Aktori i njohur Pierce Brosnan mendon se aktori Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm. Ish-interpretuesi i agjentit 007 ka vlerësuar se aktori 36-vjeçar ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol legjendar.
Brosnan, i cili luajti James Bondin në katër filma nga viti 1995 deri në 2002, ka thënë për revistën Moda dünyası se e admiron Turnerin, me të cilin ka punuar më parë.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë”, u shpreh ai.

Aktori ka shtuar se të gjithë emrat që përfliten për rolin kanë zërin, fizikun dhe praninë e duhur në ekran, duke i uruar sukses kujtdo që do të zgjidhet.
“Është e vështirë të thuhet se kush do ta marrë rolin, por mezi pres të mësoj lajmin dhe të festojmë emrin e James Bondit të ri”, ka thënë Brosnan.

Ai shprehu gjithashtu entuziazmin për filmin e ardhshëm, i cili do të drejtohet nga regjisori Denis Villeneuve, i njohur për filmat “Dune”.
“Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Ai është një regjisor vizionar dhe mënyra se si ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme. Filmi do të jetë vërtet madhështor”, u shpreh Brosnan.
Ndërkohë, Turner është përfolur prej kohësh si një nga favoritët për të zëvendësuar aktorin Daniel Craig në rolin e agjentit të famshëm. Megjithatë, aktori ka mohuar se ka marrë ndonjë informacion për përzgjedhjen.

“Di po aq sa dini edhe ju. Madje, miqtë e mi më të mirë më pyesin për Bondin, ndërsa unë nuk di asgjë. Është shumë e çuditshme të flitet kaq shumë për diçka që në të vërtetë nuk po ndodh ende”, ka deklaruar Turner.