Aktorja Catherine Zeta-Jones ka kritikuar rrjetet sociale, duke thënë se ato po ua humbin misterin aktorëve dhe botës së kinemasë, pasi publiku tashmë mund të mësojë pothuajse gjithçka për jetën private të personazheve të famshëm, ka shkruar ФемалеФирст.
Në një intervistë për Awards Buzz, ylli i serialit “Wednesday”, ka thënë se dikur kishte më shumë magji teksa shikoje një film, sepse publiku nuk dinte aq shumë për jetën personale të aktorëve.
“Dikur ishte bukur të mos dinim gjithçka për aktorët: me kë zgjoheshin në mëngjes, çka hanin, ku bënin pazar apo çka vishnin. Rrjetet sociale kanë ndryshuar shumë gjëra, por sot dimë tepër. Nuk kam nevojë të di nëse dikush sapo është divorcuar apo ka pasur një lidhje jashtëmartesore. Dua ta ruaj misterin e filmave dhe të aktorëve”, u shpreh ajo.
Megjithatë, aktorja ka thënë se i pëlqen fakti që gratë po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në Hollywood dhe se aktoret e brezit të saj po gjejnë mundësi për role më interesante.
“Po marrin jetë më shumë projekte, aktorët po punësohen dhe gratë e moshës sime po marrin role interesante, madje po arrijnë t’i realizojnë vetë projektet që dëshirojnë. Kjo më pëlqen shumë”, ka thënë Zeta-Jones.
Ajo do të shfaqet në serialin e ri të Amazon Prime, “Kill Jackie”, ku luan rolin e Jackie Price, një tregtare arti me një të kaluar si drejtuese e një rrjeti të trafikut të kokainës.
Për këtë rol, aktorja ka thënë se dëshiron të largohet nga personazhet që publiku pret zakonisht prej saj.
“Në këtë fazë të karrierës, më pëlqen të luaj role krejtësisht të ndryshme nga ato që njerëzit do t’i konsideronin zgjedhjen e dukshme për mua. Dua të dal pak nga ajo kornizë. Nuk kam asgjë kundër roleve që kam luajtur deri tani, por dua të provoj diçka ndryshe”, ka përfunduar ajo.