Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), është shkruar fillim e fund me qëllimin e vetëm, për ta kapur dhe nënshtruar këtë institucion, që të bëhet vegël e Qeverisë.
PDK-ja javën që shkoj e ka dërguar në Kushtetuese këtë Ligj.
“Nuk është ideja që e kemi mësuar rrugën, ideja është që Qeveria e ka mësuar rrugën që të shkruajë ligje jokushtetuese. Unë e kuptoj, është e pazakontë që në një masë kaq të madhe të referohen ligje brenda një mandati në Gjykatën Kushtetuese. Por, kjo ka qenë e imponuar për ne, sepse është po ashtu e pazakontë për ne që një Qeveri për tri vite të shkruajë kaq shumë ligje jokushtetuese. Edhe këtu nuk bëhet më fjalë për ligje jokushtetuese kur ti i merr dhe i studion dhe e vëren antikushtetutshmërinë sikur në vendet tjera. Këtu bëhet fjalë për shkrim të ligjeve, të cilat në lexim të parë që bën, e dallon që janë jokushtetuese”, është shprehur Gruda në emisionin “Tempus”, në KTV.
Sipas tij edhe me këtë ligj, është rasti kur dallohet me lexim të parë që është antikushtetues.
“Sepse ky ligj është shkruar fillim e fund me qëllimin e vetëm, me e kap dhe nënshtrua institucionin kushtetues, Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, në mënyrë që të bëhet vegël e partisë në pushtet”, është shprehur Gruda.