Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana, ka thënë se vetëm dy nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), janë në përputhje me Kushtetutën.
Ai në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se prej që ky plotësim-ndryshim i Ligjit është votuar në Qeveri, IKD-ja ka kërkuar që të mos miratohet, pasi që thuajse të gjitha dispozitat e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“IKD-ja ka kërkuar që ky plotësim ndryshim i ligjit të mos miratohet sepse mund të themi se të gjitha dispozitat janë në kundërshtim me Kushtetutën, mos të themi të gjitha, pra vetëm dy nene të këtij Projektligji janë në përputhje me Kushtetutën”, është shprehur Makshana.
Sipas Makshanës, vetëm qëllimi i ligjit dhe hyrja në fuqi janë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa në të tjerat janë evidentuar shkelje kushtetuese.
Makshana ka thënë se në bazë të dispozitave kushtetuese, në bazë të praktikës kushtetuese dhe në bazë të gjetjeve të IKD-së, ky ligj nuk do ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka theksuar se në analizën e IKD-së tregohet në detaje se cilat dispozita të këtij Ligji janë evidentuar me shkelje kushtetuese.
Makshana: Me këto vendime, paralizohet shërbimi civil
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana, ka deklaruar se me këto vendime vetëm sa paralizohet shërbimi civil, e nuk ndihmohet fare në rritje të efikasitetit, që sipas tij, do duhej të ishte qëllimi i plotësim-ndryshimit të ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.
“Me këto vendime, ne vetëm se e paralizojmë Shërbimin Civil dhe jo, nuk e ndihmojë në rritjen e efikasitetit, ku ky duhet të ishte edhe qëllimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPMSHCK. Nëse i shohim ndryshimet që janë bërë me plotësim-ndryshimin e Ligjit, kjo paraqet tendencë për politizim të Këshillit”, ka theksuar Makshana në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka folur edhe për kohëzgjatjen që mund të marrin vendimet e KPMSHCK-së nëse atakohen në Gjykata.
“Në rastet kur merret një vendim i Këshillit të Pavarurë Mbikëqyrës dhe atakohet ky vendim, atëherë do të kemi diku 3-4 vite që do të zgjasin derisa të merret një vendim i Gjykatës Themelore. Pra, do të paguhet edhe ai fitimi i humbur, apo rroga të cilën do ta merrte shërbyesi civil, në rast se do të merrej një vendim i drejtë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës”, ka shtuar ai.
Tutje, ka thënë se rastet që shkojnë në gjykatë marrin 3.2 vite për të përfunduar, mesatare kjo e llogaritur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por se ka raste kur kjo mesatare shkon edhe me lartë në raste individuale, e që kjo shkakton edhe dëmtim të buxhetit.
Krejt kjo, sipas tij ndikon në ngarkesë të gjykatës, tejzgjatje të proceseve, si dhe dëmtim të buxhetit të shtetit.