КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Патријарх и Теуфика

Porfirije u transformua nga prifti që, sipas mësimit të Krishtit, duhet të lutet edhe për vrasësin, në absolvues moral të vrasësit. Krimet nuk i mohoi; bëri diçka teologjikisht edhe më problematike: i zhduku nga rrëfimi, ndërsa kryesit të tyre i dha një qëllim fisnik

1.

Kur u njoftova me të më 2018 Teufika Shabanoviq kishte mbledhur 36 për qind të eshtrave të babait të saj të vrarë në Srebrenicë. Ato mbetje i kishin vënë në tabut; krahu i saj mbante njërën anë e i motrës tjetrën - nuk kishin pasur vëlla a anëtar tjetër mashkull të familjes për ta bartur tabutin sipas adetit - dhe e varrosën në Potoçari, së bashku me tetë mijë meshkuj të tjerë - pleq, burra e fëmijë - të Srebrenicës. Babanë e Teufikës, të vrarë nga një granatë, e gjetën pjesë-pjesë, në tetë varreza masive, të shpërndara deri pesëdhjetë kilometra larg njëra-tjetrës. Varrezat masive kishin pjesët e trupave të varrosura dhe rivarrosura nga Ushtria e Republikës Serbe, një operacion mekanik i urdhëruar si përpjekje për të fshehur krimin e bërë aty në korrik të vitit 1995.

Në krye të ushtrisë që kreu gjenocidin e Srebrenicës ishte gjenerali Ratko Mlladiq. Për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi; dënimin ia ndërpreu vdekja.
U varros dje në Beograd, me përcjellje shtetërore.
Familja e tij e mori kufomën në një copë.

2.

Patriarku Porfirije mbajti homeli në shërbesën mortore për gjeneralin Ratko Mladiq.

Kur të zbërthehet në thjeshtësinë e vet teologjike, del se prifti predikoi tek arkivoli i vrasësit. Kështu e do Kisha, shërbyesi i Krishtit duhet të lutet për mëkatarin, madje edhe për mëkatarin që ka marrë jetë njeriu a jetë njerëzish.

Patriarku Porfirije shkoi përtej obligimit priftëror. Tha se gjykatat botore janë të gabueshme sikur është i gabueshëm njeriu. Njerëzit në Hagë kanë mundur të gabojnë për gjeneralin Mladiq.

Ai tha edhe se Kisha ortodokse serbe nuk është aty të gjykojë. Nëse Ratko Mlladiq është i dënuar për gjenocid nga një gjykatë e kësaj bote, kjo nuk e obligon Kishën, e cila, thotë Patriarku, “nuk jep gjykimin përfundimtar për askënd”. Gjykimin, në fund, e jep vetë Zoti.

Rrugës për në gjykimin e Zotit, Patriarku tha se “E dimë se emri i tij do të mbetet thellë i thurur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit tonë ortodoks serb, i cili ndaj tij ndien dhe ushqen mirënjohje të thellë, sepse e sheh si ushtar dhe komandant që, në një kohë të rëndë dhe tragjike, qëndroi në krye të ushtrisë së popullit të vet, mbajti përgjegjësi dhe barrë të madhe, bëri sakrificë dhe dha jetën për lirinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e popullit të vet”.

Kisha, thotë Patriarku, nuk gjykon për “gjeneralin tonë Ratko”. Por disa fjali më vonë ai tashmë ka gjykuar: Mladiqi bëri “sakrificë” për lirinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e popullit të vet.

Porfirije u transformua nga prifti që, sipas mësimit të Krishtit, duhet të lutet edhe për vrasësin, në absolvues moral të vrasësit. Nuk i mjaftoi t’ia linte shpirtin e Ratko Mlladiqit mëshirës dhe gjykimit të Zotit; mori përsipër t’i jepte edhe kuptim moral veprës së tij në tokë. Në çastin kur komandantin e dënuar për gjenocid e përshkroi si njeri që “bëri sakrificë dhe dha jetën për lirinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e popullit të vet”, ai kaloi nga lutja për mëkatarin te rehabilitimi i figurës së tij historike. Krimet nuk i mohoi; bëri diçka teologjikisht edhe më problematike: i zhduku nga rrëfimi, ndërsa kryesit të tyre i dha një qëllim fisnik.

3.

Edhe babai i Teufikës është vëllai i Porfirijes.

Nëse Porfirije predikon Krishtin, babai i Teufikës dhe tetë mijë të vrarët e Srebrenicës janë po aq vëllezër të tij sa “gjenerali ynë Ratko”. Vëllazëria e Krishtit nuk ka kufij, aq më pak etnikë, siç përcaktoi në fund të shekullit XIX Patrikana e Stambollit duke dënuar etnofiletizmin. Krishti e dha përgjigjen me Samaritanin e Mirë: i afërmi nuk është ai që i përket domosdo fesë apo popullit tënd, por ai që ndalet para plagës së tjetrit.

Sipas Mateut, babai i Teufikës është vëllai i Porfirijes. Në Gjykimin e Fundit, Krishti thotë: “Çfarëdo që ia keni bërë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.” Krishti nuk identifikohet me të fuqishmin që mbron “popullin e vet”, por me të uriturin, të eturin, të huajin, të zhveshurin, të sëmurin dhe të burgosurin.

Në besimin e Krishtit, babai i Teufikës nuk mund të jetë më pak vëlla i Porfirijes se gjenerali Mlladiq.
Po, gjenerali Mlladiq ka mbajtur kryqin në gjoks dhe me të ka vdekur. Po, në burg “rrëfehej përulshëm dhe merrte Kungimin”. Por ku është metanoia - pendesa që kërkon njohjen e mëkatit dhe kthesën shpirtërore? Ku është pendimi për Srebrenicën, për Sarajevën, për civilët e vrarë, për babanë e Teufikës?

Si mund t’i japë “gjeneralit tonë Ratko” përcjellje e lutje për gjykim të drejtë në histori e tek Zoti dishepulli i Krishtit e të mos e përmendë pendesën e drejtpërdrejtë, atë që gjenerali Mlladiq duhej ta shpallte botërisht, që, në mos kurrgjë tjetër, fjalët e Porfirijes të kishin së paku një kuptim të krishterë?

4.

Por në botëkuptimin politik të Porfirijes, vëllazëria e Krishtit ia lëshon vendin vëllazërisë së kombit.
Këtë ia tha presidentit të Rusisë, Putin, më 22 prill të vitit 2025. I tregoi se para dy javësh ishte takuar me patriarkun e Jerusalemit dhe ai i kishte thënë se “ne ortodoksët kemi një atu”. Kush, pyeti? “Putini”.
I tha Putinit: “Dëshira ime dhe dëshira e shumicës në Kishën tonë është që, në perspektivë, nëse do të ketë një riorganizim/ndarje të re gjeopolitike, të jemi pranë, në atë mjedis rus... Po, në botën ruse, në botën ortodokse.”

Në atë rirreshtim të ri, Patriarku Porfirije e sheh popullin dhe Kishën e vet në “botën ruse” të Vladimir Putinit, presidentit që prej pesë vjetësh zhvillon luftë pushtuese kundër Ukrainës.

Porfirije është gjithnjë e më pak bari i një Kishe universale dhe gjithnjë e më shumë teolog i një nacionalizmi sakral: në Moskë e vendos popullin e vet brenda “botës ruse”; në Beograd e vendos të dënuarin për gjenocid brenda narrativës së sakrificës për mbijetesën e po atij populli.

Dhe sa herë që Porfirije ta quajë Ratko Mlladiqin “vëllai ynë”, do të mbetet pyetja që homelia e tij nuk e bëri: çfarë ishte për të babai i Teufikës?