OpEd

Ku po shkojnë gjithë këta miliona?

Me dy-tri veprime, Kosova është në gjendje t'i shpenzojë 40 milionë euro pa asnjë dhimbtë të vetme në: hajni, në favore afariste, në përtaci e në luks, që e tejkalon arsyeshmërinë e mbrojtjes që e garanton ligji. E me 40 milionë euro mund të blihen mbi 2.5 milionë doza vaksinë anti-COVID

2.1-milionshi i vjedhur nuk u gjet, as s’ka kush që bën zë për këtë punë, se ama bash hiç nuk mërzitet se u vodhën, u shpërlanë, u avulluan, a u hëngrën, a çka. Me rëndësi që nuk janë dhe me rëndësi që miku im Istra për çdo ditë të lume, bile nja tri herë në ditë i përmend këta miliona. Të fundit e pati shumë të mirë, dhe meqë tashmë ekziston një ekran i madh tek ai vend, boll mirë kishte hyrë në përdorim për këtë qëllim: "Mujmë edhe me e qitë një sahat t'madh te Grandi me mat kohen (datën, orët, minutat, sekondat) derisa të kthehen 2.1 milionë, dhe kur të kthehen, me e ndalë e me e bâ atë ditë/moment Festë Shtetërore e me festu si fund i një epoke".

Mundemi, porse më mirë do të ishte të ktheheshin këta milionë e të niseshin ata 12 studentë, që i kishte përllogaritur javën e shkuar, se mund të shkolloheshin në Harvard. Bile hairin ua kishim parë.

E kur jemi te Harvardi, me të lidhet lajmi më i mirë që e kam dëgjuar në shumë kohë: një djalë i ri, Jon Syla, është pranuar ta studiojë fizikën në Harvard! Paramendoni sa lehtë do ta kishte po t'i kishte paratë e gatshme për ta përcjellë në këtë shtegtim. Por jo. Paratë e gatshme u zbuluan në "automat", kur ka shkuar tipi ta shikonte gjendjen e llogarisë - dhe natyrisht, mbasi ia falën, kishte vendosur me i la do borxhe tek-tuk dhe aq. Me gjithë insistimin e Istrës dhe ca të tjerëve, këta 2.1 milionë që nuk kthehen se nuk kthehen.

Më e keqja në gjithë këtë rrëfim është se duket se kjo nuk është hera e parë që paratë të jenë zhdukur nga Thesari në të shkuarën dhe se shuma për të cilën flitet është disa herë më e madhe, me pagesa të realizuara në formë periodike. Është thjesht e pakuptueshme se si syri nuk i bën "vrr" asnjërit anëtar kabineti, të cilit i vidhen 2.1 milionë!

Thuajse bëhet fjalë për kikirikë. Po edhe kikirikë të ishin, do të ishin shumë.

* * *

Koalicioni qeverisës nuk ia del t'i ketë më shumë se 34 deputetë në seanca Kuvendi; nuk ia del të kalojë ama bash asnjë send. Popullorçe do të thoshin "macen prej përsheshit nuk e nxjerr", porse vazhdon të llomotisë duke e vetëkultivuar iluzionin se krejt i ka nën kontroll dhe se krejt punët i kemi në dyzen.

Për të treguar se kinse po mbërrin rezultate, na flet për masa për kontrollin e COVID-it, i cili vazhdon të marrë jetë dhe vazhdon të përhapet. Numri i të prekurve me virus vazhdon të jetë rreth 35% të të testuarve, pavarësisht se në muajin dhjetor numri i testimeve ka qenë mesatarisht më i vogël sesa gjatë nëntorit. Lajmi i keq është që në 18 ditët e dhjetorit kanë vdekur 213 veta nga COVID-i. Masat me zonime, nuk e di nëse po japin rezultate, porse kjo që po ndodh është e frikshme.

E edhe më e frikshme situata në të cilën nuk po e kemi të qartë po qe se autoritetet kanë ndërmarrë diçka që të sigurohen vaksinat edhe për neve. Kjo në ditën kur bëhet publike se 51% e vaksinave të prodhuara janë blerë nga të pasurit, që e bëjnë vetëm 14% të popullsisë botërore.

Vetëm po e paramendoj se si, dikur, do të vijnë vaksinat në të zezën dhe do të shiten me nga 500-600 euro copa nëpër farmacitë e Kosovës...

Sido që të jetë, me rëndësi që shkollat po shkojnë në pushim më datën 18, që atë javën pas do t'i festojmë Krishtlindjet e më pas edhe Vitin e Ri, dhe do të vazhdojmë të dëgjojmë përralla se sa mirë janë duke e menaxhuar pandeminë në Kosovë. Në kohën kur Evropa sërish flet për mbyllje, për shkak të rrezikut që paraqesin mbledhjet familjare për ahengje të fundvitit.

* * *

Duke iu kthyer Kuvendit, duhet ripërsëritur se ia doli që ta kalonte Ligjin për rimëkëmbjen, i cili nuk e di nëse ka nisur së zbatuari, porse e di se ka siguruar lirimin nga taksa minerare ndërmarrjet xehetare dhe gurthyesit. E ky lirim do t'i kushtojë buxhetit veç 15 milionë euro.

Këtë ligj me këtë nen të kontrabanduar e votuan deputetët e koalicionit qeverisës plus PDK-ja, dhe nuk e votuan deputetët e VV-së. Iu deshën tetë përpjekje për ta kaluar atë. Pra tetë seanca të kota. Ndërkohë edhe një seri seancash tjera të kota.

Pra, pa dallim partie a etnie, krejt këta deputetë grumbull, nëse llogaritet vetëm rroga bazë, na kushtojnë 2.2 milionë euro në vit. Në të vërtetë na kushtojë më shumë, madje marrin para edhe nëse veç vijnë e nënshkruhen se po marrin pjesë në seancë.

Që nga fillimi i këtij viti këta i kanë marrë 2 milionë euro: për ta votuar një qeveri, për ta rrëzuar një qeveri; për ta votuar edhe një qeveri dhe për ta votuar një ligj për rimëkëmbje dhe tek-tuk ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Çfarë luksi!

* * *

Por s'janë gjë këta miliona çka janë ata të ndarë për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Hagë. Janë 7 milionë që janë ndarë me buxhet dhe 13 kanë mbetur në rezervë. Pra, 20 milionë për mbrojtje juridike, në kushtet kur tashmë ekziston mekanizmi brenda Gjykatës Speciale për mbulimin e shpenzimeve të avokatëve të angazhuar.

Është problem shumë i madh që honorarët që paguhen për avokatët e angazhuar nuk janë kufizuar në kohë dhe lartësi tarife. Është gjithashtu problem që dikush mund t'i angazhojë 5 avokatë e dikush asnjë, ashtu që të mbrohet nga një i detyrës zyrtare. E megjithatë krejt këta duhen paguar.

Nuk e di nëse zyra e themeluar nga shteti për ndihmë juridike do të ketë kompetencën për të matur dhe miratuar angazhimin real të këtyre avokatëve sa herë që do të bëjnë kërkesa për kompensim. Të supozojmë se ora e punës kushton 250 euro, dhe nuk ka kufizim orësh pune në ditë, a do të mund të ndodhë që cilido avokat të thotë se ia ka dedikuar 12 orë në ditë rastit të cilin e përfaqëson. Kjo përkthyer në ditë bën 3000 euro dita, apo 90 mijë euro muaji apo diçka mbi një milion viti.

Natyrisht nëse avokati është aq i dedikuar sa njëmend nuk pushon asnjë ditë në javë, muaj a vit, dhe ia dedikon 12 orë pune një rasti. Paramendojeni veç sa, në të vërtetë, kushtojnë këta avokatë që e kanë tarifën më të madhe se 250 euro ora. E krejt këto i paguajmë ne, qe e kemi kaluar një ligj për rimëkëmbje, i cili kryesisht nuk mund të zbatohet se nuk ka para ngase duhet miratuar Ligjin e buxhetit për vitin që vjen.

Pra, nëse momentalisht i kemi shtatë të akuzuar në Hagë dhe nëse janë angazhuar 7 avokatë (e janë angazhuar më shumë), vetëm për nëntor e dhjetor do të mund t'i arkëtojnë mbi 1.2 milionë euro, sipas kësaj matematike që duket se nuk ka kush ta kontrollojë.

Kur u votua ky ligj tashmë kishte qenë e qartë se jo pak njerëz do të përfundojnë të arrestuar në Hagë. Prandaj edhe u përcaktua detyrimi ligjor që të akuzuarit të ndihmoheshin me para buxheti për mbrojtje. Porse në asnjë vend nuk u parapa një kufi, një masë se deri në ç'shumë do të mund të mbuloheshin këto shpenzime. Jo vetëm që nuk u caktua limiti, porse edhe u përfshinë shpenzimet për familjarët që do t'i vizitonin në Holandë.

Duke e parë kërkesën e mbrojtjes që gjykimet të shtyhen deri më 2022, kjo do të thotë se këto gjykime do të jenë të gjata. Dhe sa më i gjatë gjykimi, aq më i gjatë edhe angazhimi i një apo shumë avokatëve të huaj që orën e punës e kanë më të shtrenjtë sesa paga minimale mujore e Kosovës.

* * *

Kur merr me i mbledhë milionat e përmendur më lart, del se me dy-tri veprime Kosova i shpenzon 40 milionë euro pa asnjë dhimbtë të vetme në hajni, në favore afariste, në përtaci, e në luks që e tejkalon arsyeshmërinë e mbrojtjes që e garanton ligji.

Me 40 milionë euro mund të blihen mbi 2.5 milionë doza vaksinë anti-COVID që u autorizuan në Amerikë. Popullata që duhet vaksinuar duhet marrë dy doza, në rastin tonë duhet shtuar edhe nja 14 milionë euro për t'i blerë krejt, po qe se mbërrijmë në rend ndonjëherë.

Sa ironike!

Krejt një popull do të kishte mundur ta merrte bile një dozë vaksine, të blerë me paratë tona, të cilat thuajse përherë mbarojnë në xhepat e atyre që nuk duhet.

E ne vazhdojmë të heshtim.

flaka@koha.net