Njohësi i ekonomisë, Erton Bega, ka thënë se nuk beson që Fondi Sovran do të jetë i suksesshëm.
Sipas tij, për të menaxhuar një bord të tillë duhen edhe resurse njerëzore.
“Duke parë mënyrën se si po operohet tani nga mazhoranca, unë nuk besoj që ky Fond do të jetë i suksesshëm sepse për të menaxhuar një mega-bord të tillë përveç resurseve financiare duhen edhe resurse njerëzore”, ka theksuar Bega në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka deklaruar se edhe në këtë Qeveri po vazhdojnë emërimet partiake nëpër borde.
“Kjo Qeveri, sikur qeveritë e mëparshme nuk është karakterizuar me emërime profesionale. Vazhdojnë domethënë me kritere të njëjta të emërimeve partiake nëpër borde”, është shprehur Bega.
Ndërsa, në aspektin funksional, sipas tij ky bord do të rrisë burokracinë e vendimmarrjes.
“Në aspektin funksional, ky do të jetë një bord mbi borde i cili do të rrisë burokracinë e vendimmarrjes sepse edhe sot do të zëvendësojë me njëfarë forme Ministrinë e Ekonomisë apo kush i ka ndërmarrjet në mbikëqyrje. Domethënë edhe sot ekzistojnë mekanizmat ligjorë që të transformohen ndërmarrjet publike në atë që synohet”, ka deklaruar Bega.