Avokati Armend Shkoza, ka thënë se emëruesi i përbashkët i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sipas Prokurorisë, është akronimi i tri shkronjave – UÇK .
“Fatkeqësia më e madhe, realisht emëruesi i përbashkët i ndërmarrjes kriminale, pra ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë akronimi i tri shkronjave UÇK-ja, nuk ka tjetër aludim këtu, s’mund të ketë. Pra, kriminalizohet një organizatë dhe këta udhëheqës dhe pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm vishen me atë përgjegjësi”, ka theksuar Shkoza në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas tij, tek ndërmarrja e përbashkët kriminale, kushti i parë është që të vërtetohet kontrolli efektiv.
“Ndërmarrja e përbashkët kriminale si institut i ekzagjeron kufijtë e përgjegjësisë penale, se cila është ajo lidhja shkakore mes veprimit dhe pasojës së kundërligjshme që ne më shumë e përdorim në terminologji si kauzaliteti i veprimit penal. Tek ndërmarrja e përbashkët kriminale kushti i parë është që të vërtetohet kontrolli efektiv”, tha Shkoza.
Ai përmendi edhe kundërthëniet e Prokurorisë në aktakuzë.
“Gjithë bërthama e argumentimit të Prokurorisë ishte aspekti juridik i ekzistimit të bazës që këta persona qenkan përgjegjës në kuptimin hierarkik”, tha Shkoza.