Analisti Taulant Kryeziu, në emisionin “Tempus”, në KTV, tha se Procesi i Berlinit është procesi i vetëm formal, i cili ua përcakton rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Është lajm i mirë që po mbahet për herë të parë në këtë pjesë të rajonit (në Tiranë). Procesi i vetëm formal, i cili përcakton rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, është forumi kryesor drejt këtij rrugëtimi, i cili qëllimin primar e ka siç e kanë edhe gjitha marrëveshjet e stabilizim-asocimit të vendeve të rajonit, që është bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe ndërlidhshmëria e tregut të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i bërë ato më kompetitive apo për t’i afruar më shumë ato rreth atij që quhet tregu unik evropian”, tha Kryeziu.
Sipas Kryeziut, një komponentë shumë e rëndësishme që e ka dalluar nga nismat e tjera është komponenta financiare.
Ai tha se ky Proces duhet kuptuar si një iniciativë që ka filluar nga Angela Merkel më 2014, në kohën kur ishte dhënë qëndrimi se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim në Bashkimin Evropian.