Tech

Punëtorët australianë të pakënaqur me Applen, përgatiten për grevë

Qindra punonjës të Applet në Australi kanë vendosur të mbajnë grevë sërish, pasi shumica e tyre refuzuan një marrëveshje pagash dhe përfitimesh, shkroi të hënën Reuters.

Siç bëhet e ditur, rreth 68 për qind e punonjësve të Applet apo rreth 4.000, refuzuan një marrëveshje brenda vendit të punës, të propozuar nga menaxhmenti.

Anëtarët e Sindikatës së Punëtorëve të Shitjes me Pakicë dhe Ushqimit të Shpejtë (RAFFWU), të përfshirë në negociata dhe që përfaqësojnë rreth 200 punëtorë, do të takohen të hënën mbrëma ku do të diskutohet lidhur me vazhdimin e grevës.

"Punëtorët janë shumë të lumtur, ata kanë bërë fushatë për një marrëveshje të drejtë për tre muaj. Anëtarët tanë janë përfshirë në greva mjaft serioze të punës”, tha për Reuters, sekretari i RAFFWU-së, Josh Cullinan.

Punëtorët e RAFFWU organizuan grevë njëorëshe të shtunën.

Në gusht, Apple ka dhënë një propozim që sipas sindikatave, nënkupton shkurtime të pagave.

Sindikatat duan që Apple të garantojë rritje pagash që reflektojnë inflacionin.