Tech

Telefonat Android do të kenë lidhje satelitore

Një partneritet i ri midis firmës së telefonave satelitorë “Iridium” dhe gjigantit të çipave “Qualcomm” do të sjellë lidhjen satelitore me telefonat inteligjentë Android premium më vonë gjatë vitit.

Do të thotë se celularët mund të lidhen me satelitët kalimtarë për të dërguar dhe marrë mesazhe, raportoi BBC.

Çipat e “Qualcomm” gjenden në shumë telefona inteligjentë të Androidit.

Apple njoftoi një veçori satelitore për iPhone 14 në shtator 2022.

Shërbimi është aktualisht i disponueshëm vetëm për dërgimin dhe marrjen e mesazheve bazë në rast urgjence.

Prodhuesi britanik i telefonave “Bullitt” ishte i pari që nisi shërbimin e tij satelitor, duke mposhtur Apple. Është gjithashtu për përdorim urgjent dhe do të jetë i disponueshëm në zona të zgjedhura kur të dalë për herë të parë.

Partneriteti i ri do ta bëjë të njëjtin shërbim të qasshëm për miliona më shumë përdorues të telefonave inteligjentë, pa i lidhur ata me një markë të caktuar - por do të jetë në dorë të prodhuesit që ta mundësojë atë.

“Qualcomm “tha se fillimisht funksioni i ri, i quajtur “Snapdragon Satellite”, do të inkorporohet vetëm në çipat e tij premium.

Por më pas do të shpërndahet në tableta, laptopë dhe madje edhe automjete, dhe gjithashtu do të bëhet një shërbim që nuk kufizohet vetëm në komunikimin e urgjencës - megjithëse ka të ngjarë të ketë një tarifë për këtë.