Stadiumi i qytetit në Ferizaj, “Ismet Shabani”, vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë, ani pse Ministria e Sportit nga buxheti i shtetit investoi 121 mijë euro. Ndërkohë projekti total ishte rreth 350 mijë euro, por që u ndal në gjysmë shkaku i disa problemeve.
Janë bërë katër vjet që nga fillimi i ndërtimit të tribunës kryesore, e cila ka mbetur e papërfunduar. Tribuna qendrore e ka zënë një pjesë të madhe të fushës. Këtë e pranon edhe përgjegjësi për sport në Komunën e Ferizajt, Bashkim Haxhimusa, i cili thekson se shkaku i saj stadiumi do të shndërrohet në fushë për ndeshje të grupmoshave të reja. Haxhimusa ka qenë në komisionin vlerësues, të themeluar nga Komuna e Ferizajt për të vërtetuar investimin që është bërë.
“Në vitin 2019, Komuna e Ferizajt e ka formuar një Komision prej pesë anëtarësh të cilët kanë qenë të profileve të ndryshme dhe e ka nxjerrë vërtetësinë e stadiumit. E vërteta është se hapësira e fushës është më e vogël sesa që duhet të jetë sipas standardeve ndërkombëtare. Por, kur të kesh parasysh një stadium që ndodhet në brendi të shtëpive të ndërtuara dhe afër shkollës, vërtet ajo ka qenë një ngufatje edhe për rrugën, edhe për shkollën”, arsyetohet Haxhimusa.
Ai ka mohuar akuzat e opozitës se stadiumi do të shndërrohet në vend për ndërtime banesore.
“Është një fakt dhe një e vërtetë që nuk do të ketë ndërtime aty. Kryetari i Komunës, Agim Aliu, por edhe Drejtoria e Sportit dhe ekspertët që i kemi brenda Komunës, të gjithë jemi dakorduar që aty të mbetet për zhvillimin e shkollave sportive, kryesisht të futbollit”, u shpreh Haxhimusa.
Punimet kishin nisur në nëntor të vitit 2016, në kohën kur kryetar ishte Muharrem Sfarqa, por ato nuk e gjetën fundin. Sfarqa, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë për KOHËN se ndërprerja e projektit është bërë për të ndërtuar komplekse banesore.
“Në vitin 2012 kanë ekzistuar pretendime për ta shndërruar stadiumin e qytetit që mban emrin e legjendës së futbollit ferizajas, Ismet Shabani, në sipërfaqe të ndërtimit të objekteve kolektive për shkak të përfitimeve që kanë mundur të sjellin më shumë ato zona për ndërtuesit ferizajas, ose për klientelën e PDK-së. Sigurisht, për shkak të reagimeve që ka bërë Lidhja Demokratike në Komunën e Ferizajt, përkohësisht është hequr dorë nga ai pretendim”, deklaroi Sfarqa.
Ai shton se në kohën sa ka qenë në krye të Ferizajt nuk ka gjetur parregullsi.
“Po qe se ka pasur vend për përgjegjësi, ka ekzistuar mundësia e evidentimit të shkaqeve eventuale të ndonjë dobësie që ka mundur të manifestohet, mirëpo nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri , e as për të gjetur përgjegjësi, por qëllimi ka qenë për moszbatimin e kësaj kontrate. Është realizuar vetëm gjysma e kontratës, për atë gjysmën e kontratës dikush duhet të japë përgjegjësi, sepse dihet edhe kush e ka hartuar projektin, edhe kush e ka dhënë detyrën projektuese, edhe kush është zbatues i projektit, edhe menaxheri etj. Unë mendoj që Komuna e Ferizajt ka hequr dorë vetëdijshëm nga zbatimi i kësaj kontrate”, theksoi Muharrem Sfarqa.
I pakënaqur me gjendjen e stadiumit është shprehur edhe asamblisti nga radhët e LDK-së, Gëzim Kokollari. Ai thotë se zhveshtoret e stadiumit janë bërë edhe strehë për narkomanët.
“Ne nuk po shohim që është marrë ndonjë hap ligjor kundër askujt, sepse nëse është keqpërdorur, dikush duhet të japë llogari. Ka mjete financiare të humbura, mjete të taksapaguesve të Kosovës. Flitet gjithandej që ky stadium pretendohet të shndërrohet në tokë ndërtimore në interes të grupeve që janë të lidhura me pushtetin”, tha Kokollari.
KOHA ka provuar të marrë edhe një prononcim nga kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu, por ai ndodhej jashtë vendit.
Ndërkaq, sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Iber Alaj, ka pranuar se 121 mijë euro janë investuar në atë objekt. Ai shtoi se projekti ka mbetur në gjysmë.
Alaj thekson se të gjitha procedurat i ka kryer Komuna e Ferizajt, kurse MKRS-ja i ka investuar mjetet.
“Implementuese e projektit ka qenë Komuna e Ferizajt dhe nënshkruese e kontratës me mbikëqyrjen profesionale. Ne e kemi bërë financimin e një pjese deri në vlerën e 121 mijë eurove, të cilat kanë ardhur si situacione të rregullta në realizimin e punimeve në stadium. Projekti ka kërkuar mjetet më të mëdha dhe bazuar në lokacionin ku është duke u ndërtuar, ata e kanë shprehur një gatishmëri që të ndërrojnë lokacionin për ndërtimin e stadiumit të ri”, u shpreh Alaj.
Me gjendjen e stadiumit nuk po mund të pajtohet drejtori i klubit Ferizaj dhe ish-futbollisti, Nadir Haxhimusa.
“Ky stadium është shkatërruar dhe e ka shkatërruar edhe futbollin e Ferizajt. Ky stadium ka dhënë shumë dhe do të thotë shumë për qytetin e Ferizajt. Prej që është shkatërruar ky stadium, futbolli në Ferizaj ka funksionuar shumë pak. Ne jemi veteranët që e vajtojmë këtë gjendje, por nuk kemi fuqi për të ndryshuar diçka. Na mungon neve, u mungon tifozëve ‘Ujqit’, i mungon gjithë qytetit”, deklaroi Nadir Haxhimusa.
Punimet e fazës së parë i ka kryer kompania “Union Beton”, nga e cila ka qenë e pamundur të merrej një përgjigje për mënyrën e ndërtimit të tribunës.
Që nga viti 2016, ndeshjet si vendas Ferizaj i luan në stadiumin me bar sintetik. Ferizaj ka rënë nga Superliga dhe garat po i vazhdon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
Ka kohë që lidhur me ndërtimin dhe rinovimin e objekteve sportive ka parregullsi të shumta e po ashtu skandale. Por thuajse asnjëherë përgjegjësit nuk ndëshkohen. Madje fajin nuk e merr askush. Ndërkohë nga buxheti i shtetit vazhdojnë të ndahen mjete për ndërtime e rinovime të objekteve sportive.