Synimi strategjik i Perëndimit në luftën në Ukrainë duhet që të jetë ruajtja e Qeverisë së Zelenskyyt. Duke e ruajtur Qeverinë, Perëndimi mund ta shpëtojë Ukrainën. Çdo përpjekje ruse për ta përfunduar Qeverinë Zelenskyy duhet që të ishte vija e kuqe e Perëndimit: momenti në të cilin i dërgohet mesazh Putinit që po qe se nuk ndalet, atëherë do t’i përgjigjet me forcë. Udhëheqësit politikë perëndimorë e kanë një mundësi për të vendosur mbi këtë mesazh strategjik në samitin e kësaj jave të NATO-s. Nëse mund ta arrijnë një konsensus, atëherë do të ishte në dorën e udhëheqjes ushtarake të Aleancës që të hartojë plane taktike për ta përçuar mesazhin zëshëm dhe qartë
E dimë se çfarë dëshiron presidenti rus, Vladimir Putin, në Ukrainë: ta fshijë vendin nga harta. E dimë gjithashtu se çfarë dëshiron presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky: ta mbajë Ukrainën gjallë si shtet demokratik. Pyetja është se çfarë dëshiron Perëndimi. Cili është synimi strategjik?
Deri më tani, synimet e Perëndimit janë strukturuar negativisht: të shmanget tërheqja në një luftë me Rusinë, duke bërë nga ana tjetër çmos për t’i ndihmuar ukrainasit. Kjo ka nënkuptuar që t'i thuhet “jo” Zelenskyyt, kur ai kërkoi “një zonë të ndaluar fluturimi” të zbatuar nga NATO-ja. Por strategjia e luftës e Perëndimit nuk mund të ndërtohet mbi atë që nuk do të bëjë. NATO-ja dhe aleatët e saj duhet ta strukturojnë një synim pozitiv.
Në fillim të pushtimit, kur shumëkush parashikoi një fitore të shpejtë ruse, Perëndimi mund t'i përmbahej sinjalizimit të virtytit, duke i përgëzuar Zelenskyyn dhe qeverinë e tij për guximin e treguar, ndërkohë që përgatitej në mënyrë diskrete për t'i evakuuar ata në mërgim. Zelenskyy e refuzoi ofertën dhe tani që ukrainasit kanë treguar se çfarë mund të bëjnë, NATO-ja po dërgon raketa antitankë dhe kundërajrorë në vend dhe po ndan të dhëna të inteligjencës ushtarake me komandantët ukrainas.
Perëndimi ka hyrë në një luftë me pionë, dhe në luftërat të tilla pioni i përcakton synimet. Kur këta pionë shërbejnë për të mirë, bëhet tunduese marrja parasysh e synimeve më ambicioze, duke nisur prej shtrëngimit të kundërshtarit drejt një ngërçi poshtërues, krejt deri te ndryshimi i regjimit. Megjithëkëtë, kjo ngërthen në vete rreziqe të arrogancës strategjike. Rrezikojmë që të harrojmë se rusët kanë përvojë të gjatë në përballimin e vështirësive ekonomike. Ata më përpara mund të absorbojnë ndëshkime ekonomike të masës së madhe, sesa të ngrihen kundër regjimit. Është njashtu arrogancë që të parashikohet që qarku i brendshëm i Putinit do të ngrihet dhe do ta rrëzojë atë nga froni.
Është shumë herët që arrihet deri te përfundimi se Putini po e humb luftën. Ai tashmë ka kaluar në taktika më shkatërruese dhe më efektive, teksa shkatërrimet e tmerrshëm në Mariupoli dhe Kharkiv tregojnë se çfarë mund ende të jetë në pritje për Kievin. As Perëndimi dhe as pionët e tij nuk janë në pozitë për ta shpallur ndryshimin e regjimit si një synim strategjik, i cili do të rrezikonte që ta provokonte Putinin për ta ndjekur një përshkallëzim edhe më të dhunshëm dhe më të rrezikshëm.
Perëndimi e ka përgëzuar veten për ashpërsinë e regjimit të sanksioneve, por sanksionet janë armë që i godasin të dyja anët. Secili udhëheqës perëndimor e di se çmimet më të larta të naftës nënkuptojnë telashe politike në shtëpi, sidomos në një vit zgjedhor. Nëse Perëndimi i redukton edhe më tej importet ruse të energjisë, apo nëse rusët e mbyllin vetë rubinetin, atëherë do të pasojë recesioni apo edhe depresioni.
Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm afatgjatë ekonomik të sanksioneve, por ata njashtu e dinë se përqendrimi në vetë ekonomitë e tyre – dhe rrjedhimisht në të ardhmet e tyre politike – në kurriz të ukrainasve do të dukej gjë e turpshme, dhe atë jo vetëm për ukrainasit. Në kohën kur lufta ka ngjallur zemërimin mes elektorateve perëndimore deri në një shkallë të pashembullt, shpëtimi i ekonomive perëndimore duke i sakrifikuar ukrainasit është politikë e dobët dhe një strategji e keqe. Nëse një fitore ruse mund ende të parandalohet, atëherë Perëndimi do të duhej ta intensifikonte ndihmën e tij për ushtrinë ukrainase për ta detyruar Putinin në një ngërç të përgjakshëm, të pasuar me një zgjidhje të negociuar që e lë të paktën një pjesë të Ukrainës të paprekur dhe në duart e Qeverisë së Zelenskyyt.
Edhe në këtë pikë, Perëndimi duhet që të bëjë plane për më të keqen, e jo të shpresojë për më të mirën. Më e keqja do të ishte rënia e Qeverisë së Zelenskyyt, pas një rrethimi dhe bombardimi të gjatë të Kievit. Furnizimi i ukrainasve me kapacitete kundërajrore, antiraketore dhe anti-artilerike është jetik për ta thyer rrethimin. Por nëse krejt këto nuk arrijnë që t'i zmbrapsin rusët, atëherë Perëndimi do të duhet që të vendosë nëse mund të qëndrojë anash dhe ta shikojë pallatin presidencial te bombardohet e një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike tek shkatërrohet. Rënia e Qeverisë së Zelenskyyt do t'ia jepte Putinit fitoren për të cilën ka aq dëshpërimisht nevojë; do t'ia lejonte atij zhdukjen e Ukrainës si një shtet sovran dhe ta fillonte rusifikimin e një populli të porsa pushtuar.
Ky skenar i besueshëm duhet t'u jepte udhëheqësve perëndimorë qartësi strategjike dhe morale. Synimi strategjik i Perëndimit në këtë luftë duhet që të jetë ruajtja e Qeverisë së Zelenskyyt. Duke e ruajtur Qeverinë, Perëndimi mund ta shpëtojë Ukrainën. Çdo përpjekje ruse për ta përfunduar Qeverinë Zelenskyy duhet që të ishte vija e kuqe e Perëndimit: momenti në të cilin i dërgon mesazh Putinit që po qe se nuk ndalet, atëherë do t’i përgjigjet me forcë.
Udhëheqësit politikë perëndimorë e kanë një mundësi për të vendosur mbi këtë mesazh strategjik në samitin e kësaj jave të NATO-s. Nëse mund ta arrijnë një konsensus, atëherë do të ishte në dorën e udhëheqjes ushtarake të Aleancës që të hartojë plane taktike për ta përçuar mesazhin zëshëm dhe qartë.
(Michael Ignatieff është profesor i Historisë në Universitetin e Evropës Qendrore dhe autor i librit “On Consolation: Finding Solace in Dark Times”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).