TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Köşe yazısı

Sırbistan II, iki kişilik delilik

A ekziston faji kolektiv? Po, por vetëm nëse nuk i ka bashkëfajtorë ata që duhet ta ndëshkojnë

Gjindja besojnë në lloj-lloj gjërash e më së paku në ato që duhen besuar.

Disa nuk besojnë se duhet të vaksinohen fëmijët, disa nuk besojnë se toka është e rrumbullakët dhe babai im, në pasditen e 24 marsit 1999, në tërë arsyeshmërinë e ftohtë që e karakterizonte, nuk besonte se në botë kishte paarsye dhe priste që Milosheviqi të dorëzohej brenda pak ditësh të bombardimeve të NATO-s. Unë e ai patëm një zënkë në mëngjesin e nesërm, kur pashë se nuk kishim as bukë dhe se në frigorifer nuk kishim asgjë për një kaftjall: as pashtetë, as vezë, as djathë. Çdo ditë tjetër do t’i kishim, atë ditë, si për inat jo, sepse nuk kishte besuar se do të na duheshin. „Për një ditë a dy, kryhet krejt“. Po ofronte optimizëm të matshëm me vezë e pashtetë.

Atë mëngjes dola të blija bukë. Shërbenin një serbe dhe një shqiptar. Shitësi shqiptar dukej i çmerritur. Blerës serbë e blerëse serbe po e maltretonin, kërcënonin dhe fyenin. Nuk ishin Milosheviqi. Nuk ishin ushtarë. Ishin qytetarë e qytetare të zakonshme. Kojshi e kolegë.

Nëna ime kishte një kolege serbe, me të cilën shoqërohej që nga studimet. Mbanin të njëjtën lëndë, por ajo për studentët serbë e kjo për studentët shqiptarë. Kur nënën time e patën dëbuar nga puna, kolegia serbe nuk qe solidarizuar, nuk pati ndihmuar, as nuk pati pyetur ndonjëherë nëse kishim nevojë për ndonjë gjë. E kishim. Të dy prindërit qenë dëbuar nga puna brenda së njëjtës kohë. Nuk kishim asnjë të ardhur të vetme. Për kolegen serbe, shoqja e saj e studimeve, përnjëherë ishte bërë disi më pak njeri, ishte bërë njëfarë armiku abstrakt që duhej çrrënjosur, siç religjione të caktuara propagojnë çrrënjosjen e djallit nga trupi i dikujt.

Kur më 1999, zyrtarë dhe zyrtare të bashkësisë ndërkombëtare flisnin për luftën, kryesisht e shihnin si një konflikt, ku një lider i keq politik i kishte shtyrë disa ushtarë të bënin krime e vrasje e përdhunime, e plaçkitje e shkatërrime e terror. Për ne që e kemi jetuar atë periudhë, nuk ishin ushtarët më të këqijtë. Më të zinj ishin fqinjet dhe fqinjtë tanë, ata që ua bënin me gisht ushtarëve nga të shkonin e kë ta sulmonin.

Pyetja që më ndjek 27 vjet e kusur është: pse është legjitime ndonjëherë të fajësohet një popull i tërë? Pas Luftës së Dytë Botërore në botën akademike bëhej dallimi mes përgjegjësisë kolektive dhe fajit kolektiv. Faji penal është gjithmonë individual, nuk mund të vihet në gjyq krejt një popull. Mirëpo, fajet politike dhe morale mund ta përfshijnë kolektivin. Një popull nuk mund ta kryejë gjenocidin kolektivisht. Atë, në emër të tyrin, e kryen dikush me emër e mbiemër. Mirëpo, nëse një popull e kremton gjenocidin, atëherë është fajtor moralisht dhe politikisht. Muralja e Ratko Mladiqit në Vraçar që ripikturohet sa herë fshihet, nuk është punuar nga vetë Mladiqi. Kur një shoqëri voton, ngre murale, hesht a brohoret një kriminel të shpallur të luftës, ajo shoqëri bën veprim kolektiv dhe bëhet përgjegjëse për atë veprim. Gjithë kjo që ndodhi me kremtimin e Mladiqit ndër serbët dhe serbet, tregon sa fajtor, në të vërtetë, mund të jetë një popull i tërë.

Për fajin kolektiv, më 1946, ka shkruar një gjerman, Jaspersi, duke folur për fajin e gjermanëve dhe të gjermaneve si popull në Luftën e Dytë Botërore. Populli gjerman sakaq ndërtoi kulturën e përballjes me fajin e vet. Philipi, kolegu im gjerman, po ma kujtonte se muzeun e hebrenjve në Berlin e kanë bërë ata, gjermanët, e jo hebrenjtë.

Natyrisht, edhe ne kemi fajet tona.

Pas luftës në Kosovë, Fatmir Fehmiu, profesori i së Drejtës Kushtetuese dhe Administrative, më deklaronte zyrtarisht se duhet të bëheshin kallëzime penale për secilin krim të kryer në Kosovë – me emra, me procedurë, me gjyq. Në atë ngarendjen për të uzurpuar banesa, dyqane, kolltuqe e prona, nuk patëm vakt të bënim një gjë të tillë. Ky është faji ynë kolektiv. Siç janë faje tonat kolektive dështimi në Pisa, moszgjidhja e shumë problemeve pronësore pas zaptimeve të pronave (të serbeve dhe të shqiptareve) pas luftës, keqfunksionimi i sistemit gjyqësor e të ngjashme.

Mirëpo, fajet penale janë individuale dhe, prandaj, individët dalin para gjyqeve – asnjë popull nuk fajësohet as nuk shfajësohet nga vendimi për liderët e vet. Popujt fajësohen vetëm me atë që e bëjnë vetë: kremtimin e krimit, heshtjen para tij.

Serbët dhe serbet janë fajtore për krime që janë bërë në emër të tyre. Janë fajtore përmes kremtimit që ua bëjnë krimeve të tilla. Kanë krijuar narrativa që dehumanizojnë tjetrin/tjetrën dhe këtë e kanë nxitur edhe studiuesit më të pranuar ndërkombëtarisht të tyre, mes të cilëve edhe Aleksandar Beliq e Jovan Cvijiq, i pari dikur edhe kryetar i Akademisë së tyre të Shkencave e që, mes tjerash, kërkonte që çështjet si ajo e Kosovës duhen zgjidhur radikalisht. Akademia Serbe e ka shpallur vitin 2026 vit të Beliqit.

Kur treguan se po dilte Joker II, mezi prisja ta shihja. Erdhi në kinema dhe ata/ato që e kishin parë, pa përjashtim, më thoshin se nuk ia vlente. „Mos shko. Pa lidhje“. I pashë edhe vlerësimet dhe kritikat. Nuk ia vlen. E megjithatë shkova ta shihja dhe, siç edhe kisha menduar, regjisori Todd Phillips nuk kishte zhgënjyer. Joker I tregon se çfarë ndodh me individin kur nuk mund të integrohet në narrativën tonë të përbashkët sociale. Joker II shkon tutje: çfarë ndodh me ne kur ky person i përjashtuar krijon shoqëri dhe tok ndërtojnë një rrëfim të përbashkët që përpiqen ta imponojnë si të vërtetë? Kjo e bën titullin Folie à Deux shumë domethënës. Në psikiatri, termi nënkupton deluzionin e përbashkët të dy (a më shumë) personave. Harley Quinn nuk është vetëm partnere e Jokerit deluzional. Ajo është pasqyra e amplifikimit të mitit të tij. Në raste të tilla, ajo shoqëri deluzionohet. Harley nuk e do Arthurin. E do mitin e “heroit”. E deluzioni ka nevojë për audiencë.

Nuk dua të vazhdoj dhe ta analizoj raportin mes deluzionit dhe spektaklit që ofron filmi, por do të kthehem te deluzioni serb. Një popull i tërë të kremtojë dikë që ka ekzekutuar 8000 e sa civilë në emrin e tyre? Po, ky popull është fajtor. Nuk mund ta fusim në burg, por do të duhej të ishte përjashtuar nga çdo privilegj politik dhe të trajtohej si i pamoralshëm.

Kjo nuk do të ndodhë, ndoshta se politika është akt i pamoralshëm më vete. Ndoshta se bota është duke u shndërruar ngadalë në rrëfimin deluzional që ka prodhuar Luftën e Dytë Botërore.

Tifozë të Zvezdës dhe të Partizanit nxjerrin portretet e Mladiqit si hero serb në stadiume dhe UEFA i ndëshkon me para (dhe ndeshje pa shikues që është njësoj ndëshkim me para në fund), siç u ndëshkuan nga FIFA Xhaka e Shaqiri për shqiponjën. E shqiponja është akt i shprehjes së zakonshme të identitetit etnik a kombëtar. Mladiqi është celebrim i vrasjes së mijëra njerëzve, përfshirë 8000 njerëz të pafajshëm, civilë, brenda pak ditësh në Srebrenicë; i tentimit për të zhdukur një popull të tërë. Demek, s’ka dert, sa e bën simbolin kombëtar, futja mbyti nja tetë-nëntë mijë njerëz, e kurrgjë, veç paguan pare. Nejse, jo edhe qaq, qaq shumë. FIFA, fundi i fundit, ka pare si Xhajiqi.

BE-ja, ndërkaq, dënon verbalisht Serbinë. Nuk ndërmerren masa. Nuk ka heqje të liberalizimit të vizave, nuk ka sanksione. Rrjetet sociale nëpër botë përnjëherësh po vërshojnë me komente huliganësh e huliganesh evropiane që e shohin Mladiqin si njëfarë luftëtari të Krishtit. Lum Krishti për ta!

Rastet e tilla të indiferencës ndaj gjenocidit janë njëfarë bashkëpunimi dhe bashkëfajësie. Njësoj siç ishin bashkëfajtorë holandezët e UNPROFOR-it që lejuan krimin.

Indiferenca e tillë është spektatore e Folie à deux.

Ndoshta në rast të këtillë, serbët dhe serbet më as nuk qenkan fajtorët e vetëm kolektivë.

Me fjalë të tjera: Bllëk!