Tech

Amazoni do t’i nisë këtë vit dërgesat me dronë

Amazoni njoftoi se do të fillojë dërgimin e pakove për blerësit me dronë këtë vit dhe se është në pritje të miratimit përfundimtar rregullatorit.

“Përdoruesit në qytetin kalifornian të Lockeford do të jenë në gjendje të regjistrohen për të pranuar mijëra mallra përmes rrugëve ajrore në shtëpitë e tyre”, ka njoftuar kompania të martën.

Gjigandi i shitjeve online ka premtuar dërgesë me dronë për vite me radhë, por është përballur me vonesa dhe ka raportuar pengesa në këtë drejtim.

Kompania tha se po planifikon të zgjerojë shërbimin pas Lockefordit.

“Premtimi për dërgimin me dron shpesh është ndjerë si fantashkencë. Por më vonë këtë vit, klientët e Amazonit që jetojnë në Lockeford, Kaliforni, do të bëhen ndër të parët që do të marrin dërgesat e Prime Air. Reagimet e tyre rreth Prime Air do të na ndihmojnë të krijojmë një shërbim që do të shkallëzohet në mënyrë të sigurt për të përmbushur nevojat e klientëve kudo", thuhet në një postim në blog.

Amazoni tha se dronët do të programohen për të hedhur pako në oborret e klientëve në Lockeford, i cili ka një popullsi prej rreth 4.000 banorëve.

Ata do të jenë në gjendje të fluturojnë "përtej vijës së shikimit", që do të thotë se nuk duhet të kontrollohen nga një vëzhgues vizual dhe në vend të kësaj do të përdoren sensorë për të shmangur avionët e tjerë, njerëzit, kafshët shtëpiake dhe pengesat.

Synimi është që të dërgohen paketat te klientët në mënyrë të sigurt në më pak se një orë, njoftoi Amazoni.