Agjencia amerikane e hapësirës NASA u detyrua të shtyjë sërish nisjen e misionit Artemis I, këtë herë për shkak të stuhisë tropikale Nicole, e cila po i afrohet brigjeve të Floridës, shkruan BBC.
Raketa ishte dashur të lëshohej më 14 nëntor në orët e para të mëngjesit në mot të mirë, por kjo nuk do të ndodhë. Sidoqoftë, afati i ri i nisjes është 16 nëntori.
“Ndryshimi i datës së nisjes do të lejojë fuqinë tonë punëtore të kujdeset për familjet dhe shtëpitë e tyre dhe të kthehen pas stuhisë dhe të ripërgatisin statusin e nisjes”, ka thënë NASA.
Megjithatë, nëse raketa nuk lëshohet më 16 nëntor, një përpjekje e re do të pasojë tre ditë më vonë. Nëse misioni është i suksesshëm, do të jetë lëshimi i parë i raketës masive SLS të NASA-s, e cila është projektuar për udhëtime të thella në hapësirë. Misioni quhet Artemis I, dhe përfshin udhëtimin e një anije kozmike pa pilot Orion rreth Hënës dhe anasjelltas. Qëllimi është të testohen sistemet që do të nevojiten gjatë fluturimeve të ardhshme hapësinore dhe është planifikuar zbarkimi i njerëzve në sipërfaqen hënore.
Kjo është hera e dytë që një stuhi prish planet për misionin Artemis I. Në shtator, nisja u anulua për shkak të uraganit Ian dhe raketa u kthye në ndërtesën e montimit të automjeteve, ku u mbajt e sigurt. Megjithatë, këtë herë NASA vendosi ta lërë raketën në platformën e lëshimit, sepse ajo mund t'i rezistojë shiut të dendur dhe erërave deri në 140 km/h.