OpEd

Përmendoret e shumta mund ta njollosin edhe Ibrahim Rugovën

Kosova nuk prodhon pothuaj asgjë përveç përmendoreve. Nga ky trend nuk ka mbetur i paprekur as lideri shumëvjeçar i Kosovës, Ibrahim Rugova. Shtatorja e tij e shpalosur së fundi në oborrin e Katedrales në Prishtinë është më mirë të hiqet, sepse nuk e nderon Rugovën dhe e fyen artin

Helmut Kohl ishte përmendore. Trupgjatë, trupmadh e trupgjerë ai me praninë e tij binte në sy kudo, sidomos pas bashkimit të Gjermanisë. “Kancelari i bashkimit”, ky është titulli më i lartë që kanë ëndërruar shumë politikanë gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjes së Gjermanisë. Kohl e fitoi këtë titull me politikën e tij të matur dhe të mirëmenduar për bashkimin e Gjermanisë. Ish-kancelari gjerman vdiq më 2017 dhe u varros si evropian i madh, me shumë ceremoni dhe shumë tekste himnizuese në mediat gjermane.

Janë bërë gati 5 vjet nga vdekja e Helmut Kohlit dhe ai deri më tani ka vetëm një bust në Berlin dhe një tjetër në provincë, plus një rrugë në Bonn, ish-kryeqytetin e Gjermanisë. Aty-këtu mund të ketë edhe ndonjë tabelë që kujton gjermanin e madh në shumë kuptime. Jo që nuk kanë gjermanët para dhe bronz për të skalitur buste e përmendore për Helmut Kohlin, por nderimi i një personaliteti duhet të bëhet me ndjeshmëri, në mënyrën e duhur, pa pompozitet.

Ibrahim Rugova, lideri shumëvjeçar i shqiptarëve të Kosovës, politikani më jotipik i Ballkanit në 100 vjetët e fundit, meriton të nderohet e lartësohet si figurë e politikës dhe kulturës. S’ka këtu asnjë dyshim. Afër Kuvendit të Kosovës dhe përballë përmendores së Skënderbeut para disa vjetësh është shpalosur një përmendore e Rugovës. Fatmirësisht nuk është e shëmtuar si shumë përmendore në Kosovë që u ngritën në kuadër të revolucionit për zaptimin e hapësirës publike dhe në emër të imponimit të një narracioni për historinë e Kosovës, duke u bërë përpjekje të përjashtohen narracionet e tjera. Krahas përmendores ka edhe një shesh me emrin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Dhe një poster të madh që i rri përballë përmendores së Zahir Pajazitit. Kosova është vend i vogël, por ka shumë heronj dhe bën vaki nganjëherë që ata ia zënë rrugën njëri-tjetrit, jo me fajin e tyre, por për shkak se politikanët e gjallë duan të fitojnë poenë politikë me karnavale përmendoresh të realizuara keq.

Disa dinjitarëve të Kishës Katolike të Kosovës ua ka marrë mendja se po bëjnë një vepër heroike duke e shpalosur edhe një përmendore të Rugovës, kësaj radhe në oborrin e Katedrales në Prishtinë, mbi vlerat arkitektonike të së cilës profesionistët kanë rezerva serioze. (Para dinjitarëve kishtarë Rugovën e nderoi me përmendore edhe Komuna e Istogut, ku u lind Ibrahim Rugova).

Pamja e përmendores së Rugovës para Katedrales i provokon muskujt e buzëqeshjes. Ibrahim Rugova në oborrin e Katedrales, i veshur me atë kostum të verdhë, duket si anëtar i ndonjë bendi muzikor që në vitet ‘70 apo ‘80 këndonte nëpër restorante afër pompave të benzinës “INA” apo “Jugopetrol”. Kështu ngjet në vitin 2021, kur dinjitarët fetarë e humbin rrugën, merren me politikë, sfidojnë ligjet dhe rendin urban. Kësisoj, një figurë nacionale shqiptare, ndër më të rëndësishmet të shekullit të 20-të, reduktohet në “bari të grigjës” dhe “aktivist fetar” (që s’ka qenë kurrë). Kësi absurdi as Samuel Beckettit s’do t’i kishte rënë ndërmend të shkruante dhe të vinte në skenë. Shyqyr që së paku Anton Çetta pati pasardhës të denjë që e mbrojtën nga keqpërdorimi i figurës së tij – një figurë që ka vend në zemrën e çdo shqiptari. Pse s’po ka fuqi kjo shoqëri ta mbrojë edhe Ibrahim Rugovën nga inflacioni i përmendoreve?

Rugova ka qenë lider i Kosovës që ka besuar, ka punuar dhe i ka vënë në jetë vlerat dhe të arriturat perëndimore. Këto vlera ka dashur t’ia ndërmjetësojë e afrojë popullit të tij. Ai Evropën Perëndimore e ka parë si shtrat kulturor të shqiptarëve. “Heimat”, siç do të thoshin gjermanët. Këtu, një rol të rëndësishëm kanë luajtur formimi intelektual i Rugovës dhe interesimet e tij shkencore, që lidhen shumë me letërsinë mesjetare shqiptare, të cilën Rugova, më shumë se dijetarë të tjerë, e ka lartësuar dhe kthyer aty ku e ka vendin: si trashëgimi të rëndësishme të historisë shqiptare. Pa studimet e Rugovës, Pjetër Bogdani nuk do të bëhej aq i njohur siç u bë në vitet ‘80, kur edhe revista “Zëri” botonte posterë të tij, të cilët shpërndaheshin në tërë Kosovën dhe në viset e banuara me shqiptarë.

Vendosja e përmendores së tij në oborrin e Katedrales duket si deformim i personalitetit dhe punës së Rugovës. Oborri i Katedrales nuk është kopsht privat i dinjitarëve fetarë që tregojnë muskujt dhe sfidojnë shtetin. Përmendoret ekzistuese të Rugovës mjaftojnë. Sepse nderi i tepërt lehtë shndërrohet në antinder. Dhe kjo po vërehet në aksionet e fundit të shefave të Katedrales, të cilët veprojnë kokë më vete duke marshuar me kamionë e traktorë për të vendosur një përmendore.

Në rastin e përmendores së Anton Çettës ndërhyri familja e tij dhe bëri mirë. Në rastin e Rugovës familja e tij po hesht. Opinioni duhet ta mbrojë Rugovën nga përqafimet e dëmshme. Ai ka pasur raporte të mira si me prijës të Kishës Katolike, ashtu edhe me kryeimamin e Kosovës, Rexhep Boja, një atdhetar dhe besnik i Kosovës. Ngjashëm si Rugova edhe Anton Çetta është figurë mbifetare. Anton Çetta është një iluminist dhe ekumenist jofetar. Një qëmtues i zellshëm i kulturës popullore. Një pajtimtar, më i madhi i shekullit të 20-të ndër shqiptarë. Autoriteti i tij ndër shqiptarë nuk ka bazë fetare. Autoriteti i tij buronte nga puna e tij si shkencëtar që me strajcë në shpinë shkonte nga fshati në fshat për të mbledhur gojëdhëna, anekdota, rrëfejza, urti.

Rrjedhimisht, pa marrë parasysh se kush i ka marrë këto vendime për vendosje të përmendoreve brenda apo jashtë Katedrales – ka bërë gabim. Dhe kësisoj ka nxitur debate që s’i duhen askujt. Për fat të keq, Kisha Katolike e Kosovës qe disa vjet në krye të saj nuk ka një dinjitar që shquhet për ndjeshmëri intelektuale. Kjo është një rënie cilësore në krahasim me figurat si Nikë Prela apo Mark Sopi. Një regres i tillë vërehet edhe te komuniteti mysliman. Nga Rexhep Boja te Naim Tërnava, zyrat e të cilit prodhojnë lajme duke u marrë me blerje qengjash për Bajramin e Vogël.