TEMPUS

Hajrullahu: Sot Tirana ishte Parisi, inatet mes Kurtit e Ramës dëmtojnë dy vendet

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i “Telegrafit”, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nikoqirja e Samitit të Berlinit, Tirana, sot ishte Parisi e Brukseli dhe sot ky ishte mesazhi më i mirë që mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksoi se inatet me kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, dëmtojnë të dyja vendet.

Ai shtoi se është vërejtur një xhelozi nga ana e Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila edhe kur u përshëndet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama nuk ishte në humor të mirë, sepse sigurisht i pengonte edhe flamuri i Kosovës.

Megjithatë, Hajrullahu tha se kishte një mesazh shumë të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, mesazhi i krerëve të Bashkimit Evropian ishte se a jemi vonë apo herët për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ai theksoi edhe përshëndetjet e kryeministrit Rama me kryeministrit Dritan Abazoviq, ku njëri-tjetrin e quanin “më i miri i tonve” dhe “baba i kombit”, mund të jetë ndonjë lloj mesazhi për t’u dërguar tek kryeministri Kurti.

“Inati personal që kanë ata mund t’ia bëjnë njëri-tjetrit mund t’i dëmtojë relacionet Kosovë-Shqipëri dhe kjo nuk do duhej të ndodhte, këto inate që ata po i kanë në vazhdimësi edhe në deklarata”, shtoi Hajrullahu.