Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Haliti, ka theksuar se ngritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar, ka reflektuar edhe në ngritjen e çmimeve në Kosovë.
“Ngritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar, ka reflektuar edhe në ngritjen e çmimeve edhe në Kosovë, me çka është rënduar edhe shporta e konsumatorit”, ka deklaruar Haliti, në emisionin “Tempus”, në KTV.
Ai ka përmendur edhe raportin e publikuar nga UNDP-ja me titull, “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, në të cilin tregohet se Kosova gjatë vitit 2022 kishte inflacion të produkteve ushqimore prej 19%, rritje të çmimeve për produktet bazë dhe rritje të borxhit për familjet kosovare.
“Shoh se ka parametra jopozitivë sa i përket kësaj teme për çka edhe është ftuar emisioni sot. Edhe përkundër që kemi pasur disa masa nga ana e Qeverisë sa i përket këtyre kategorive që janë më së shumti në nevojë, duke intervenuar me pako të ndryshme, si për personat që përfitojnë nga skema sociale, gjithashtu për pensionistët, studentët, nënat lehona, e shumë kategori të tjera. Kështu që ai raport paraqet realisht sigurisht një situatë ndoshta të përafërt me atë që ndodhet në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”, ka deklaruar Haliti.