Sport

Patinazhisti meksikan është latino-amerikani i rrallë në Olimpiadë

I thanë se duhet të luante futboll. I thanë se patinazhi artistik ishte për vajzat. Po ashtu, i thanë se sportet dimërore nuk kishin kuptim në Guadalajara. Por asnjëri nga ata kundërshtues nuk e pengoi patinazhistin meksikan, Donovan Carrillo, sportistin e rrallë të Amerikës Latine në Lojërat Dimërore, i cili tani është bërë një histori suksesi edhe më i rrallë i Olimpiadës së Pekinit nga ajo pjesë e globit. Carrillo pati performancën më të mirë në karrierë të martën në stadiumin “Capital Indoor”. Kjo i mundësoi atij të përparojë në garën e patinazhit të lirë të enjten – e para për Meksikën, e cila nuk kishte pasur një patinazhist olimpik për tri dekada. Carrillo automatikisht u bë patinazhisti më i suksesshëm në historinë e Meksikës.

“Për mua që të kem mundësinë të jem një nga sportistët e paktë të Amerikës Latine këtu në Lojërat Olimpike është me të vërtetë diçka që më motivon të bëj më të mirën dhe të frymëzoj më shumë fëmijë në Amerikën Latine dhe në vendin tim që të përpiqen të praktikojnë sportet dimërore”, tha Carrillo. “Unë e flisja këtë ëndërr me njerëzit. Ata gjithmonë qeshnin ose më thoshin se ishte e pamundur që një meksikan të kualifikohej”.

Në Pekin, Carrillo është një nga 33 sportistët e nëntë skuadrave latine: Argjentina, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Ekuador, Meksika, Peruja dhe Porto Riko. Ka edhe dhjetë sportistë të tjerë nga katër ekipe tjera të Karaibeve, përfshirë Ishujt e Virgjër, Haitin, Xhamajkën e Trinidadin dhe Tobagon. Asnjëri nuk ka fituar ndonjëherë medalje në Lojërat Dimërore. Brazili - zakonisht një qendër e Lojërave Verore - pretendon më shumë sportistë, por dhjetë garuesit e dimrit në Pekin janë një pjesë e 302 sportistëve të këtij vendi që garuan në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e shkuar. Mes katër sportistëve të ekipit të Meksikës, Carrillo është i vetmi që qëndroi në Meksikë për të zhvilluar talentin e tij, gjë që ai insiston ta bëjë. Dy të tjerë kanë trashëgimi meksikane, por stërviten në SHBA dhe Kanada, ndërsa e treta - Sarah Schleper - iu bashkua ekipit të Meksikës pasi u martua me një meksikan dhe u tërhoq nga ekipi i skijimit të SHBA-së. Programi i shkurtër i patinazhit artistik i Carrillos, më i fortë sesa pritej të martën, ishte i zhytur në krenarinë kombëtare. Muzika e tij ishte vendosur te Santana, grupi i preferuar i babait të tij. Mbulesat e tehut të Carrillos shfaqnin ngjyrat jeshile, të bardha dhe të kuqe të flamurit meksikan. Ai kishte veshur një kostum me shkëlqim të zi dhe artë që ishte bërë me porosi nga stilisti meksikan Edgar Lozzano, i cili ia ofroi atë patinazhistit falas.

“Është diçka që unë gjithmonë përpiqem ta bëj në performancën time, të përfshij kulturën meksikane”, tha Carrillo. “Carlos Santana është meksikan. Gjithmonë përpiqem të marr artistë të ndryshëm që mund të më ndihmojnë dhe të më motivojnë të përfaqësoj vendin tim”.

22-vjeçari është me origjinë nga Guadalajara, por u transferua me trajnerin e tij në Leon të Meksikës kur ishte 13 vjeç, sepse sheshi i qytetit të tij u mbyll. Ai ëndërronte për lavdinë olimpike dhe e kishte idhull spanjollin Javier Fernandez, i cili mori medaljen e bronztë në Lojërat Dimërore të vitit 2018 për t'u bërë patinazhisti i parë spanjoll me medalje. Debutimi i Carrillos në Lojërat Olimpike mund të jetë një gjë e mirë për Meksikën dhe pjesën tjetër të Amerikës Latine për sa i përket angazhimit në sportet dimërore. Meksika nuk ka një ligë kombëtare sportive profesionale ose sistem konkurrues kolegjial ​​për ndonjë sport dimëror. Lojërat Dimërore nuk janë gjithashtu një prioritet gjeopolitik për qeverinë e saj.

Edhe në vendpushimet e njohura të skijimit në Kili dhe Argjentinë, sportet e borës malore janë aq të kushtueshme saqë janë të rezervuara në mënyrë efektive për turistët perëndimorë dhe vendasit me rrënjë evropiane, të cilët tashmë janë të njohur me skitarinë. Mungesa e një pranie të Amerikës Latine në Lojërat Dimërore është sigurisht një çështje që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka marrë parasysh.

Në shtëpi mund të duhet një tjetër raund patinazhi televiziv që Carrillo të depërtojë me të vërtetë në mbulimin sportiv të Meksikës së çmendur nga futbolli, megjithëse gazetat raportuan për paraqitjen fantastike të patinazhistit në Pekin. Meksikanët u ndalën shpejt pas Carillos, duke shprehur krenarinë dhe mbështetjen e tyre në mediat sociale, megjithëse ai nuk është ende një emër i njohur. Disa orë pas debutimit të tij, Anette Tapia pranoi se nuk kishte ndjekur as Olimpiadën, por kishte shikuar diçka për Carrillo më parë.

“Ai ka shumë motivim”, tha stilisti 26-vjeçar. “Ai ka shumë motivim”.

Patinazhi artistik është i pazakontë në Meksikë dhe nuk ka pista olimpike në të gjithë vendin. Pistat e akullit zakonisht kufizohen në atraksionet brenda qendrave tregtare. Në fakt, ishte një shesh i vogël patinazhi në qendrën tregtare Plaza Mayor në shtetin qendror në Guanajuato, ku Carrillo stërvitej në prag të Lojërave Olimpike. Carrillo ankohet se si gjatë stërvitjes njerëzit i kërkojnë të ndalë muzikën e tij të zhurmshme, kur duhet të praktikojë manovrat e tij, ndërsa shmang fëmijët dhe familjet që janë në akull për argëtim dhe veçanërisht kur duhet të ndajë gjysmën e sheshit me lojtarët e hokejit. Carillo tha se ekziston gjithashtu edhe një pengesë kulturore për shkak se në Meksikë nuk preferohet që meshkujt të merren me patinazh artistik.

“Ndonjëherë njerëzit mendojnë se sportet artistike janë vetëm për femra, kështu që kjo është diçka që më duhej ta luftoja kur isha fëmijë, sepse shumë njerëz në shkollë më thoshin se jam vajzë. Dhe, për këtë arsye mendoj se nuk ka shumë meshkuj që merren me patinazh në Meksikë”, tha Carillo.

Carrillo është krenar që po bën histori për Meksikën dhe është i gatshëm për finalet e së enjtes, ndonëse favoriti më i madh për medaljen e artë është amerikani Nathan Chen. Megjithatë, Carillo ka synime të mëdha që të shkojë përtej Pekinit. Ai tashmë po synon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026 që do të mbahen në Itali pasi e di shumë mirë se ekzistenca e tij në pistën olimpike këtu është një arritje për vendin e tij.

“Unë do të vazhdoj me patinazh pasi dua ta jetoj ëndrrën time olimpike edhe pas katër vjetësh”, insistoi ai.