TEMPUS

Profesori Rexhepi: Problemi është kur njerëzit marrin pozita pa kompetencë

Sejdi Rexhepi, profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka deklaruar se është problem kur në pozita të caktuara vendosen persona që nuk kanë kompetencë për t’i mbajtur ato pozita.

Rexhepi në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se në menaxhmente konkurrojnë njerëz për anëtarë bordi ose kryeshefë në ndërmarrje publike pa marrë parasysh kompetencën që kanë për përmbushje të detyrimeve.

“Ne, nuk e atakuam problemin themelor që ka të bëjë me menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe llogaridhënien. Domethënë edhe Ligji për Fondin Sovran lidhet me këtë problem që aktualisht e ka edhe “Trepça” dhe përderisa mungon llogaridhënia e menaxhmentit dhe përderisa edhe në të kaluarën edhe tash menaxhmenti ose pretendentët për anëtarë të bordit ose për kryeshef, konkurrojnë pa marrë parasysh kompetencën që kanë për përmbushjen e detyrimeve që kanë, kështu do ta kemi edhe në të ardhmen edhe nëse e krijojmë Fondin Sovran. Problemi nuk është tek nomenklatura, tek struktura juridike ose tek rregulloret, problemi është në kompetencën e njerëzve që marrin përgjegjësi patën, s’patën ekspertizë për atë fushë”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka theksuar se në këto pozita konkurrojnë njerëz që nuk e parashikojnë nëse mund t’i kryejnë punët ose jo.

Rexhepi ka thënë se raste të tilla ka në borde të cilat tashmë janë emëruar dhe shkarkuar nga vetë Qeveria.

“Njerëzit pretendojnë që të marrin një pozitë, s’është me rendësi për ta marrë një honorar dhe për me dhënë llogari për atë që nuk e ka kryer dhe kjo do të reflektohet me probleme tjera, ne e kemi rastin e bordeve të cilat Qeveria vetë i ka emëruar dhe vetë i ka shkarkuar, arsyeja është se konkurrojnë njerëz pa e ditë veten dhe pa i matur hesapet se a mund ta kryejnë atë punë a jo”, është shprehur Rexhepi.