Sport

Pa gjymtyrë, por me ëndrra të mëdha për futbollin

Kristi Prenaj luan futboll me synim për ta përballuar më lehtë aksidentin që e pësoi mbi dy dekada më parë. Pas luftës së fundit në Kosovë, të viteve 1998 e 1999, Prenaj humbi njërën këmbë. Pa këmbën e djathtë mbeti gjatë misionit për pastrimin e minave, që forcat pushtuese serbe i vendosën gjatë tërheqjes nga Kosova.

“Gjatë çmontimit të minave e kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Tash kontributin do ta japim në futboll”, thotë 53-vjeçari Kristi Prenaj.

Ai është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll që përbëhet nga lojtarë me gjymtyrë të amputuara.

Image

Prenaj ka paguar çmim të lartë për misionin fisnik që kishte. Ai lëviz me ndihmën e patericës. Por është shumë i motivuar për të kaluar sfidat dhe për të ecur para. Futbolli e ndihmon shumë në këtë. Ai ka synime që të paraqitet në ngjarje të mëdha të futbollit për të amputuar.

Prenaj dhe lojtarët e tjerë me gjymtyrë të amputuara të Kosovës më 28 dhe 29 tetor do ta përfaqësojnë vendin në Ligën e Kombeve. Turneu kualifikues për futbollistët me gjymtyrë të amputuara organizohet për herë të parë nga Federata Evropiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n dhe zhvillohet në Skoci.

Image

Kosova do të paraqitet në Ligën D të Ligës së Kombeve të futbollit për të amputuar. Në grup e ka Shqipërinë, Azerbajxhanin, Holandën dhe nikoqiren, Skocinë.

Vitin e ardhshëm, në maj dhe qershor, në Francë do të zhvillohet Kampionati i Tretë Evropian i futbollit për të amputuar.

Liga e Kombeve do t’ua mundësojë 16 ekipeve kualifikimin në Evropian.

“Para aksidentit me minat e kemi dashur futbollin dhe kemi luajtur futboll, por edhe pas aksidentit. Dhe po na bëhet realitet ëndrra ta përfaqësojmë vendin në ngjarje të mëdha evropiane”, është shprehur Prenaj.

Prenaj nuk është i vetmi në ekipin e futbollit të të amputuarve të Kosovës që ka humbur këmbën gjatë angazhimit për çmontimin e minave. Janë edhe disa të tjerë.

Loja e bukur e futbollit ofron rutinë për jetën e të amputuarve, ndër të tjera.

Futbolli ofron vetëbesim dhe mundëson që lojtarët pa njërën gjymtyrë të ndjekin ëndrrat.

“Unë jam 53-vjeçar, por i kam emocionet dhe kam vullnetin sikur të isha 20-vjeçar për ta dhënë maksimumin për Kosovën”, ka theksuar Prenaj.

Prenaj kurrë nuk e humbi dashurinë për të luajtur futboll, sportin që e donte edhe si fëmijë. Ai vlerëson edhe të tjerët për motivin për të luajtur futboll.

Prenaj, që luan në pozicionin e sulmuesit, lutet që edhe shteti të shtrijë dorën e ndihmës.

“Ata janë më të fortë, më të ushtruar, kurse ne jemi vetëm në fillim. Puna po shkon mirë. Kushtet i kemi minimale, por shpresojmë që Qeveria e Kosovës dhe Federata të na mbështesin më shumë dhe të bëhemi edhe ne më të fortë”, ka theksuar Kristi Prenaj.

Thirrje për mbështetje bën edhe një nga iniciatorët për krijimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll për të amputuar, Mirjon Samadraxha.

Përpos entuziazmit dhe shpresës që e shoqëron Mirjonin, ai rrëfen edhe vështirësitë që i është dashur t’i kalojë që prej fillimit të këtij viti kur mori iniciativën për të krijuar këtë ekip.

Image

“Dashurinë për futbollin e kam pasur qysh kur kam qenë i vogël. Por pastaj disa incidente gjatë jetës të bëjnë që të mendosh ta lësh. Ne e kemi gjetur forcën për të vazhduar, pasi edhe pse jemi të amputuar ky sport të bën të mos heqësh dorë. Nuk jemi ndalur kurrë dhe tash jemi ku jemi”, ka thënë Mirjoni.

Ai është kapiten i Kosovës, ndërsa ka rolin e portierit, ndonëse nuk e fsheh se dëshira e tij ishte të luante si sulmues. Mirjoni ka humbur dorën e djathtë në vitin 2015.

“Edhe unë kur kam qenë më i vogël dëshirën e kam pasur të luaj në sulm, mirëpo personat që kanë të amputuar dorën e kanë të detyrueshme të hyjnë portier dhe tash jam portier i Kombëtares së Kosovës për futboll të amputuar”, thotë Mirjon Samadraxha.

Ai është 20-vjeçar, ndërsa mburret që do ta përfaqësojë Kosovën në një ngjarje evropiane.

“Sa është kënaqësi dhe krenari, është edhe përgjegjësi, pasi ne përfaqësojmë shtetin dhe duhet ta japim maksimumin për ta përfaqësuar sa më mirë”, është shprehur ai.

Samadraxha thotë se synimi është kualifikimi në “Euro 2024”.

“Është një ëndërr të kualifikohemi në një ngjarje të madhe dhe shpresoj të jetë kjo një mundësi të kualifikohemi në ‘Euro 2024’. Do të ishte superiore”.

Mirjoni thotë se kanë gjetur përkrahje nga Federata e Futbollit e Kosovës, ndërsa pret më shumë mbështetje edhe nga shteti, të cilin synojnë ta përfaqësojnë denjësisht.

“Qëllimi ynë është ta përfaqësojmë sa më mirë në çdo garë. Është përgjegjësi e madhe ta djersitim këtë fanellë dhe shpresojmë ta bëjmë krenar çdo kosovar”, ka thënë Mirjon Samadraxha.

Vëllai i Mirjonit, Mendimi, është po ashtu i përkushtuar që Kosova të arrijë suksese të mëdha.

Mendimi, tre vjet më i madh se Mirjoni, është trajner. Rolin e trajnerit e mori në maj, kur Kosova u pranua nga Federata Evropiane e Futbollit për të Amputuar. Ekipi përbëhet me lojtarë nga thuajse gjitha trevat e Kosovës, ndërsa për stërvitje grumbullohen dy herë në javë. Stërvitja zgjat dy orë.

“Çdo fillim është i vështirë. Ka pasur hezitim të lojtarëve, por së bashku me Mirjonin kemi bërë punë të mirë në këtë proces. I kemi takuar këta persona, i kemi bindur se i duhen Kosovës për ta përfaqësuar në gara ndërkombëtare”, ka thënë Mendimi.

Ai thotë se qëllimi i tyre është që ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë në arenën ndërkombëtare.

“Kemi vetëm një qëllim të përbashkët e që është përfaqësimi sa më i mirë i Kosovës, pse jo edhe të kualifikohemi në Evropianin që mbahet në Francë”, ka theksuar trajneri Samadraxha.

Mendim Samadraxha thotë se forma është e mirë, ndërsa presin që ekipit të Kosovës t’i shtohen edhe një numër i lojtarëve me gjymtyrë të amputuara.

“Jemi në kontakte me disa lojtarë, por siç thashë nuk ka shumë të kësaj kategorie të personave në Kosovë. Shumica janë prej luftës së fundit në Kosovë, gjatë luftës dhe pas luftës në mina”, ka thënë Mendim Samadraxha.

Ai thotë se kontributin gjatë dhe pas luftës lojtarët e kanë dhënë. Tani thotë se u mbetet të japin kontributin edhe në lojën me top.

Kosova në fillim të këtij muaji zhvilloi ndeshje miqësore kundër Shqipërisë, të cilën e ka edhe në grup për ndeshjet e Ligës D të Ligës së Kombeve. Më herët Kosova ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore me synimin për t’u përgatitur sa më mirë për debutim në kualifikimet për “Euro 2024”.

Pavarësisht rezultatit në Skoci, ky ekip është fitimtar. Ka frymëzuar shumë njerëz dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.