Kryesindikalisti i minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, i cili bashkë me minatorët e tjerë është në grevë me kërkesë që t’iu përmirësohen kushtet e punës, t’iu dalin pagat me kohë dhe të shkarkohet menaxhmenti, teksa ka treguar kërkesat e minatorëve, ka thënë se jeta e tyre është në rrezik.
“Kërkesat janë minimale, janë sociale dhe nuk janë politike. Janë kërkesa shumë të thjeshta dhe të lira për me gjet një zgjidhje të përbashkët. Mirëpo, nuk kemi pasur kontakte as vizita as nga Qeveria as nga kontribuesit nga Qeveria për këta minatorë. Arsyeja për shkarkimin tim mund të jetë në planin e dytë, më e rëndësishme është të komunikohet për të gjet një zgjidhje sepse shëndeti i tyre prej momentit në moment është duke u rënduar dhe jeta e tyre është duke u rrezikuar”, ka theksuar Januzi, në një lidhje direkte në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka deklaruar se kërkesa e parë është realizimi i pagës mujore me kohë për çdo muaj nga data 6 deri 10, kërkesa e dytë është llogaridhënia dhe shkarkimi i menaxhmentit dhe kërkesë tjetër është sigurimi shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të mira për punë.
“Roli ynë si Sindikatë ka qenë dialogimi dhe negocimi në emër të minatorëve grevistë”, është shprehur Januzi.