Vështrime

“Zeitenwende”: një paralajmërim

Mund të jemi duke jetuar një moment kthese, me ndikim të madh edhe për Kosovën, shqiptarët e regjionin

1.

Brenda disa ditëve përputhëse Jurgen Habermas, filozofi e intelektuali publik më me ndikim në Gjermani, botoi një ese mbi shansin e dytë gjerman, ndërsa Konferenca e Munihut e Sigurisë një analizë të thellë mbi rolin e ardhshëm të Gjermanisë. Që të dyja analizat identifikojnë atë që mund të jemi duke jetuar më 2020, e që në gjermanishte quhet “Zeitenwende”, pra një ndryshim i epokave historike në politikë. Për Habermasin, bashkimi i Gjermanisë ishte moment kthese, i cili nxori në pah dyzimin pozitiv të dy proceseve: bashkimi i Gjermanisë ishte i mundshëm me bashkimin e mëtejmë të Evropës dhe anasjelltas, me bashkimin e Gjermanisë rriteshin mundësitë për bashkimin e mëtejmë të Evropës. Tash, 30 vjet më vonë, Habermas nxjerr një shans të ri që del po nga interesat e brendshme gjermane. Sipas tij, Gjermania është e detyruar që me partnerët e saj, në radhë të parë Francën, të thellojë nivelin e bashkimit të Evropës në mënyrë që ta shpëtojë rendin e vet liberal-demokratik. Alternativa e bashkimit dhe thellimit të mëtejmë evropian, mendon Habermas, nuk është vetëm rritja e nacionalizmit në Evropë (dhe demokracisë joliberale, siç është rasti me Hungarinë), e me përpjekjet për ta ndalur bashkimin e Evropës dhe për të prishur të arriturat e deritanishme, por edhe rritja e nacionalizmit gjerman brenda vetë Gjermanisë, i cili sot manifestohet me partinë e skajshme të djathtë AfD.