TEMPUS

Gërxhaliu: Samiti i Berlinit mundësi për zhvillimin ekonomik për shtetet që dinë ta shfrytëzojnë

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Samiti i Berlinit është mundësi për zhvillimin ekonomik, për shtetet që dinë ta shfrytëzojnë.

“Sa i përket Procesit të Berlinit besoj qe e ka një dimension tjetër, duhet të analizohet në 4 dimensione që janë substanciale jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Evropën në përgjithësi, është komponenta politike, është komponenta sociale, është integruese dhe mbi të gjitha gjeostrategjike. Në këtë drejtim nuk duhet të anashkalohet rëndësia ekonomike kur dihet fare mirë që është projeksioni i parë i cili në vete ka mbështetje nga burimet financiare më kredibile”, tha Gërxhaliu në emisionin “Tempus”.

Ai tha se në aspektin ekonomik për ato shtete të cilat kanë qenë të përgatitura ka qenë një mundësi, por se sa janë shfrytëzuar ato ka hapësirë për të diskutuar.

“Por e vërteta qëndron që Serbia ka qenë një ndër vendet më aktive që ka gjetur projekte dhe studime fizibiletit për ta absorbuar më tepër na gëzon fakti se në këtë drejtim Shqipëria ka bërë hapa të avancuar në veçanti në infrastrukturë dhe ky është lajmi i mirë por edhe në Kosovë përmes “Challenge fond” që ka të bëjë për Ballkanin Perëndimor janë më tepër se 60 milionë euro të destinuara për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Prandaj, po e shihni që krahas rëndësisë politike gjeostrategjike integruese, e ka edhe kompetenten ekonomike e cila është mjaft e rëndësishme”, tha tutje Gërxhaliu.

Ai tha se beson që përfitimet janë vërtetë të shumta dhe kjo është një mundësi e cila duhet të shfrytëzohet.

“Ne mund të flasim edhe me miliarda mundësi për të shfrytëzuar, po mekanizmi për absorbim është stabiliteti ekonomik është hulumtimi dhe fizibilteti i projekteve të cilat gjenerojnë multi-dimensionalitet në vete dhe në këtë drejtim për fat të keq sot shumë më tepër kemi investime të këtyre projekteve në vende tjera se sa në Kosovë”, tha Gërxhaliu.