TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

1889 yılı: 160 Arnavut evinin bulunduğu Krushevo.

Kruşeva

Kruşeva

Në vapën përcëlluese të korrikut të 2024-tës u gjeta në kryeqendrën e Bullgarisë në Sofje, ndërsa vendi im i preferuar ishte sheshi “Sllavejkov” aty ku shiten librat e vjetër. Këtë vend e vizitoja që nga koha para rënies së komunizmit dhe shpeshherë kisha pasur fat që aty të gjeja botime të vjetra në shqip të sjella nga Tirana, po ashtu në kroatisht e gjermanisht që studiuesit bullgarë e shqiptarë i kishin sjellë në bibliotekat e tyre, madje edhe ato nga koha e midis dy luftërave botërore. Po atë vit fati më kishte buzëqeshur si kurrë më parë. Të ekspozuara në tokë në zonën që e ndante shtegun e kalimit midis vitrinave të improvizuara ishte libri “Български прикаски и вѣрования съ прибавление на нѣколко Македоновлашки и Албански” i botuar në vitin 1892 në Sofje i autorit Kuzman A. Shapkarev që ishte i lindur në Ohër. Aty për aty u përpoqa ta përktheja titullin e librit dhe ai ishte: “Tregime e besëtytni bullgare me shtojcën e atyre maqedonovllahe dhe shqiptare”. Përveç tjerash Shapkarev i kishte përfshirë disa përralla të shqiptares Zoica Mallku nga Krusheva që në vitin 1873 ia kishte rrëfyer të birit në qytetin e Botevgradit. Për të pasur një pasqyrë më të plotë të zhvillimeve rreth shqiptarëve të Krushevës, ne do t’i paraqesim disa nga ngjarjet kryesore që janë të lidhura me shqiptarët e kësaj qendre që nga gjysma e dytë e shekullit XV e deri në çerekun e parë të shekullit XX

Shqiptarët dhe vllahët e Voskopojës – themeluesit e Krushevës së sotme

Qyteti i Krushevës ndodhet në skajin perëndimor të lugajës së Manastirit dhe Prilepit. Krusheva është e vendosur në një lartësi mbidetare rreth 1250 metra. Duke qenë i pozicionuar në këtë lartësi ky qytet njëherësh i ka siguruar vetvetes mbrojtje të natyrshme. Kështu në pjesën lindore të qytetit nis shpati i rrëpirë, prej një lartësie rreth 600 metrave duke u lëshuar në Fushëgropën e Prilepit.

Ndër burimet historike më të vjetra të përmendjes së Krushevës është ai osman i vitit 1467, kur kjo qendër përmendet si mezër apo si fshat që ishte në fazën fillestare të formimit. Në atë vit Krusheva ishte ziamet i Hysen Beut i cili përveç tjerash e mbante edhe qytetin e Prilepit me rreth 31 fshatra të tjera. Pra, Krusheva e sotme nisi të formohej në vitin përkatës, fillimisht si fshat dhe gradualisht u përfshi në sistemin timar të spahinjve në Perandorinë Osmane.

Ndërsa, nga fundi i shekullit XVIII, “Krusheva i përkiste Qerim beut nga Ohri, kështu që krueshevasit i paguan taksa këtij beu deri në vitin 1847”.

“Kryebashkiaku m’i dha të dhënat e mëposhtme për historinë e këtij qyteti. Sipas rrëfimit të tij, 120 vjet më parë këtu gjendej vetëm një fermë e vogël – qumështore, e cila punonte arat e pellgut me një palë qe, dhe pranë saj ishte një kishë e vogël…”. Kështu ishte pritur në Krushevë në vitin 1858 diplomati austriak dhe albanologu i njohur Johann Georg von Hahn (1811 – 1869) i cili në vijim e ka sqaruar formimin e bërthamës së Krushevës së sotme në librin e tij “Reise von Belgrad nach Salonik” të botuar në vitin 1868 në Vjenë. “Banorët vllahë të Nikolizës apo Nikopolisit në Shqipëri u dëbuan nga vendlindja e tyre nga fqinjët shqiptarë, siç ndodhi më vonë me ata të Voskopojës dhe këta banorë të dëbuar fillimisht u vendosën në Manastirin e sotëm por duke ikur nga zona moçalore ata shkuan më tej dhe u vendosën në Kursovă”. Përveç tjerash në vitin 1858 konsuli Hahn në Krushevë kishte gjetur rrënojat e një kështjelle të rrënuar, 13 kisha prej tyre më e madhe ishte ajo e “Shën Nikollës” që ishte një ndërtesë madhështore e ndërtuar në vitin 1832 në kohën e “sadriazemit të madh”, Rashid Pashës. Më pastaj në Krushevë ishin 32 hane, 10 farkëtarë, tetë ndërmarrje të përpunimit të dhjamit me prodhimin vjetor të llogaritur në mbi 1000 ngarkesa yndyre që më pastaj eksportoheshin në Kostandinopojë, Selanik, Shkup dhe Manastir”. Sa i përket prezencës së shqiptarëve në këto zona, diplomati austriak, ka shkruar se “elementi shqiptar është i përfaqësuar vetëm pak në rrethinën e Prilepit që i numëron gjithsej 160 fshatra, prej të cilave nga 18 fshatra myslimane, 12 janë të banuara me shqiptarë dhe 6 me bullgarë të konvertuar në myslimanë”.

Pra, është për t’u habitur se pse albanologu Hahn nuk i përmend shqiptarët ortodoksë bashkëthemeluesit e Krushevës që erdhën dhe u vendosën këtu bashkë me vllahët e zonave të Voskopjës. Duke e pasur parasysh se më vonë do të flitet për shqiptarët krushevas, ne do të ndalemi te ndërtimi i kishës së “Shën Nikollës” dhe rolin e familjeve të njohura të Krushevës në ndërtimin e saj. Kështu ndër “familjet e njohura krushvase në fushën e tregtisë dhe çështjeve bankare ishin: Niçota (Nishota), Krinta, Xhufka, Fundi e të tjera”, ka shkruar Dushan J. Popoviq (1894 – 1965).

Po në këtë kohë vjen edhe te formimi i çarshisë që kushtimisht e ndante këtë qytet në mëhallë. Pra, rreth çarshisë apo qendrës së qytetit radhiteshin Mëhalla Vllahe, Mëhalla e Strungëve (mëhalla e vllahëve me origjinë nga zona e Gramosit të Shqipërisë) Mëhalla e Shqiptarëve (arnautëve në origjinal – S. L.), Mëhalla e Epërme, Mëhalla e Mikajve dhe Mëhalla e Romëve. Shqiptarët ishin të koncentruar në Mëhallën e Shqiptarëve dhe të Strugës.

Shtëpi e vjetër krueshevase

Fillimet e propagandës për përfitimin e popullatës krishtere dhe pasojat

Njëra ndër veprimtaritë e cila la pasoja afatgjata jo vetëm mbi ortodoksët shqiptarë të Krushevës, por në përgjithësi edhe të Maqedonisë së sotme të Veriut ishin aktivitetet fetaro-politike për modelimin e Ballkanit pas osman dhe mund të themi se në krahinën e Manastirit, Prilepit e Krushevës, Rekës kësaj veprimtarie i dha zjarr konsulli rus në Manastir, Aleksandar Arkadieviç Rostovski (1860 -1903).

Kështu në numrin e parë të revistës ruse “Живая старина” të vitit 1899 konsulli rus Rostovki e publikoi një artikull, në të cilin janë të paraqitura të dhëna të detajuara që ai ia ka afruar mbi numrin e popullsisë në Vilajetin e Manastirit për vitin 1897. Është interesante se të dhënat statistikore të konsullit rus dallojnë nga statistikat zyrtare turke dhe qysh në fillim ai i ka ndarë banorët e Vilajetit të Manastirit, në bazë të përkatësisë kombëtare dhe asaj fetare si në vijim: shqiptarët gegë, shqiptarët toskë, shqiptarë të krishterë, turqit osmanlinj, sllavë ekzkarkistë, sllavë patriarshistë, sllavë myslimanë, grekë të krishterë, grekë myslimanë, vlleh (cincarë) dhe hebrenj. Sipas konsullit rus Rostovski në vitin 1897, Vilajeti i Manastirit i kishte 803 mijë e 340 banorë dhe prej tyre shqiptarë gegë ishin 144 mijë e 918 banorë, 81 mijë e 518 shqiptarë toskë, 35 mijë e 525 shqiptarë të krishterë, ndërsa sllavë ekzarkistë ishin 186 mijë e 656, sllavë patriarshistë 93 mijë e 694, sllavë myslimanë 11 mijë e 542, më pastaj turqit osmanlinj ishin 78 mijë e 867 banorë, grekë të krishterë 97 mijë e 439, grekë myslimanë 10 mijë e 584, vlleh (Cincarë) 53 mijë e 227 dhe hebrenj 5 mijë e 270 banorë. Megjithatë se sa ishin të dhënat e tij të sakta vërehet në rastin e Krushevës ku ai nuk e kishte evidentuar asnjë shqiptar ortodoks! Prandaj, statistika që konsulli rus Rostovski e ka paraqitur, njëherësh nënkupton se edhe përkrahja konkrete ruse në realizimin e platformave bullgare dhe serbe sa i përket vendosjes së kufijve të rinj në Ballkan, dhe këto platforma në raport me shqiptarët nënkuptonin në radhë të parë shkrirjen e shqiptarëve ortodoksë në bullgarë, grekë e pse jo edhe në serbë dhe dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve myslimanë aty ku ata ishin pengesë e realizimit të këtyre planeve. Kjo madje u pa më qartë kur para krijimit të shtetit të pavarur bullgar nga imperialistët rusë, qarqet kishtare dhe diplomatike ruse u përkujdesën që ta shkëpusnin kishën bullgare nga varësia e Kostandinopojës dhe ta pavarësonin atë.

Ndihmë të veçantë dhe të drejtpërdrejtë në këtë drejtim dha diplomati Iganjtev dhe në vitin 1870 u formua Eksarkia Bullgare. Përçarja në eksarkistë dhe patriarshistë (Kisha Greke me veprimtarinë në hije të qarqeve kishtare të Serbisë) më së keqi u reflektua mbi shqiptarët e besimit ortodoks, sidomos në viset e sotme të Maqedonisë së Veriut dhe kjo u pa në vitet e para të shekullit XX por edhe më vonë kur kishat bullgare, greke dhe serbe fituan tipare kombëtare duke u përgatitur njëkohësisht për fillimin e një lufte agresive të pushtimit të territoreve. Se kjo që thuhet më sipër ishte e saktë flasin edhe faktet se vetë konsulli Rostovski ka pohuar se në përpilimin e statikës së sipërpërmendur ai kishte qenë i informuar nga “komunat krishtere” apo më saktësisht konsulli rus ishte ndihmuar prej priftërinjve që ia kishin besuar atij listat e taksave që çdo shtëpi krishtere ia paguante peshkopit të eparkisë përkatëse, më pastaj ai ishte ndihmuar prej “njerëzve të besueshëm” dhe më së paku ishte mbështetur në të dhënat e propagandistëve të kishave, sepse sipas konsullit rus “të dhënat e tyre gjithmonë ishin të fryra në dobi të përkatësive kishtare të vetë atyre që zhvillonin propagandë”. Bile lidhur me veprimtarinë e qarqeve kishtare serbe konsulli rus ka shkruar se “patriarshistët serbofilë” jetojnë vetëm në rrethet e Kërçovës dhe Dibrës, por ata megjithatë janë nën ndikimin grek! Pra sipas konsullit rus, “serbofilizmi” në këto dy rrethe ishte prezent për faktin se “ndjenja kombëtare e banorëve të krishterë është në nivel shumë të ulët” dhe se sipas tij dialekti i të folmes së gjuhës sllavo-maqedonase është njëfarë kalimi nga e folmja serbe në atë bullgare”. Megjithatë të dhënat e tij për Krushevën edhe një herë e vërtetojnë se pikërisht ishin vetë qarqet ruse që e kishin krijuar këtë pështjellim midis qarqeve krishtere të Ballkanit edhe askush tjetër.

Duke afruar të dhëna për nahinë e Krushevës në vitin 1897, Rostovski ka shkruar se ajo përbëhej “prej 14 vendbanimeve, ndërsa shqiptarë ka në Ostricë, janë 90 banorë që e ndanin përditshmërinë me 160 të krishterë eksrakistë, Divjakë të Epërme ku janë 88 shqiptarë dhe 69 të krishterë eksrakistë, në Divjakë të Poshtme janë 83 shqiptarë dhe 64 të krishterë eksrakistë”. Pra, sipas konsullit rus në vitin 1897 në Krushevë jetonin vetëm 261 shqiptarë! Megjithatë të dhënat për krahinën e Prilepit ndryshonin dhe përkundër fshehjes së numrit të saktë të ortodoksëve shqiptarë, të dhënat për shqiptarët myslimanë dukej të ishin më të sakta. Kështu, sipas Rostovskit “Nahia e Prilepit përbëhej prej 116 vendbanimeve, ndërsa në vetë kazanë e Prilepit nga 18 mijë e 380 banorëve 4 mijë e 800 ishin shqiptarë. Ndërsa nga numri i përgjithshëm i banorëve 41 mijë e 9, shqiptarë ishin 6759 banorë.

Konsulli rus në Manastir, Aleksandar Arkadieviç Rostovski (1860 -1903)

Propagandistët e paguar

Njëri prej atyre që po ashtu ishte vendosur në shërbim të propagandës kishtare serbe, ishte Spiridon Gopçeviç (1855 – 1937). Ky autor e ka vizituar Krushevën në vitin 1888, por sipas porositësve dhe financuesve, ai në këtë qytet nuk duhej të shkruante dhe mozomakeq të evidentonte diçka në lidhje me shqiptarët!

“Duke ecur rrafshinës dy orë larg Prilepit, kalohet në disa fshatra ku jetojnë vetëm banorë serbë dhe pak banorë shqiptarë. Prapa fshatit Vërboci (me 120 banorë shqiptarë, 120 serbë dhe 80 ciganë) dhe mu kundrejt fshatit Tërstenik jetojnë 220 cincarë dhe aty rruga e merr drejtimin e grykës shkëmbore”, ka shkruar Gopçeviç duke shtuar se “vetëm një kilometër nën majën shkëmbore të malit – gjenden të ngjitura brigjeve 1 mijë e 650 shtëpitë e Krushevës me 7 mijë banorë cincarë dhe 3 mijë banorë serbë! Krusheva i ka 12 kisha, ndërsa më e madhja është ajo e “Shën Nikollës”. Ndërsa mijakët e Krushevës janë me origjinë nga Galishnica dhe Llazarpolja”, ka përfunduar ai.

Mbirja e 160 shtëpive shqiptare në Krushevë

Në verën e vitit 1889 Krueshevës ia kishte mësyrë linguisti gjerman Gustav Ludwig Weigand (1860 – 1930).

“Në orën 6 të mëngjesit me një karrocë u nisëm nga Manastiri. Fillimisht ecëm përgjatë së njëjtës rrugë që çon në Prilep, e më pas u kthyem në të majtë dhe vazhduam përgjatë shpateve të qafës së malit. Pas udhëtimit pesë orësh, arritëm në një bujtinë në rrugën e re që të çon nga Prilepi në Krushevë dhe qëndruam një kohë të gjatë për të pushuar”, ka shkruar Weigand, i cili më saktësisht ka qëndruar në Krueshevë nga 26 qershori deri më 3 korrik 1889. Përveç tjerash në këtë qytet atij i kishin pëlqyer shumë gjëra.

“Gjëja më interesante në Krushevë janë punimet me dru në kishën kryesore”, më pastaj ai ka shkruar edhe se sa të vyeshëm ishin krueshevasit pasi më parë i kishte takuar disa “argjendarë krueshevas në vende të ndryshme të Turqisë dhe Greqisë”. Megjithatë linguisti gjerman nuk ka mundur t’i shpëtojë përshkrimit të luftës së propagandës së kishave.

“Përballë fshatit, në një lartësi, nga arumunët u ndërtua një kishë në frymë kombëtare, por pasi ajo i hapi portat, ndërtuesit donin të shkruanin diçka nga shkrimet e shenjta në gjuhën arumune e jo në greqisht, kështu që peshkopi e mbylli kishën e porsandërtuar!”

Por, mund të themi se të dhënat me vlerë që ky autor i afron janë ato në lidhje me numrin e popullsisë.

“Në shekullin e kaluar Krusheva ishte vetëm një çiflig i vogël të cilin e blenë arumunët e Voskopojës dhe të Gramozit për 400 mijë pjastra. Më vonë këtu u vendosën edhe bullgarët, numri i të cilëve rritet jo për shkak të migrimeve të tyre nga rrafshina por edhe për shkak të numrit të madh të fëmijëve në familjet bullgare. Popullsia e Krushevës përbëhet prej 7 mijë e arumunëve, 4 mijë bullgarëve dhe 800 shqiptarëve dhe siç shihet Kruesheva i ka gjithsej 12 mijë banorë”, ka shkruar ai, ndërsa sipas llogaritjes në vitin 1889 rezulton që në këtë qytet të kishte rreth 160 shtëpi shqiptare.

Kültür Eki'nin bir sonraki sayısında devam edecek