Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ekziston frika që Kosova të jetë sërish cak i sulmeve nga Serbia.
“Është e vërtetë që kohëve të fundit është lajm i mirë kur shohim qytetarë serbë që marrin targat e Republikës së Kosovës, pajisen me pasaporta të Kosovës, por që duhet thënë edhe një e vërtetë tjetër që në atë pjesë të vendit situata është e brishtë. Me vetë faktin që këtë javë do të kemi Samitin e radhës NATO-BE-SHBA ku Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e këtij samiti, ku flitet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Republikën e Kosovës, do të thotë ekziston frika që kjo pjesë mund të jetë cak i sulmeve ndoshta nga Serbia përsëri. Duhet përpjekje të NATO-s, KFOR-it, Kosovës, që të menaxhohet kjo situatë”, tha Miftaraj.
Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do ta shfrytëzojë potencialin destabilizues në Kosovë.
“Si do të jetë reagimi ynë, i NATO-s, KFOR-it, që këtë ta menaxhojë, mbetet të shihet. Por, hapësira për destabilizim ka shumë”, tha ai.
Miftaraj tha se është mirë që Policia e menaxhon atë pjesë shumë më mirë se në të kaluarën, por kjo duhet bëhet në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Miftaraj: Fondi i Sigurisë duhet të bëhet publik
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Fondit i Sigurisë duhet të bëhet publik.
“Tenderat që i shpall Ministria e Mbrojtjes janë publikë, shpenzimet duhet me qenë publike në bazë të ligjit të Kosovës, kështu që edhe ky Fond do të duhej të ishte publik, qytetarët do të duhej të informoheshin se sa mjete janë nda nga qytetarët qoftë në Kosovë, qoftë në diasporë lidhur me këtë fond. Është e çuditshme se pse kjo s’po ndodh dhe shpresojmë se ministri i ri i Mbrojtjes në njëfarë mënyre do ta zbatojë ligjin, do t’i informojë qytetarët, publikun sa më shpejtë që është e mundur se sa mjete janë mbledhur në këtë Fond të Sigurisë”, tha Miftaraj.
Ai tha se sipas informacioneve, shuma e këtitj Fondi është shumë e vogël.
“Në bazë të informatave që ne kemi është një shumë shumë e vogël, fatkeqësisht, por që në fund të fundit shtetet nuk duhet të mendojnë që ta zhvillojnë ushtrinë e shtetit përmes donacioneve apo përmes formave vullnetare të qytetarëve. Kosova nuk mundet me marrë si shembull Izraelin kur ka ndodh do të thotë në vitet ‘70-‘80-ta, Izraeli e ka një diasporë shumë të pasur, dhe për ta 10 miliardë, 20 miliardë ndoshta nuk janë shumë por për Kosovë, për shqiptarë në botë është problem me i mbledhë do të thotë donacionin 1 miliard- 5 miliardë me e ndihmu Ushtrinë e Kosovës për me zhvillu Ushtrinë e Kosovës”, theksoi Miftaraj.