Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova dhe Shqipëria nuk i kanë shfrytëzuar samitet për përfitime ekonomike.
“Një ndër parimet e këtij Samiti është edhe bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe pa shkuar tri javë nga sulmi që ndodhi në Banjskë. Besoj që sulmi që ndodhi ndaj Republikës së Kosovës, agresioni nga ana e Serbisë, në njëfarë mënyre i prek pak themelet, parimet e këtij Samiti”, tha Miftaraj.
Ai tha se nga kancelari gjerman Olaf Scholz u diskutua dhe u përmend se është duke bërë një hetim dhe duhet pritur rezultatet e hetimit i cili do ta ketë një rezultat preliminar, i cili më pas do të rezultojnë me sanksione apo masa ndaj Serbisë.
“Me vetë faktin që Serbia dhe Kosova në njëfarë mënyre ende s’po e gjejnë gjuhën që këtë parimin e fqinjësisë së mirë ta kuptojnë siç duhet, sipas parametrave të Procesit të Berlinit në njëfarë mënyre besoj se është një dëm që i bëhet këtij procesi sepse si Berlini si Parisi në njëfarë mënyre nuk po munden me shty agjendën përpara në raport me këto dy shtete”, shtoi Miftaraj.
Sipas tij, del se Kosova dhe Shqipëria kanë marrë pak fonde nga ky Proces dhe se pjesën më të madhe e kanë marrë Serbia, Mali i Zi e Maqedonia.
“Kosova, Shqipëria, shtetet që janë pjesë e këtij, sigurisht që do të investojnë në sigurinë e brendshme në demokratizimin e institucioneve, në mënyrë që pastaj të jenë kompetitive për të marrë fonde nga ky mekanizëm. Vetë fakti që Kosova ka marrë afërsisht 63 milionë euro, tregon thjesht që në konkurrencë me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë, është shumë mrapa. Nga 3 miliardë euro të merren vetëm 60 milionë euro nga Kosova, 350 nga Shqipëria, i bie diku afërisht 12% e krejt fondeve. Që i bie se shumicën e fondeve i kanë marrë Serbia, Mali i Zi e Maqedonia. Këtu besoj që edhe Kosova edhe Shqipëria do të duhej të pyeteshin a kanë ide të përbashkëta që të jenë kokurruese në këtë proces”, tha Miftaraj.