Përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka thënë se secila Qeveri ka tentuar ta kapë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
“Fatkeqësisht, nëse e sheh në këtë plotësim-ndryshim të Ligjit që e kanë adresuar tani ta bëjnë, sikur të mendohej ajo që është bërë në KPMSHCK për vite nuk do të mund të gjendej një format tjetër pos këtij, siç thotë populli ‘Kush po i mëson kaq mbrapsht’”, është shprehur Sefaj në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka theksuar se në vazhdimësi, kanë tentuar të kapin Këshillin dhe defunksionalizimin e tij.
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) për një dekadë ka qenë target i pushteteve pa dallim, herë duke tentuar ta kapin, herë duke e bërë jofunksional dhe e them me kompetencë, për herë të parë KPMSHCK është institucion kredibil, që i ushtron me përgjegjësi detyrat e tij falë njerëzve që janë të angazhuar aty dhe veçmas kryetarit të tij”, ka deklaruar Sefaj.
Ai ka thënë se secili pushtet ka problem me njerëzit që duan t’i mbrojnë institucionet që duan të mbrojnë shërbimin civil.
Sefaj thotë nga puna e largoi pushteti i PDK-së, Gruda i kundërpërgjigjet
Ali Sefaj, përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se pushteti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e largoi nga puna.
“Në administratë, duke filluar nga Qeveria, të gjithë të emëruarit që janë ushtrues detyre, fatkeqësisht janë kuadrat nën nivelin mesatar që i kanë institucionet”, ka deklaruar Sefaj.
Ai ka theksuar se shumica në shërbim civil janë gëzuar kur ka ndërruar pushteti, por se gëzimi ka zgjatur fare pak, pasi sipas tij “është kënduar kënga e njëjtë, por këngëtari e kishte zërin më të keq”.
Paraprakisht, Gruda i ka thënë se “ka pasur plot raste që njerëzit ua kanë kthyer fjalën ministrave dhe i kanë refuzuar urdhrat e ministrave, urdhrat e paligjshëm”.
E këtë ia ka pohuar Sefaj, i cili ka shtuar se “po, dhe kanë shkuar prej shpije sikurse rasti im, kur keni qenë në pushtet ju”.
Ndërsa, ka reaguar Përparim Gruda, duke thënë se Sefaj po e kthen në personale, duke ia rikujtuar se është kthyer në punë.
“Mos e bëj personale, domethënë po e sjellë historinë tënde, rasti yt tregon që është mirë kur nuk je me mandat, po të ishe me mandat sot nuk do të ishe duke punuar se nuk ta kishin vazhduar”, ka theksuar Gruda.
Gruda ka theksuar se Ligji i cili nuk e ka lënë me mandat Sefajn, por e kishte lënë me akt emërim, ia kishte mundësuar kthimin e tij në punë.