Çështja e identitetit kosovar ka qenë një temë e cila jo rrallë ka ngjallur debate, por filozofi Isuf Berisha e trajton këtë çështje në nivel akademik, fillimisht duke e zhveshur identitetin prej miteve e duke e përkufizuar atë si përfshirës. “Kujtesa, Historia, Identiteti: Aspekte të transformimeve identitare në Kosovë pas vitit 1999”, identitetin kosovar e trajton si alternativë të hapur e cila nuk përjashton edhe identitetet e tjera. Libri i tij i përuruar të martën në Prishtinë është cilësuar një nga veprat më të mira kushtuar çështjes së identitetit në përmasa globale
Pas luftës së fundit më 1999 në Kosovë, por edhe përtej, ka shpërthyer një debat për identitetin kosovar. Filozofi Isuf Berisha nëpërmjet veprës së tij, “Kujtesa, Historia, Identiteti: Aspekte të transformimeve identitare në Kosovë pas vitit 1999” e trajton thellësisht këtë çështje nëpërmjet ideve që janë hedhur e po ashtu duke analizuar rrënjësisht aspektin sociokulturor sa i përket identitetit të shoqërisë së shtetit më të ri në Evropë. Për studiuesit vendës të filozofisë e më gjerë e po ashtu edhe për emra të njohur filozofësh, Berisha suksesshëm ia del t’u përgjigjet disa pyetjeve thelbësore sa i përket kësaj çështjeje.
Mbrëmjen e së martës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nëpërmjet një paneli me peshë në dijen akademike – që jo shpesh shihen në promovime librash – është promovuar vepra “Kujtesa, Historia, Identiteti: Aspekte të transformimeve identitare në Kosovë pas vitit 1999”, fillimisht botuar në kroatisht edhe si tezë doktorate në Universitetin e Zagrebit e tash edhe në shqip më e zgjeruar.
Filozofi e profesori i Universitetit të Zagrebit, Lino Veljak, ka thënë se autori në këtë libër ka paraqitur dhe sistematizuar në mënyrë sistematike dhe kritike përcaktuesit thelbësorë të debateve bashkëkohore globale mbi identitetin me qëllim që të nxirrte një metodologji nga kontributet botërore me cilësinë më të lartë në teoritë e identitetit. Ka përmendur se të njëjtën gjë e ka bërë me debatet mbi këtë çështje që u zhvilluan në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas tij, duke u kufizuar në analizën e debateve të zhvilluara në Kosovë në periudhën pas vitit 1999, të cilat përqendrohen në çështjen e marrëdhënies midis identitetit shqiptar dhe atij kosovar, Berisha u është përgjigjur me sukses dhe bindshëm një numri pyetjesh interesante dhe vendimtare.
“Pse debati mbi identitetin kosovar ngjalli një interes të tillë publik dhe pse filloi pikërisht pas përfundimit të luftës në vitin 1999? Cilat janë supozimet sociopolitike dhe kulturore të këtij debati? Cilat janë dinamikat e konstituimit të identitetit dhe cila është logjika mbi bazën e së cilës ndodhin ndryshimet në listën prioritare të identiteteve të ndryshme?”, janë pyetjet që ka përmendur Veljak.
Sipas tij, autori e ka marrë parasysh siç duhet se koncepti i identitetit ka dy dimensione thelbësore, nga njëra anë, është një identitet individual ose personal, dhe nga ana tjetër, identiteti i entiteteve kolektive. Ka thënë se në këtë rast lind pyetja se cila është marrëdhënia midis këtyre dy identiteteve?
такође
Етика разума у дискусији
“Në shikim të parë është e qartë se pa identitetin e parë nuk ka të dytë, është e qartë se pa individë nuk ka shoqëri; marrëdhënia, sigurisht, nuk është njëkahëshe: nuk ka qenie njerëzore jashtë një bashkësie. Pa identitet personal nuk ka identitet shoqëror, por anasjelltas: pa përcaktimin e identitetit të një kolektiviteti nuk ka individë që mund t’i përkasin atij kolektiviteti (sepse çdo individ duhet t’i përkasë disa grupeve dhe të paktën një kolektiviteti, përndryshe ai do të ishte – siç e dinte Aristoteli – ose një zot ose një kafshë)”, ka thënë ai.
“Ndryshe nga avokatët e identiteteve substanciale (në fakt: të hipostazuara dhe absolutizuara) të bazuara në narrativa mitike, Berisha pohon shumësinë e identiteteve, duke hedhur poshtë ekskluzivitetin e njërës prej identiteteve (që zakonisht është identiteti etnik ose kombëtar), duke hedhur poshtë kështu logjikën ose-ose. I vetëdijshëm se shumica e pjesëmarrësve në debatin mbi identitetin kosovar/shqiptar nuk janë as të informuar për shqyrtimet bashkëkohore të çështjes së identitetit, ai thekson se ata e kuptojnë kombin etnik kryesisht si një platformë homogjene identiteti që as nuk toleron diferencimin identitar brenda shoqërisë përkatëse dhe as nuk mund të tolerojë elementë të tjerë etnikë”, ka thënë Veljak. Sipas tij, kur bëhet fjalë për Kosovën, ajo që është thënë vlen si për serbët – nga Peshkopi Artemije tek Ivica Daçiq – ashtu edhe për përkrahësit e absolutizimit të identitetit kombëtar shqiptar. Ka thënë se në këtë mënyrë, formohet një “antikosovarizëm i pasionuar”, në të cilin identiteti shqiptar dhe ai serb pozicionohen si ekskluziv në raport me identitetin (qytetar) kosovar. Ka sqaruar se tregohet se nacionalizmi serb dhe ai shqiptar janë në mënyrë antitetike solidarë në pozicionet e tyre të mohimit të identitetit kosovar.
“Duke mbrojtur të drejtën demokratike për vetidentifikim dhe duke kundërshtuar absolutizimin e atyre identiteteve që prodhohen ose përcaktohen nga homogjenizimi i detyruar, Berisha ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin për pluridimensionalitetin e identiteteve shoqërore dhe individuale. Ky është një mësim i rëndësishëm jo vetëm për shoqërinë në Kosovë, por edhe për pjesëtarët e çdo kombi në botë që nuk e kanë çliruar veten vetëm nga traumat e trashëguara apo kanë mbetur të bllokuar në paragjykime dhe mite”, ka thënë ai.
Krejt në fund ka thënë se ky libër i Isuf Berishës është monografia e parë me bazë filozofike kushtuar çështjes së identitetit në kontekstin e Kosovës. Ka përfunduar duke thënë se me rastin e botimit të librit në ndonjë gjuhë botërore do të tregohet gjithashtu se kjo vepër është e rëndësishme globalisht si një kontribut autoritativ në kundërshtimin kritik ndaj metafizikës së keqe të identiteteve absolutizuara.
“Dhe jam i sigurt se nuk është ekzagjerim nëse thuhet se është një nga librat më të mirë kushtuar çështjes së identitetit në përmasa globale”, ka thënë ai.
Në mungesë të profesorit universitar të filozofisë, Astrit Salihu – shkaku i një rasti familjar – kumtesa e tij e titulluar “Identiteti përfshirës kosovar” është lexuar nga moderatori. Sipas kumtesës së Salihut, Isuf Berisha librin e tij e fillon me një elaborim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të nocionit të identitetit.
“Premisa e identitetit kosovar në këtë libër na shpërfaqet si përcaktuese e realitetit të ri, të cilin po e jetojmë ne shqiptarët si popull shumicë i Kosovës si dhe komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Fjala është për kontekstin e krijuar pas vitit 1999 dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Këto dy ngjarje krijojnë një situatë të re që ndërthuret me çështjen identitare si problem fondamental në këtë ndryshim rrënjësor sociopolitik”, shkruhet në kumtesë. Sipas asaj që ka shkruar Salihu, Berisha i rreket çështjes së transformimeve identitare në Kosovë në të gjithë kompleksitetin e tij, jo vetëm teorik, por sidomos atij historik, kontekstual dhe politik.
такође
Недостатак албанске историјске свести уочи српског геноцида
“Me pedantëri veçon rrafshet kryesore të ndërtimit të identitetit, si raporti me tjetrin (që përbën fondamentin e identitetit), identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës në raportin me identitetin kosovar, identitetet e komuniteteve të tjera të Kosovës në raport me identitetin kosovar, si dhe identitetin kosovar në raport me Evropën. Berisha nuk lë asgjë nga realiteti kosovar jashtë tematizimit, por natyrisht që në çështjen e identitetit kosovar dominon problematika e raportit të shqiptarëve të Kosovës me ndërtimin e identitetit kosovar – ngase mbi 90 për qind e popullatës së Kosovës janë shqiptarë”, ka shkruar Salihu. Aty shkruhet se duket që çështja e identitetit kosovar, më shumë nëse jo vetëm, është problematizuar te shqiptarët e Kosovës.

“Këtë Berisha e sheh si dinamikë të re midis identitetit kombëtar dhe atij territorial/politik pas shpalljes së pavarësisë dhe inicimit të debateve për një identitet kosovar te shqiptarët e Kosovës. Hiq këtu disa përjashtime, nisma e këtij debati nuk kalon pa tendosje emocionale e shpeshherë edhe me ngjyrime patetike, konfuze deri në palcë dhe të varfra në reflektim mbi çështjen e identitetit. Kjo nismë te Isuf Berisha merr formën e pastër të vështrimit të qetë të fenomenit të identitetit dhe arritjes hap pas hapi në gjetjen e momenteve qenësore që ndërtojnë identitetin”, shkruhet në kumtesë. Sipas asaj që ka shkruar Salihu, Berisha në librin e tij, evoluimin e identitetit të shqiptarëve të Kosovës e sheh si relacional dhe në periudha të ndryshme në relata me të tjerët e ndryshëm, fillimisht në raport me serbët, si raport historik që kulmon në vitet ‘90, pastaj, pas përfundimit të luftës dhe me shpalljen e pavarësisë në raport me komunitetin ndërkombëtar dhe me Shqipërinë ose identitetin kombëtar shqiptar.
“Ruajtja e ekuilibrit dhe raporteve stabile aktualisht është i mundur me ruajtjen e entitetit të Kosovës si shtet i pavarur. Por kjo nënkupton edhe një identitetet, sepse Berisha i referohet postulatit se ‘nuk ka entitet pa identitet’. Nga këtu del se identiteti kosovar mbetet një alternativë e hapur jo e shkrirjes së identitetit kombëtar shqiptar, por në përdorim ‘të përditshëm funksional dhe produktiv‘ të tij, pa i përjashtuar edhe etnitë dhe kombet e tjera, brenda këtij identiteti përfshirës”, shkruhet në kumtesën e Salihut. Sipas tij, Berisha mu këtu e sheh rëndësinë e mendimit për identitetin përfshirës dhe jo përjashtues për të ofruar një tablo tjetër që eventualisht do të ishte platformë shumë më e zgjeruar, përfshirëse dhe demokratike. Sipas kumtesës së Salihut, kur Berisha synon të tejkalojë dilemën dramatike të logjikës përjashtuese ose-ose, ai i sjell atij në mendje mendimin e Robert Venturit që synonte të afirmonte arkitekturën inkluzive postmoderne si kundërpërgjigje ndaj arkitekturës ekskluzive moderniste. Sipas tij, e zhvendosur në rrafshin identitar në kontekstin e Kosovës atë që afirmon Venturi i jep një domethënie më të thellë nismës së Berishës.
“Logjikën ose-ose, Venturi e kishte definuar ‘uniteti i lehtë i përjashtimit‘ (Easy unity of exclusivity), ndërkaq logjikën edhe-edhe si ‘uniteti i vështirë i përfshirjes‘ (Difficult unity of inclusivity). Libri i Isuf Berishës është hyrje e menduar kah uniteti i vështirë i përfshirjes. Këtë mund të arrijë vetëm mendimi i hapur, i përgjegjshëm dhe i sinqertë në këtë debat jo të thjeshtë rreth marrëdhënies identitare mes identitetit kombëtar dhe atij kosovar”, ka shkruar Salihu.
Gjuhëtari me nam, akademik Rexhep Ismajli, në fjalën e tij ka paraqitur leximin e tij në raport me veprën e Berishës duke e lidhur kryesisht me identitetin gjuhësor me të cilin merret edhe Berisha.
“Nuk jam i filozofisë dhe nuk mëtoj të kem vështrim në këtë aspekt, por librin e Isuf Berishës e kam lexuar me shumë vëmendje dhe kërshëri dhe jam ndarë i kënaqur me shumëçka që kam mësuar nga ai në këtë aspekt. Mua më kanë interesuar më shumë dhe gjithnjë problematikat që ndërlidhen me çështjen e identitetit nga këndvështrimi i gjuhëtarit, i cili, deshëm s’deshëm, shënon shpjegime të kufizuara, por të cilat mund të kenë rëndësi dhe për kontekstet më të përgjithshme”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, Isuf Berisha në këtë kontekst është marrë me diskutimet lidhur me historikun e gjuhës standarde, ashtu si janë shfaqur në kohë të vona, sidomos në shqyrtimet kryesisht publicistike, që kanë qenë të ngarkuara dhe me aspekte pasionante, polemizuese, e të tjera.
“Paraqitjet e tij, për aq sa mund të kërkoheshin në një libër si ky, janë të sakta, me referime skrupuloze, kështu që shtojnë dhe një dimension në vështrimet për diskutimet kosovare-shqiptare në fushën e identiteteve. Do të shtoja se çështjet identitare në fushë të gjuhës ndërlidhen edhe më substancialisht me historikun e gjuhës, e cila, në rastin tonë konkret, ndryshe nga, ta zëmë të kroatët, mund të përbëjë një nga elementet e rëndësishme të konstituimit apo transformimeve historike të dimensioneve identitare”, ka thënë midis të tjerash ai.
такође
„Српски свет“ пропаганди која окривљује жртве
Vetë autori ka qenë i shkurtër në fjalën e tij. Derisa ka falënderuar penalistët ka thënë se me kërkimet në këtë fushë ka nisur të merret shumë më herët duke iu referuar kohës së para luftës së fundit.
“Por asokohe ka qenë shumë herët”, ka thënë Berisha i cili lind më 1955. Studimet universitare për filozofi dhe sociologji i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës më 1981. Më pas ka kryer studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku në vitin 2017 ka mbrojtur doktoratën. Gjatë karrierës ka punuar si profesor, gazetar e po ashtu ka pasur angazhime edhe në shoqërinë civile. Midis viteve 1989–1994 ka qenë kryetar i Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës. E me studimin e fundit, vlerësohet se ka rrumbullakuar një prej çështjeve për të cilën diskutimet kanë qenë të zëshme, por asnjëherë të thelluara sikurse në librin e Berishës.