Qeveria Haradinaj po shënon rreth 400 ditë të mandatit qeverisës. Për këto 400 ditë, janë së paku 100 skandale e keqpërdorime të mëdha, apo një në çdo të katërtën ditë. Ja një përmbledhje e tyre:
1. Qeveria Haradinaj rriti numrin e ministrive nga 19 në 21, duke krijuar ministri pa mision të qartë dhe duke krijuar shumë ministri që mbulojnë fusha të njëjta;
2. Vendimi i parë i Haradinajt ishte joligjor. Në mbledhjen e parë të Qeverisë u mor vendim për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, pa u respektuar kriteret e parapara me ligj;
3. Në fund të shtatorit, Qeveria emëroi anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, të cilët rolin e tyre e kufizuan vetëm në vlerësimin e punës së Komisionit paraprak dhe jo në shënjimin e vijës kufitare. Në fund, Qeveria aprovoi raportin e Komisionit të shkarkuar dhe partitë e koalicionit e votuan Marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, ashtu siç ishte propozuar nga Qeveria paraprake, por me afro tre vjet vonesë;
4. Qeveria Haradinaj premtoi se Marrëveshja për vijën kufitare me Malin e Zi do të rishikohet pas gjashtë muajsh, çfarë nuk ndodhi;
5. Nga shtatori 2017 deri në shtator 2018 kryeministri nënshkroi mbi 80 vendime për emërim të zëvendësministrave, apo mesatarisht katër zëvendësministra për një ministri;
6. Kur as kjo nuk i shoi apetitet e partnerëve të koalicionit, kryeministri ndryshoi Rregulloren për përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit duke rritur për shtatë numrin e këshilltarëve për kryeministrin dhe nga një shtesë për secilën ministri;
7. Haradinaj pastaj shpiku pozita të reja në administratën shtetërore, duke emëruar edhe pesë koordinatorë nacionalë të cilët mbulojnë fusha të njëjta me ato të ministrive;
8. Haradinaj emëroi një këshilltar i cili në shumë raporte ndërkombëtare ishte cilësuar si person përgjegjës për kidnapime dhe vepra të tjera kriminale;
9. Haradinaj emëroi një këshilltar tjetër i cili është dënuar me nëntë muaj burgim me kusht për keqpërdorim të fondit në vlerë prej miliona eurosh;
10. Që në ditët e para të mandatit qeverisës, Haradinaj filloi konfrontimin me mediat duke i konsideruar si të pashkollë gazetarët të cilët parashtronin pyetje të cilat atij nuk i pëlqenin;
11. Kryeministri urdhëroi ministrin e MASHT-it që jashtëligjshëm të shkarkojë komplet Bordin e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, pa marrë pëlqimin e Kuvendit ashtu siç e kërkon ligji;
12. Ndërhyrjet politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit ndikuan që Regjistri Evropian për Siguri të Cilësisë (EQAR) ta përjashtojë Kosovën si anëtarë e këtij institucioni;
13. Qeveria mori vendim që pa bazë ligjore të falë rreth 50 milionë euro borxhe të kompanive ambalazhuese të ujit, ani se sipas Ligjit për ujërat këtë kompetencë e ka vetëm Kuvendi përmes ndryshimit të ligjit;
14. I pyetur përse e ka marrë vendimin për faljen e borxheve të ujit, Haradinaj u përgjigj se vendimin e ka marrë “veç se ju ka tekë”, duke dëshmuar edhe një herë arrogancën e tij ndaj publikut dhe ligjeve në fuqi;
15. Po në kundërshtim me ligjin, Qeveria mori vendim për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, duke ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit dhe duke shkelur pavarësinë e Rregullatorit të pavarur;
16. Qeveria emëroi anëtarët e rinj të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke emëruar jashtëligjshëm persona të cilët kanë qenë pjesë e strukturave të partive politike në tre vjetët e fundit;
17. Qeveria ndau 290 mijë euro për familjet e personave të dënuar për terrorizëm në konfliktin e Kumanovës më 2015, disa prej të cilëve kishin edhe precedent penal në Kosovë;
18. Dhëndri 27-vjeçar i Haradinajt u zgjodh në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore;
19. Kryeministri i doli në mbrojtje zëvendëskryeministrit Dardan Gashi i cili shtiu me armë në ajër nga oda e zëvendëskryeministrit Limaj, veprim i dënueshëm deri në pesë vjet burgim sipas Kodit Penal;
20. Në ditët e para të marrjes së mandatit, përveç që emëroi këshilltarë e ministra të cilët kanë konflikt me ligjin, Haradinaj priti shumë persona të dënuar në zyrën e tij. Në Zyrën e Kryeministrit ai priti Agim Shahinin, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, të cilin gjykata e ka shpallur fajtor për mashtrim të bankës dhe e ka dënuar me 18 muaj burgim me kusht. I njëjti ka një rast tjetër gjyqësor për arsye të njëjtë;
21. Përveçqë e kishte pritur zyrtarisht në takim, kryetari i ABK-së kishte marrë edhe ndihmë financiare në vlerë prej 57 mijë eurosh nga Qeveria për organizimin e “Javëve të biznesit kosovar”;
22. Me arsyetimin se e ka agjendën e ngarkuar, kryeministri anuloi pjesëmarrjen në “Samitin 100” i cili u mbajt në Shkup më 16 tetor 2017, në të cilin morën pjesë të gjithë kryeministrat nga vendet e rajonit, përfaqësues të BE-së dhe shumë afaristë nga Evropa Juglindore. Por “agjenda e ngjeshur” e kryeministrit më datën 16 tetor tregon për një takim në zyrën e tij me një të akuzuar nga gjykatat për kërcënim për një tender në KEK, Sami Lushtakun; një takim tjetër me deputetin Milaim Zeka, i cili pak orë pas takimit me kryeministrin u arrestua nga policia nën akuzën për mashtrim të 920 qytetarëve për leje pune në vendet e Evropës;
23. Qeveria ndau 53.1 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel& Enka”, ndërtuese të autostradës Prishtinë-Shkup, me arsyetimin e vonesave në kryerjen e pagesave sipas kontratës. Kjo pagesë e Qeverisë u bë sipas kërkesës së kompanisë, pa pasur një vlerësim të pavarur dhe pa bërë publike vlerësimin e kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në autostradë;
24. E njëjta Qeveri e cila i fali 53 milionë euro për kompaninë ndërtuese të autostradës, injoroi tërësisht ankesat e banorëve të fshatrave të Kaçanikut e Hanit të Elezit për dëmet materiale që u janë shkaktuar në pronat e tyre nga punimet në autostradë;
25. Qeveria Haradinaj vazhdon të mos e aprovojë raportin përfundimtar për listat e veteranëve të luftës, duke lejuar shtimin e shpenzimeve buxhetore për këtë kategori në kundërshtim me rekomandimin e FMN-së që buxheti i veteranëve nuk duhet të kalojë 0.7% të GDP;
26. Buxheti i planifikuar prej 58.7 milionë eurosh për pensionet e veteranëve të luftës për vitin 2018 u shpenzua gati i tëri deri në fund të muajit shtator;
27. Kryeministri e kishte kushtëzuar prokurorin Elez Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të luftës së UÇK-së, që t’ia dorëzonte një raport për hetimet që po kryente, duke ndërhyrë në punën e gjyqësorit;
28. Kryeministri kërcënoi dhe ofendoi prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, ndër të tjera, duke i thënë edhe “hajn i pulave”;
29. Kërcënimet e kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj u dhanë krah kërcënimeve të tjera nga deputetët e partive të koalicionit. Deputeti i akuzuar për mashtrim me viza Milaim Zeka kërcënoi prokurorin e rastit me hakmarrje sipas kanunit;
30. Deputeti Shkumbin Demalijaj (AAK) i cili është një ndër të akuzuarit në rastin e manipulimit me listat e veteranëve, kërcënoi ish-prokurorin Elez Blakaj;
31. Kërcënimeve ndaj ishprokurorit Blakaj iu bashkëngjit edhe nënkryetari i Ramush Haradinaj në AAK dhe deputeti Ahmet Isufi, i cili kërkoi ekstradimin e tij nga SHBA-ja;
32. Edhe pse prokurori ka identifikuar rreth 19 mijë veteranë të rremë të cilët marrin pensione nga buxheti i shtetit, Qeveria Haradinaj ka refuzuar që të ngrijë pagesat për ta;
33. Mbajtja në paraburgim e dy deputetëve të koalicionit qeverisës për shkak të kërcënimit ndaj prokurorëve, la Qeverinë pa shumicën e votave në Kuvend, çfarë pamundësoi edhe vendimmarrjen dhe kalimin e akteve ligjore. Shembull për këtë është edhe dështimi për të votuar pakon e ligjeve që lidhen me administratën publike;
34. Përkundër asaj se deputetët e arrestuar janë pjesë e partive në pushtet, partitë e koalicionit nuk u distancuan nga kërcënimet e deputetëve të tyre, por i klasifikuan arrestimet si veprime politike;
35. Qeveria aprovoi Projektligjin për pensionet e mësimdhënësve të viteve ’90, duke nënvlerësuar qëllimshëm koston buxhetore të tij dhe duke shkaktuar konflikte të mëtejshme me kategoritë e ndryshme të shoqërisë të cilat ishin aktive gjatë viteve ’90, si dhe duke rrezikuar edhe më tej stabilitetin buxhetor;
36. Qeveria mori vendim që të rrisë pagat për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, këshilltarët politikë dhe një pjese të stafit civil të Zyrës së Kryeministrit. Ky vendim u konsiderua si konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit;
37. Përveçqë rriti pagat kundërligjshëm, Qeveria nuk e respektoi as opinionin ligjor të Agjencisë Kundër Korrupsionit;
38. Qeveria emëroi Bordin e ri të PTK-së, ku katër nga gjashtë të emëruarit kanë lidhje të afërta politike e familjare me politikanët në pushtet;
39. Bordi i politizuar i PTK-së, për kryeshef ekzekutiv të PTK-së zgjodhi Gent Begollin, anëtar i partisë së Haradinajt;
40. Qeveria zgjodhi Burim Rrecin, një anëtar të NISMA-s, si sekretar të përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, edhe pse ai ishte i renditur i katërti në listën e komisionit vlerësues dhe ishte cilësuar si jokompetent nga kompania britanike e cila mbikëqyr procesin e rekrutimeve në pozitat e larta në shërbimin civil të Kosovës. Kandidatja me numrin maksimal të pikëve dhe e vetmja e cila ka plotësuar kriteret për këtë pozitë nuk u mor parasysh nga Qeveria;
41. Sekretari i përgjithshëm i MTI-së, i cili u zgjodh në kundërshtim me procedurat, u shkarkua pastaj nga ministri i MTI-së me arsyetimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare;
42. Ministri i cili e shkarkoi sekretarin e përgjithshëm u shkarkua nga partia e tij, e cila pastaj e riktheu sërish në punë sekretarin;
43. Në vend të ministrit të shkarkuar, Qeveria Haradinaj emëroi ministër Endrit Shalën (NISMA) i cili po ashtu ka aktakuzë për gjuajtje me armë;
44. Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila drejtohet nga NISMA, për inspektor të tregut të naftës u zgjodh nipi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMA-s;
45. Para se të shkarkohej nga pozita e ministrit të MTI-së, Bajram Hasani u kujdes që të shpallte zonë ekonomike hapësirën në fshatin Bajë të Malishevës, vendlindje e kryetarit të partisë së tij;
46. Pas kësaj, Hasani shpalli zonë ekonomike edhe Komunën e Vitisë, prej nga e ka vetë prejardhjen;
47. Qeveria dërgoi në Kuvend emrat e gjashtë kandidatëve për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, por vetëm dy prej tyre i plotësonin kriteret profesionale për të qenë anëtarë bordi. Në fund koalicioni qeverisës në Kuvend nuk i zgjodhi as këta dy, duke emëruar persona jokompetentë në Bordin e Rregullatorit më të rëndësishëm në vend. Dy nga kandidatët e emëruar kishin të kaluar politike në kuadër të partive në pushtet;
48. Bordi joprofesional dhe politik i ZRRE-së mori vendim që të rrisë nivelin e humbjeve të energjisë për KEDS, humbje të cilat do të mbulohen nga qytetarët përmes faturave të energjisë;
49. Qeveria ndau një milion euro nga buxheti për të mbuluar energjinë që shpenzohet nga qytetarët në veri të vendit, kësisoj duke diskriminuar dyfish ata të cilët i paguajnë faturat e energjisë me rregull dhe kontribuojnë në buxhet përmes taksave e tatimeve;
50. Edhe pse ekziston një memorandum i nënshkruar në mes të Qeverisë dhe Ambasadës britanike për të mbikëqyrur procesin e rekrutimit në pozita të larta vendimmarrëse, Qeveria i kërkoi Ambasadës që të mos angazhohet në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”. Në kundërshtim me ligjin, Qeveria emëroi anëtarët e Bordit të “Trepçës”, duke emëruar persona partiakë.
51. Qeveria emëron sekretarin e përgjithshëm të MASHT-it në kun - dërshtim me rekomandimet e kompanisë profesionale të angazhuar nga Ambasada britanike. Personi i zgjedhur nga Qeveria është joprofesional dhe politik;
52. Qeveria përzgjedh emrat e anët arëve të Komisionit për Provi min e Jurisprudencës pa e njoftuar kompaninë profesionale mbik ëqyrëse, ashtu siç parashihet me memorandumin e nënshkruar mes Qeverisë dhe Ambasadës britanike;
53. Qeveria dërgon në Kuvend emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale pa e njoftuar kompaninë britanike, duke shkelur kështu memorandumin e bashkëpunimit me Qeverinë britanike;
54. Qeveria dhe Kuvendi vepruan njësoj edhe me rastin e përzgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës;
55. Po njësoj u veprua edhe me anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit;
56. Disa ditë pasi mori postin e kryeministrit dhe rriti pagën e tij, Haradinaj me familje shkoi në pushime në St.Morritz të Zvicrës, një ndër vendet më të shtrenjta turistike. Edhe pse se në “Rubikon” të KTV-së deklaroi se shpenzimet janë mbuluar nga buxheti familjar, ai asnjëherë nuk publikoi dëshmi për këtë;
57. Duke anuluar vendimin e Qeverisë Mustafa për shpronësimet në zonat e mihjes së re për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës, Qeveria Haradinaj mori një vendim të ri për kompensimin e pronarëve, duke injoruar faktet se shumë nga pronarët kishin manipuluar me vlerën reale të pronave të tyre, kësisoj duke rritur shpenzimet për shpronësim;
58. Qeveria mori vendim me të cilin i kërkon KEK-ut që t’u japë përparësi në punësim banorëve të cilët jetojnë në zonat e mihjeve, vendim i cili bie ndesh me Ligjin e punës për mosdiskriminim në punësim dhe ndërhyn në menaxhimin e një ndërmarrjeje publike;
59. Disa herë kryeministri ka pritur në zyrën e tij Milan Radojçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, fuqia e të cilit është më e madhe se e kryetarit të partisë. Radojçiq është përfolur si një nga bosët e nëntokës në veri të Kosovës;
60. Duke iu kthyer rolit që kishte dikur si truproje, kryeministri Haradinaj largoi dhunshëm nga foltorja një zonjë të paftuar në ceremoninë zyrtare për përvjetorin e 140-të të Lidhjes së Prizrenit;
61. Edhe pse kryeministër i vendit, Haradinaj u shpreh se ai nuk ishte i njoftuar me arrestimin e politikanit serb në veri të Kosovës, Marko Gjuriq;
62. Për të treguar edhe më tej absurditetin e koalicionit qeverisës, përderisa disa ministri jepnin urdhër për arrestimin e një politikani nga Serbia i cili ka hyrë pa leje në Kosovë, ministra të tjerë të Qeverisë Haradinaj e shoqëronin në mitingje Marko Gjuriqin dhe e mbronin atë nga intervenimi i policisë;
63. Pas këtij arrestimi, Lista Serbe e cila është pjesë e koalicionit qeverisës deklaroi se do të ngrijë pozitat në Qeveri duke mos dalë në punë;
64. Edhe pse një zëvendëskryeministër, katër ministra, tetë zëvendësministra e dhjetëra këshilltarë politikë të emëruar nga Lista Serbe zyrtarisht kanë ngrirë pozitat e tyre në Qeveri, ata vazhdojnë të marrin paga dhe të shfrytëzojnë asetet shtetërore, kësisoj duke shkaktuar dëm të shumëfishtë për buxhetin e Kosovës;
65. Haradinaj u tregua i befasuar edhe për arrestimin e gjashtë turqve dhe ekstradimin e tyre në Turqi, pa një vendim gjykate. Pas kësaj ai shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, por nuk mori përgjegjësi për atë se një nga ministrat e tij kishte lëshuar leje për aterrimin e aeroplanit i cili do të bartte shtetasit e arrestuar turq;
66. Në kundërshtim me opinionin e Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Ministria e Infrastrukturës ka hartuar udhëzimin administrativ i cili siguron edhe më tej vazhdimin e monopolit në homologimin e automjeteve të importuara. Ministria deri më tani nuk e ka respektuar as opinion e Agjencisë Kosovare të Konkurrencës;
67. Përkundër asaj se Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj zëvend - ëskryeministrit Dardan Gashi për gjuajtje me armë, ai vazhdon të mbajë dy poste në Qeveri, duke përfshirë edhe atë të ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strate - gjike;
68. Përkundër asaj se Prokuroria ngriti aktakuzë për ministrin Besim Beqaj për përfshirjen e tij në aferën “Pronto”, ai vazhdon të mbajë postin e ministrit;
69. Përkundër asaj se Prokuroria ngriti aktakuzë edhe për ministrin e FSK-së Rrustem Berisha për rolin e tij në manipulimin me listat e veteranëve të luftës, ai vazhdon të ushtroj[ rolin e ministrit;
70. Përkundër asaj se ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj vazhdon të mbajë pozitën e tij të ministrit;
71. Përkundër asaj se kishte aktakuzë të ngritur, Qeveria Haradinaj emëroi Valdrin Llukën si ministër të Zhvillimit Ekonomik;
72. Menjëherë pas emërimit të Nenad Rikalos si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, qytetarët filluan të raportojnë se ai i kishte torturuar qytetarët shqiptarë gjatë viteve ’90. Kryeministri i injoroi këto ankesa, ani pse më 2015 ishte vetë Haradinaj që organizoi protesta masive për largimin e ishzëvendëskryeministrit Aleksandar Jablanoviq për shkak të deklarimeve të tij për nënat gjakovare të cilat kërkonin drejtësi për familjarët e pagjetur;
73. Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, suspendoi nga puna kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, pasi që ky i fundit nuk kishte respektuar urdhrin e ministrit rreth një granti prej 165 mijë eurosh për organizatat joqeveritare, njëra ndër të cilat udhëhiqet nga gruaja e ministrit;
74. Edhe pasi që Këshilli i Pavarur i Shërbimit Civil konstatoi se largimi i kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë ishte i jashtëligjshëm dhe ai duhet të kthehet në vendin e tij të punës, ministri Rikalo injoroi opinionin e Këshillit;
75. Të shumta janë skandalet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ministri i Punëve të Jashtme, në një debat në Uashington, ftoi zëvendëskryeministrin serb Ivica Daçiq që të angazhohet në Kosovë për krijimin e një zone ekonomike në veri;
76. Po ashtu, Behgjet Pacolli deklaroi para mediave serbe se është në OKB me lejen e Serbisë, pasi që kryeministrja serbe e pyeti atë se me lejen e kujt ishte ai aty;
77. Po në kuadër të punimeve në OKB në shtator 2018, Pacolli deklaroi për mediat serbe se shqiptarët dhe serbët nuk kanë pasur konflikt dhe se nuk duhet të ekzistojë kufi mes dy popujve;
78. Ishte Pacolli, i cili në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme irritoi kryeministrin e Marokut, pasi që kishte publikuar në llogarinë e tij në “Twitter” fotografi nga takimi joformal me delegacionin e Marokut. Për arsye të njëjta kishte reagim edhe nga Qeveria e Tunizisë;
79. Deklarimet e ministrit të Punëve të Jashtme në OKB, sidomos ato për heqjen e kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve, e detyruan një nga zëvendësit e tij në MPJ që të reagonte kundër shefit të tij;
80. Se MPJ nuk flet fare me një zë dhe është e çakorduar e dëshmon edhe fakti se përderisa ministri i MPJ-së angazhohej për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Islamike, zëvendësi i tij, Gjergj Dedaj, haptas e kundërshtonte një politikë të tillë;
81. Gjergj Dedaj u emërua ambasador në Maqedoni, kundër faktit se ai ishte shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit vite më parë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare;
82. Në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Prishtinë, kryeministri Haradinaj i cilësoi ambasadorët “qyqana”, dhe vazhdoi t’i këshillojë ata që të mos presin udhëzime nga Qeveria, por të informohen përmes mediave. Kjo e shtyu ambasadorin e Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, që të reagojë publikisht dhe ta quajë kryeministrin si të padijshëm;
83. Pak javë pas marrjes së mandatit, Qeveria Haradinaj nënshkroi kontratën për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ndërtimi i të cilit do të rrisë çmimet e energjisë për 60.4%, si dhe i garanton investitorit blerjen e energjisë nga shteti për 20 vjetët e parë të operimit. Kjo marrëveshje e bën Kosovën me çmimet më të larta të energjisë nga të gjitha vendet e rajonit, çka do të ndikojë negativisht në zhvillim ekonomik dhe punësim.
84. Qeveria injoroi vërejtjet e Komunitetit Evropian të Energjisë se kontrata për “Kosovën e Re” paraqet shkelje të rregullave të Traktatit të Energjisë dhe përbën ndihmë shtetërore, çfarë mund të sjellë përjashtimin e Kosovës nga Komuniteti i Energjisë;
85. Të frikësuar se nuk i kanë votat e mjaftueshme në Kuvend, Qeveria e Kosovës nuk bëri rishikimin e buxhetit 2018, ani pse Ligji për buxhetin 2018 ka pësuar ndryshime të rrënjësishme, duke përfshirë 53 milionë eurot që duhet t’i paguhen “Bechtel& Enkas” deri në fund të vitit, shpenzimin e rezervës buxhetore deri në shtator, shpenzimin e buxhetit për pensionet e veteranëve të luftës deri në shtator etj.;
86. Kryeministri Haradinaj u shpreh i kënaqur me punën e zëv - endësministrave pas 100 ditëve punë që nga emërimi, ani pse 10 zëve - ndësministra nuk i raportuan fare;
87. Disa nga zëvendësministrat në Qeverinë Haradinaj madje nuk janë takuar asnjëherë edhe me shefat e tyre, por vazhdojnë të shërbejnë si zëvendësministra. Rasti i tillë ishte edhe me zëvendësministrin Gjergj Dedaj i cili u ankua se nuk e ka takuar asnjëherë ministrin Pacolli;
88. As zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Musliu, nuk kishte komunikim me ministren Reshitaj;
89. Ashtu siç nuk komunikonte me ministrin e Drejtësisë as zëvendësministri Nail Qelaj;
90. Para se të jepte dorëheqje nga pozita e ministres në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj shkoi në Kanada për të marrë pjesë në një aheng familjar, por zyrtarisht e paraqiti edhe si takim në selinë e NATO-s, vizitë nga e cila deklaroi se ka marrë mbështetje për transformimin e FSKsë, ani se detyra e saj nuk kishte fare të bënte me mbrojtjen;
91. Paraditen e datës 6 gusht 2018, kryeministri u takua me ministren e dorëhequr znj. Reshitaj dhe i uroi fat në angazhimet e ardhshme, pasdite lajmëroi se e ka angazhuar si këshilltare politike, pa dhënë asnjë shpjegim sesi dikush me vullnet jep dorëheqje nga pozita e ministres për t’u emëruar këshilltare;
92. Keqpërdorimi i parasë publike ka vazhduar, dhe këtu nuk dallon aspak Qeveria Haradinaj me qeveritë parapake. Ditë më parë mediat publikuan pamje sesi me veturë zyrtare kryhen pazaret shtëpiake;
93. Disa muaj më parë u raportua se nga një veturë zyrtare ishte gjuajtur me armë zjarri, por asnjëherë nuk u bë e ditur se kush ishte duke shfrytëzuar atë veturë zyrtare, edhe pse mediat i publikuan tabelat që dëshmonin se ajo veturë ishte e MTI-së;
94. Zyrtarët e lartë shtetërorë vazhdojnë të gjejnë arsyen më të vogël për të udhëtuar jashtë vendit, kësisoj duke përfituar nga mëditjet dhe përfitime të tjera që dalin nga udhëtimet zyrtare. Aq të shpeshta janë vizitat jashtë vendit, sa edhe kryeministri është ankuar se nuk po ka me kënd të mbajë mbledhjet e Qeverisë. Po ankesat e tij nuk kanë ndryshuar asgjë, ngase ai drejton një qeveri që nuk i jep llogari askush;
95. Dy muaj pas marrjes së mandatit, Qeveria Haradinaj shpenzoi 9.560 euro për blerjen e peletit për ngrohjen e rezidencës “Ibrahim Rugova”, ani se ky objekt nuk ndodhet në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ky shpenzim u konsiderua si i parregullt nga Zyra Kombëtare e Auditimit;
96. Të shumta janë lajmet për politizim të shërbimit civil. Pas politizimit të postit të sekretarit të përgjithshëm të MASHT-it, filloi edhe politizimi i pozitave të larta në shërbimin civil të kësaj ministrie. Sipas raportimeve në media, 30 drejtorë u larguan dhe u zëvendësuan me ushtrues detyre;
97. Qeveria Haradinaj nuk e anuloi kontratën e nënshkruar nga Qeveria Mustafa e cila i jep edhe 34 milionë euro për zgjerimin e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Për shkak se nuk ka mundësi buxhetore për t’i ndarë këto mjete, sipas një hulumtimi të BIRN-it, Qeveria Haradinaj po planifikon që të heqë dorë nga taksa koncesionare për vitet e ardhshme, çfarë do të rrisë dëmin ndaj buxhetit të shtetit për 84 milionë euro;
98. Keqpërdorimet me tenderë në vlerë miliona eurosh kanë vazhduar edhe në Qeverinë Haradinaj. Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik gjeti një mori shkeljesh në tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës për sinjalizimin e rrugëve rajonale. Përkundër këtyre konstatimeve të OSHP-së, Ministria e Infrastrukturës vazhdoi me dhënien e tenderit për kompanitë e njëjta;
99. Ministrat e Qeverisë Haradinaj në vazhdimësi injoruan seancat e Kuvendit të Kosovës, duke mos marrë pjesë në to, duke mos mbrojtur legjislacionin që vetë kanë propozuar, si dhe duke mos u përgjigjur në pyetjet e deputetëve;
100. Ashtu sikurse qeveritë e mëparshme, Qeveria Haradinaj ka vazhduar praktikën e mostransparencës. Shumë vendime të rëndësishme dhe kontrata me vlerë të lartë publike mbesin ende sekret.
Njëqind skandalet e keqpërdorimet e mësipërme janë akte për të cilat është raportuar gjerësisht në media. Por jam i bindur se për një keqpërdorim që bëhet publik, janë edhe tre të tjerë për të cilët ne nuk kemi njohuri. Në një vend me sundim të ligjit, kulturë demokratike e zyrtarë të përgjegjshëm, vetëm një nga këto 100 skandale e keqpërdorime do të ndikonte që të binte Qeveria, ose dikush të shkonte në burg.
Por Kosova është larg një vendi ku sundon ligji, ku qytetarët mbajnë përgjegjës të zgjedhurit, e ku të zgjedhurit kanë pak dinjitet sa të japin dorëheqje për dështimet e tyre.