi Knesseti e miratoi projektligjin që e parandalon shkarkimin e tij, Netanyahu megjithatë vendosi, siç duket, se më nuk i detyrohet premtimit të mëparshëm. Në fund të marsit, ministri i tij i Mbrojtjes, gjeneralmajori i pensionuar Yoav Gallant, e paralajmëroi Netanyahun se trazirat e nxitura nga qeveria po i polarizonin Forcat e Mbrojtjes, tradicionalisht apolitike, të Izraelit. Një numër përherë më i madh i ish-oficerëve të rangut të lartë të IDF-së dhe pilotët luftarakë deklaruan se do të ndalonin të paraqiteshin vullnetarë për shërbim aktiv, paralajmëroi Gallanti, duke e rrezikuar sigurinë kombëtare.

Netanyahu e bindi Gallantin të mos dilte publikisht me paralajmërimin. Në vend të kësaj, kryeministri e mbajti një konferencë shtypi dhe deklaroi se do të “hynte në ngjarje” dhe do të merrte përsipër rishikimin (një veprim ky që vetë prokurori i tij i përgjithshëm më vonë tha se ishte i kundërligjshëm).

Javën pasuese, pasi që Gallant e mbajti vetë një konferencë shtypi për ta kërkuar ndalimin e legjislacionit, Netanyahu e shkarkoi. Veç një orë më vonë, me qindra mijëra izraelitë i rrokën rrugët në protestën më të madhe spontane që vendi e pati ndonjëherë. Përbrenda pak orësh, universitetet dhe kolegjet kryesore të Izraelit njoftuan për grevë. Sindikata më e madhe e punëtorëve, Histadrut, shpalli grevë të përgjithshme, duke i mbyllur aeroportet dhe portet detare.

Përderisa vendi doli jashtë kontrollit, Netanyahu dhe partnerët e tij të koalicionit u pajtuan ta pauzonin atë që e kërkoi Gallanti. Por ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shefi i partisë së ekstremit të djathtë “Otzma Yehudit” (Fuqia Hebraike), e kushtëzoi mbështetjen e tij për vonesën me krijimin e një “garde kombëtare” që do të ishte nën komandën e tij. Ben-Gviri vazhdimisht e kritikoi maturinë e treguar karshi protestuesve pro demokracisë dhe e shtyri policinë të përdorë më shumë forcë.

Teksa Netanyahu i bleu më shumë kohë për vete, besimi i publikut në udhëheqjen e tij ra në nivel rekord të ulët. Për herë të parë në më shumë se një dekadë, Netanyahu përfundoi i dyti në sondazhet që pyesnin: “Kush është më i kualifikuari për të qenë kryeministër?”. Lideri i Partisë së Unitetit Kombëtar, Benny Gantz, i parë gjerësisht si “i rrituri brenda dhomës”, doli i pari.

Në prill, Izraeli do të festojë Pashkën dhe Ditën e Pavarësisë, dy festa që zakonisht i bashkojnë izraelitët. Por disa javët e fundit e fragmentuan vendin. Përderisa politikanët dhe ekspertët ligjorë po mundohen ta sajojnë një kompromis, opozita ka arsye të mira për të mos i besuar Netanyahut.

Megjithëse vetë Netanyahu thirri për pushim, ai nuk i zvogëloi apo anuloi reformat. Në fakt, koalicioni e vendosi në tavolinë një armë të mbushur, me anë të avancimit të dy amendamenteve më kritike deri në atë pikë sa mund t'i dekretojë brenda 24 orësh. Për më tepër, përderisa Netanyahu nuk e konfirmoi shkarkimin e Gallant nëpërmjet një letër zyrtare, ai as nuk e zmbrapsi. Duke e mbajtur ministrin e tij të mbrojtjes në amulli, Netanyahu mund të shpresojë që ta mbajë nën lak në fyt opozitën e brendshme.

Në ndërkohë, partnerët ekstremistë të Netanyahut nuk kanë gjasa të tërhiqen nga pjesët e rishikimit që do ta gjymtonin Gjykatën Supreme dhe do t'i jepnin degës ekzekutive pushtet të pakufizuar. E djathta ekstreme veçse po e përdor këtë pauzim për t’i mobilizuar mbështetësit e grushtshtetit që po përgatitet për rundin e radhës.

Izraelitët nxorën mësim nga prapakthimi demokratik i Polonisë. Kur Partia Ligj dhe Drejtësi u mundua për të parën herë ta kapte drejtësinë polake në vitin 2017, u ndesh me protesta publike ndërsa rishikimi u kundërshtua nga presidenti, Andrzej Duda. Por disa muaj më vonë, pasi kundërshtimi publik u zbeh, provoi përsëri dhe ia doli. Opozita izraelite dyshon se pauzimi i Netanyahut përbën një hile të ngjashme për t’i zënë kapur protestuesit në befasi apo, edhe më keq, për ta trajnuar milicinë e drejtuar nga Ben-Gviri që do të shtypte me forcë protestat e ardhshme.

Netanyahu premtoi se ta miratojë rishikimin deri në fund të sesionit veror të Knessetit, më 30 korrik. Duke e pasur parasysh dritaren e ngushtë për negociata dhe qasjen e ngurtë të arkitektëve të rishikimit, kjo verë mund të jetë më e nxehta që Izraeli ka përjetuar ndonjëherë.

(Ido Baum, profesor i asocuar në Fakultetin Juridik Haim Striks në Kolegjin e Menaxhimit në Izrael, është drejtor i Institutit Louis Brandeis për Shoqërinë, Ekonominë dhe Demokracinë dhe komentues ligjor për gazetën e përditshme The Marker. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).