Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë të rëndësishme për kontrollin e tensionit të gjakut, por rol mund të luajë edhe mënyra se si mendojmë dhe përballemi me stresin.
Sipas ekspertëve, praktika të tilla si vetëdija për momentin e atypëratyshëm, optimizmi dhe mirënjohja mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe të kenë ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës, ka shkruar Тхе Васхингтон Пост.
“Stresi ndikon në rritjen e tensionit të gjakut. Është e vështirë ta largojmë plotësisht stresin nga jeta, por ka gjëra që mund të bëjmë për ta ulur tensionin, siç është vetëdija për momentin e tanishëm”, ka thënë kardiologu Willie E. Lawrence Jr., përfaqësues i Shoqatës Amerikane të Zemrës.
Ja tri praktika që mund të ndihmojnë:
1. Përqendrimi në momentin e tanishëm
Kjo praktikë, e njohur si “mindfulness”, nënkupton përqendrimin te mendimet, emocionet dhe ndjesitë fizike të momentit, pa i gjykuar ato.
Meditimi, ushtrimet e frymëmarrjes dhe joga mund të ndihmojnë në menaxhimin e stresit. Sipas epidemiologut Eric Loucks, kjo praktikë mund të na ndihmojë gjithashtu të bëjmë zgjedhje më të shëndetshme, si të konsumojmë më pak kripë dhe të jemi më aktivë fizikisht.
Megjithatë, personat me tension të lartë duhet të konsultohen me mjekun para se të provojnë aktivitete të reja fizike, përfshirë ushtrimet joga.
2. Të menduarit pozitiv për të ardhmen
Studimet sugjerojnë se njerëzit që e shohin të ardhmen me optimizëm mund të kenë rrezik më të ulët për të zhvilluar tension të lartë të gjakut.
Një studim me më shumë se 100 mijë ushtarë amerikanë që nuk kishin hipertension në fillim zbuloi se personat më optimistë kishin më pak gjasa të zhvillonin këtë problem gjatë periudhës së studimit.
Për ta praktikuar këtë mënyrë të të menduarit, psikologia Julia Boeh, ka thënë se në vend se të përqendrohemi vetëm te skenarët më të këqij, duhet të mendojmë edhe për rezultatet pozitive që mund të arrijmë dhe hapat konkretë që na ndihmojnë t’i realizojmë.
Megjithatë, ende ka pak prova se optimizmi mund ta ulë drejtpërdrejt tensionin te personat që tashmë vuajnë nga hipertensioni.
3. Praktikimi i mirënjohjes
Të vlerësosh gjërat e mira në jetën tënde mund të ndihmojë në përballimin e stresit dhe të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës.
Profesori nga Harvardi, Christopher Celano, ka sugjeruar të mbajmë një ditar ku shënojmë gjërat për të cilat jemi mirënjohës, t’u shkruajmë letra njerëzve që vlerësojmë ose t’ua shprehim drejtpërdrejt mirënjohjen personave të afërt.
Disa studime kanë treguar se shprehja e mirënjohjes mund të ndikojë në reagimin e tensionit të gjakut gjatë situatave stresuese. Megjithatë, provat shkencore për këtë përfitim janë ende të kufizuara.
Këto zakone nuk e zëvendësojnë trajtimin mjekësor
Sipas Boehm këto praktika mund të jenë pjesë e një stili të shëndetshëm jetese, por nuk duhet të zëvendësojnë trajtimin e rekomanduar nga mjeku.
Për kontrollin e tensionit të gjakut mbeten të rëndësishme ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, mbajtja e një peshe të përshtatshme dhe marrja e barnave kur ato janë të nevojshme.
Siç theksojnë specialistët, menaxhimi i stresit është vetëm një pjesë e strategjisë për të mbrojtur shëndetin.