Stadiumi i qytetit në Gjilan, i paraqitur në projektin e prezantuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pamje të bukur. Nga MKRS-ja është thënë se ai projekt është i gatshëm për zbatim, ndërsa ka pasur të tillë që e kanë vlerësuar të duhur. Por projekti i paraqitur muajin e kaluar nga Ministria po kundërshtohet nga një grupi qytetarësh të Gjilanit.
Një nga iniciatorët për ndryshimin e projektit është afaristi nga Gjilani, Ibrahim Krivaqa. Iniciativa e Krivaqës ka gjetur mbështetjen e klubeve të qytetit, Dritës e Gjilanit, drejtorit të Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, dhe personaliteteve të tjera të qytetit gjilanas.
Krivaqa, i cili si donator ka dhënë kontribut te klubi i Gjilanit, ditë më parë ka prezantuar mangësitë që ka projekti aktual. Ai ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ta zëvendësojë projektin e prezantuar me një projekt modern që kap vlerën e 15 milionë eurove.
“Ndërtimi i tribunave shtesë përreth fushës në mënyrë që ato të jenë afër fushës së gjelbër, në përputhje me kriteret e UEFA-s për stadiumet e Kategorisë 4. Mbyllja e hyrjes nga ana perëndimore për kamionë dhe vetura dhe zhvendosja e qarkullimit të tyre nga pjesa tjetër që është në ndërtim. Mbulimi komplet i tribunave. Ndryshimi i fasadës me materiale të kohës, fasadë moderne, krijimi i hapësirave komerciale në stadium që stadiumi të jetë profitabil dhe i pavarur financiarisht”, shkruan, ndër të tjera, në postimin e Krivaqës.
Ai ka prezantuar në dhjetë pika mangësitë, që, sipas tij, i ka projekti i prezantuar nga MKRS-ja dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni,
ka dhënë edhe arsyetimin.
“Projekti i prezantuar nuk është profitabil dhe krijon humbje të vazhdueshme për Komunën e klubet, si dhe do të jetë barrë për të gjithë tatimpaguesit. Me projektin e ri, stadiumi duhet të jetë profitabil për Komunën e më së shumti për klubet, të ulë kostot e klubeve dhe të rrisë të hyrat e klubeve”, shkruan në pikën e parë.
Në pikat e tjera shkruan se projekti ekzistues nuk krijon entuziazëm, stabilitet për klubet, të hyra shtesë për bizneset e qytetit, nuk krijon vende të reja të punës, nuk krijon ambient relaksues, nuk ofron kushte të njëjta të shikimit të lojës, nuk ofron kushte të mira për reklamim.
“Projekti i prezantuar ka një arkitekturë të ngjashme me stadiumin e Prishtinës dhe stadiumet e tjera të ndërtuara ose në ndërtim në Kosovë. Projekti i ri duhet të jetë konkurrues me stadiumet moderne në Evropë dhe të jetë atraktiv për të paktën 20 vjetët e ardhshëm. Projekti i prezantuar nuk ka arkitekturë moderne siç po projektohen objektet e tjera sportive, për shembull Qendra e Xhudos në Pejë. Stadiumi i ri duhet të jetë modern dhe të përfshijë të gjitha standardet e projektet moderne që po ndërtohen dhe do të ndërtohen për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030”, shkruan në dy pikat e fundit të prezantimit të mangësive.
Mst: Nevoja për debat publik
Iniciatori Krivaqa ka ftuar mbajtjen e një debati të hapur publik. Ai ka thënë se në debat duhet të thirren përfaqësuesit e dy klubeve më të mëdha të qytetit, Shoqata e Arkitektëve të Kosovës dhe palë të tjera të interesit.
“Pas këtij debati, projekti do të llogaritet se është i pranuar edhe nga komuniteti. Për revidim të projektit, një grup arkitektësh i ofrojnë Komunës projektin e ri ideor falas e të cilin projekt do ta paraqesim javën tjetër. Revidimi i projektit nëse menaxhohet mirë, nuk e shtyn afatin e inaugurimit të planifikuar nga Komuna. Nëse buxheti i planifikuar prej 15 milionë eurosh nuk mjafton për revidim, ka opsione të tjera të financimit, por në asnjë opsion si i tillë nuk duhet ndërtuar”, ka shtuar Krivaqa.
Në fakt, projekti i prezantuar nga ministri Hajrulla Çeku vlerësohet të jetë përfundimtar. Të paktën kështu është prezantuar nga ai. Ministri Çeku ka thënë se projekti përfundimtar i stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe është i gatshëm për zbatim, ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.
“Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal”, shkruan në postimin e ministrit Çeku.
Gur themeli për rinovimin e stadiumit në Gjilan ishte vendosur në vitin 2017. Në bazë të projektit të vjetër, rinovimi është dashur të përfundonte më 23 tetor të vitit 2020. Por shumë pak punë janë të përfunduara.
Gjendja e objektit është shumë e keqe. Ai madje është shfrytëzuar nga të dyshuar për narkomani e madje edhe për të kaluar natën. Ndërkohë fusha e stadiumit shfrytëzohet herë pas here. Të mërkurën gjendja e saj nuk ishte e mirë.
Mst: Pasojat për klubet
Pasojat e rinovimit të stërzgjatur i kanë vuajtur më së shumti Drita e Gjilani. Drita është një prej klubeve më të organizuara në Kosovë. Organizimi nuk ka munguar as te klubi i Gjilanit. Dy skuadrat, në mungesë të stadiumit, ndeshjet si vendës i kanë zhvilluar në fushën me bari sintetik në Gjilan.
Derbit lokalë të viteve të fundit i kanë zhvilluar në disa raste edhe pa praninë e shikuesve.
“Po shpresoj që ky projekt të jetë gati ashtu siç kanë deklaruar. Mendoj që edhe klubet janë lodhura duke u munduar me improvizime për të zhvilluar gara, pasi gjithë mundi që kanë bërë presidentët e klubeve, në këtë rast i Dritës, nuk është parë aq shumë, pasi infrastruktura na ka penalizuar dhe na ka bërë të dukemi si amatorë. Investimet në fakt janë të mëdha saqë shtyhemi me klubet e rajonit, por infrastruktura na ka penalizuar. Edhe në vitin 2017 është inauguruar, por nuk ka përfunduar. Por kur të rifilloj uroj të përfundoj në një afat rekord”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi .
Menaxheri i klubit Gjilani, Drilon Sylejmani, uron që punët të bëhen sipas standardit të UEFA-s.
“Nga ajo që kemi parë projekti është i kategorisë së katërt, është investim milionësh. Nga ajo që na është prezantuar plotëson kushtet edhe për gara ndërkombëtare. Ekspertë të fushës ndoshta do ta vlerësonin më mirë, por ne si klube kemi ardhur në përfundim që vetëm të ndërtohet dhe të kthehemi dhe të luajmë, pasi çdo ditë vonesë është humbje për ne dhe klubin tjetër”, ka thënë Sylejmani.
Kosova vazhdon ta ketë vetëm një stadium për ndeshje evropiane të përfaqësueseve dhe skuadrave.
Në “Fadil Vokrri” në Prishtinë luhen të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të futbollit kosovar, për të rritur. Edhe ky objekt sportiv, sidomos fusha e tij, lë shumë për të dëshiruar.
Nga Komuna e Gjilanit nuk janë përgjigjur në interesimin e KOHËS për të bërë vlerësimin e projektit për stadium dhe vërejtjet e grupit të qytetarëve.
Punët për zbatimin e projektit të ri nuk kanë nisur ende, ndërsa nuk ka datë të caktuar se kur do të jetë gati stadiumi i ri i qytetit në Gjilan.