Koordinatori i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka theksuar se ekonomia e vendit në këtë mandat të Qeverisë Kurti, po shënon degradim dhe se ekonomia e vendit nuk mban mend rritje më të ulët.
“Ne konsiderojmë se gjatë këtij mandati qeverisës, ekonomia e vendit po shënon degradim çdo ditë e më tepër… Shohim se këtë vit, në tremujorin e dytë të vitit, norma e rritjes ekonomike ka qenë vetëm 2.02 për qind. Pra, vetëm 2.02% rritje reale të bruto produktit vendor. Këso rritje të ulët, ekonomia e vendit nuk mban mend, nuk ka shënuar për më shumë se një dekadë. Kjo është realiteti. Që nga ardhja në pushtet, e Qeverisë Kurti, përfshi edhe mandatin e parë, pavarësisht se ishte shkurt, çmimet në Kosovë janë rritë, sidomos çmimet e ushqimit janë rritë për diku 32 për qind. Pra, për një pensionist që i merr 100 euro pension, sot ato 100 euro i vlejnë diku 30 euro më pak sesa para se me ardhë kjo Qeveri në pushtet”, ka deklaruar Mustafa në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas tij, derisa çmimet janë rritur, të hyrat e qytetarëve kanë mbetur të njëjta.
Ai ka deklaruar se rritja e të hyrave që u përmend nga zëvendëskryeministri Getoar Mjeku, ka ndodhur si rezultat i rritjes së çmimeve.