Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive në YIHR, tha se mesazhi kryesor në intervistën e Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në “Tempus”, ishte luftimi i korrupsionit.
“Patjetër që kjo (lufta kundër korrupsionit) ishte pjesa qendrore e mesazhit të saj, për shkak që edhe roli i saj edhe agjencia në të cilën punon, e ka në fokus të veçantë luftimin e korrupsionit. Kështu që padyshim se një mesazh për luftimin e korrupsionit, për mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit ndaj shtetit të Kosovës në luftën ndaj korrupsionit sigurisht që nuk do të mungonte. Edhe duke qenë që Kosova ka probleme të mëdha dhe ka një korrupsion kështu pervasiv që mbizotëron, e përmendi edhe ambasadorja që ekziston një korrupsion që është i përhapur në çdo pore të shoqërisë. Unë besoj që kjo është shumë e rëndësishme”, tha Shabiu në “Tempus” të KTV-së.
Sipas saj, është i nevojshëm vullneti politik dhe gatishmëria e institucioneve për t’i shtyrë përpara reformat që kanë filluar në drejtësi, ndërsa theksoi se ka disa lëvizje nga Qeveria, por është e rëndësishme që ato të prodhojnë rezultate në praktikë.
“Normalisht që është i nevojshëm vullneti politik dhe gatishmëria e institucioneve për të bashkëpunuar dhe për t’i implementuar të gjitha këto dokumente dhe të gjitha këto reforma të cilat veçse kanë filluar. Së fundi e kemi pa një lëvizje me draftligjin për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është një hap shumë pozitiv, për të cilin edhe Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandimet për të shtyrë përpara këtë proces dhe sigurisht që ne si shoqëri civile normalisht që jemi pro këtyre përpjekjeve dhe i mbështesim të gjitha përpjekjet e Qeverisë që ta luftojë korrupsionin. Akoma kemi disa lëvizje, mirëpo që është shumë e rëndësishme që këto lëvizje të prodhojnë rezultate në praktikë. Jemi vetëm në fillimet e para, po shohim që ka një vullnet edhe sigurisht e gjithë platforma politike e partisë Vetëvendosje do të thoja, është fokusuar në luftimin e korrupsionit dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit. Mirëpo, tash po e shohim që ky është një proces shumë i vështirë dhe sigurisht kërkon hapa shumë të matur, hapa shumë konkret edhe vullnet politik edhe një bashkëpunim ndërinstitucional”, shtoi Shabiu.