Sport

Luan Krasniqi për diskriminimin ndaj boksierëve kosovarë: Mëkat dhe për të ardhur keq

Vazhdojnë reagimet për diskriminimin e Serbisë dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA) ndaj boksierëve kosovarë. Në Beograd po mbahet Kampionati Botëror i Boksit, në të cilin është dashur të paraqiteshin edhe garuesit nga Kosova. Madje ata kanë synuar medalje.

Por shteti i Serbisë nuk ka lejuar hyrjen e boksierëve të Kosovës në territorin e saj. Boksierët provuan tri herë, të shtunën e të dielën, por nuk u lejuan. Ndërkohë AIBA, pos deklaratave, nuk ka marrë ndonjë veprim ndaj organizatorit të Botërorit.

Se sa është e rëndësishme për një boksier paraqitja në një Botëror e di shumë mirë Luan Krasniqi, emri më i njohur shqiptar i ringut. Ish-boksieri i njohur është solidarizuar të dielën mbrëma me Shpejtim e Bashkim Bajokun dhe Patriot Behramin, që nuk janë lejuar të paraqiten në Botëror. Shorti është tërhequr të dielën, kur u mbajt edhe ceremonia hapëse. Ndërkohë meçet nisin të hënën.

“Vlerat e sportit ruhen gjithmonë. Por çfarë duhet të bëni nëse, për shembull, një vend pritës përjashton një shtet nga garat? Po sikur, siç ka ndodhur tani, Serbia thjesht nuk do ta lejojë Federatën e Boksit të Kosovës të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit amator në Beograd?”, ka pyetur Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

“Mendimi im është i qartë: mosmarrëveshjet politike nuk duhet të vendosen mbi kurrizin e sportistëve që kanë punuar kaq gjatë dhe kaq shumë për këtë ngjarje. Sporti nënkupton vlera të tilla si ndershmëria, loja korrekte dhe respekti. Ai i shërben mirëkuptimit ndërkombëtar. E gjithë kjo kundërshtohet nga një proces si ky”.

Krasniqi, tani 50-vjeçar, ka marrë pjesë gjatë karrierës në Kampionatin Botëror të Boksit amator. Në vitin 1995 garoi në kategorinë e rëndë dhe fitoi medaljen e argjendtë. Të artën e kishte fituar kubani i famshëm, Felix Savon.

Në vitin 1996, sërish duke përfaqësuar Gjermaninë, Krasniqi kishte fituar medaljen e artë evropiane në amatorizëm e më pas medaljen e bronztë olimpike në Atlanta.

Junikasi Krasniqi ka pasur karrierë të madhe edhe në profesionalizëm. Luftoi për titull të botës në kategorinë e rëndë.

Vëllezërit Bajoku dhe Behrami janë larg niveleve që i kishte Luani. Por kanë pasur ëndrra e shpresa për Botërorin në Beograd. Ato u janë mohuar, jo në ring por në kufi. Me vendim politik. Me vendim diskriminues të Serbisë e me heshtje të AIBA-s.

“Thjesht, mëkat dhe për të ardhur keq”, ka shkruar Luan Krasniqi.