TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Padua'nın övündüğü Arnavut filozof

Tobias Stimmer'in gravüründe Niccolò Leonico Tomeo'nun portresi

Tobias Stimmer'in gravüründe Niccolò Leonico Tomeo'nun portresi

“Tomeo shquhej për një karakter shumë të dashur. Sjellja e tij ishte ajo e një filozofi të vërtetë, sepse mënyrat e tij ishin të thjeshta dhe luksi nuk u lejua kurrë t’ia korruptonte dëshirat. Ai ishte i përkushtuar ndaj kërkimit të së vërtetës dhe, duke qenë se nuk dëshironte kurrë duartrokitjet e publikut, ua la ambicien njerëzve të zakonshëm”, shkruhet në librin e botuar më 1822, “Udhëtimet e Theodore Ducasit, në vende të ndryshme të Evropës, gjatë rilindjes së letërsisë dhe artit”, në pjesën që i kushtohet filozofit shqiptar, Niccolò Leonico Tomeo (1456 – 1531)

Tomeo

Padova, një qytet pjellor në figura të mëdha letrare, nuk është krenuar kurrë me një dijetar më të shquar se Niccolò Leonico Tomeo. Ai ishte venecian nga lindja dhe shqiptar nga prejardhja. Kishte studiuar greqishten nën drejtimin e Dhimitrit të Kalkidës, në Firence dhe u bë një zotërues aq i përsosur i gjuhës, saqë mund të jepte leksione mbi Platonin dhe Aristotelin në greqishten origjinale. Një mjeshtëri e tillë kishte qenë deri atëherë e rrallë.

Tomeo ishte një njeri me shije të hollë dhe dëshironte të arrinte deri te burimi, me qëllim që të rivendoste filozofinë, të cilën e gjeti të shpërfytyruar mjerisht nga hollësitë boshe të skolastikëve dhe nga spekulimet e cekëta të komentuesve arabë. Ai përktheu me shumë elegancë disa pjesë të Aristotelit që lidheshin me historinë natyrore.

Ai hartoi dhjetë dialogë, sipas mënyrës së akademikëve, mbi çështje të rëndësishme ose kureshtare, si parashikimi i së ardhmes, prejardhja e emrave, oguret, pavdekësia e shpirtit e të tjera. Një vepër tjetër, “De Varia Historia Libri Tres” (“Tre libra mbi historinë e ndryshme”), ka veçantinë se u shkrua në rini, por nuk u botua derisa autori kishte arritur një moshë të përparuar. Një përmbajtje e tillë është shumë e rrallë në karakterin letrar.

Prandaj, Tomeo nuk iu nënshtrua bezdisë së shpalljes publike të ndryshimeve në mendimet e tij. Armiqtë e tij nuk patën kënaqësinë të gjurmonin dallimet ndërmjet përshtypjeve të tij të para dhe gjykimeve të tij më të vona. Libri nuk ka ndonjë meritë të madhe dhe nuk do të kishte shërbyer kurrë si themel i një reputacioni. Por bota shpesh ia nënshtron gjykimin e saj gjykimit të një njeriu me talent të pranuar dhe admiron tek ai atë që do ta kishte dënuar te një autor më i ri.

Tomeo shquhej për një karakter shumë të dashur. Sjellja e tij ishte ajo e një filozofi të vërtetë, sepse mënyrat e tij ishin të thjeshta dhe luksi nuk u lejua kurrë t’ia korruptonte dëshirat. Ai ishte i përkushtuar ndaj kërkimit të së vërtetës dhe, duke qenë se nuk dëshironte kurrë duartrokitjet e publikut, ua la ambicien njerëzve të zakonshëm.

Ai vdiq në vitin 1531, në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare. Si një ogur të vdekjes së tij, ai kishte marrë humbjen e një krilli të dashur, të cilin e kishte ushqyer me dorën e vet për dyzet vjet; por në moshën e përparuar të Tomeos, edhe fatkeqësia më e vogël merret si ogur i një fatkeqësie më të madhe.

“Udhëtimet e Theodore Ducasit, në vende të ndryshme të Evropës, gjatë rilindjes së letërsisë dhe artit”

Redaktuar nga Charles Mills

Pjesa e parë.

Italia.
Vëllimi II.

Londër:
Shtypur për Longman, Hurst, Rees, Orme dhe Brown,

Paternoster Row.

1822

Titulli i këtij teksti është i Redaksisë. Përgatiti për KOHËN: Bejtullah Destani